2.7 C
Pristina
Thursday, December 12, 2024

Kur të vdes njeriu, a hyn në Xhenet gjegjësisht në Xhehenem, apo mbetet në varr deri në Ditën e Gjykimit?

Më të lexuarat

Pyetje: “Kur të vdes njeriu, a hyn në Xhenet gjegjësisht në Xhehenem, apo mbetet në varr deri në Ditën e Gjykimit?”

Përgjigje: “Trupi i njeriut të vdekur mbetet në tokë (në varr) nga momenti që ai është varrosur, deri në Ditën e Gjykimit. Allahu (Te’ala) ka thënë:

“Dhe, kur të fryhet në Sur, ata do të dalin nga varret dhe do të nxitojnë drejt Zotit të tyre.” 1

Dhe thotë Allahu:

“Prapa (vdekjes së) tyre do të ketë një (kohë) ndarëse, deri në ditën kur do të ringjallen.” 2

Pra i vdekuri mbetet në tokë.

Lidhur me jetën e shpirtit, themi se, shpirti hyn në Xhenet eventualisht në Xhehenem. Allahu (Te’ala) ka thënë:

“Atyre të cilëve engjëjt ua marrin shpirtrat, duke qenë të pastër, u thonë: “Shpëtimi qoftë mbi ju! Hyni në Xhenet, si shpërblim për veprat që keni kryer!” 3

Ky ajet dëshmon se, ngjarja e tillë do të ndodhë kur njeriu të vdes. Kjo nënkupton se njeriu do të hyjnë në Xhenet (apo në Xhehenem) ditën kur ai do të vdes. Por, kjo do t’i ndodhë vetëm shpirtit, jo edhe trupit. Është konfirmuar në formë autentike nga Profeti (salallahu alejhi ue selem) se të vdekurit nëse ai është besimtarë, i hapet një derë në Xhenet, nga e cila ai ndjen mëshirë dhe lumturi. Ndërsa, jobesimtarit shpirti i tij i ndëshkohet. Thotë Allahu në Kuran:

“Ata do të çohen para Zjarrit në mëngjes dhe mbrëmje (në jetën e varrit) e, kur të arrijë çasti i kiametit, do të thuhet: “Hidhni ithtarët e Faraonit në dënimin më të rëndë”!” 4

Dhe thotë Allahu (Te’ala):

“Kur engjëjt ua marrin shpirtin atyre që ishin mizorë të vetvetes duke qëndruar me kufarët në një kohë kur emigrimi ishte obligim për ta. Engjëjt u thonë: “Në çfarë gjendje ishit?” Ata përgjigjen: “Ne ishim të dobët dhe të shtypur në tokë.” Engjëjt u thonë: “A nuk ishte e gjerë toka e Allahut e të migronit në të?” Vendi i tyre është xhehenemi dhe sa vend i keq është ai!” 5

Dhe thotë Allahu:

“Dhe sikur t’i kishe parë kur engjëjt ua marrin shpirtin atyre që mohuan, si i godasin në fytyrë dhe shpinë, (duke u thënë): “Shijoni dënimin e zjarrit që flakëron. Këtë (dënim e morët) për shkak të asaj që vepruat. Allahu nuk është i padrejtë ndaj robërve të Tij!” 6

Kjo dëshmon se besimtari dhe jobesimtari marrin shpërblimin e tyre në Xhenet, gjegjësisht ndëshkimin e tyre në Xhehenem kur ata të vdesin. Siç thashë, kjo vlen vetëm për shpirtin.

Sa i përket trupit, ai mbetet në tokë deri në Ditën e Gjykimit. Por, ka mundësi që shpirti t’i bashkohet trupit dhe dënohet ose shpërblehet në varr së bashku me të, siç sugjerojnë disa hadithe autentike.


1 Ja-Sin 36:51
2 El-Mu’minun 23:100
3 En-Nahl 16:32
4 Gafir 40:46
5 An-Nisa 4:97
6 El-Enfal 8:50-51

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (vdiq. 1421)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit