Deklaratë “Vendi i klerikëve”

Më të lexuarat

Deklaratë

Vendi i klerikëve

Kryeministri Rama u përpoq të përcaktojë publikisht vendin dhe rolin e klerikëve në shoqëri, duke i thënë një hoxhe se vendi i tij është në xhami dhe jo në protestë. Një qasje e tillë jo vetëm që cenon të drejtën e çdo qytetari për të shprehur bindjet e tij, por edhe bie ndesh me historinë e vetë Shqipërisë.

Historia jonë dëshmon se hoxhallarë e priftërinj, baballarë e pastorë, kanë qenë pjesë e rëndësishme e jetës kombëtare, e shtetformimit, e arsimit, e kulturës dhe e mbrojtjes së interesave të vendit. Vetëm me ardhjen në pushtet të regjimit komunist u përmbush përjashtimi i fesë dhe i klerit nga jeta publike, përmes denigrimit, persekutimit, burgosjeve, internimeve dhe eliminimit fizik të atyre që refuzuan të nënshtroheshin ndaj ideologjisë së kohës.

Kryeministri Rama duhet të kuptojë se vendi i klerikut nuk përcaktohet nga pushteti politik, por nga misioni i tij, nga ndërgjegjja e tij dhe nga të drejtat që i garanton Kushtetuta. Vendi i hoxhallarëve, priftërinjve, pastorëve, rabinëve dhe i çdo kleriku tjetër është aty ku e kërkon detyra e tyre morale dhe qytetare: në faltore, në media, në institucione, në debat publik, në protestë paqësore dhe kudo ku ngrihet zëri për të vërtetën, drejtësinë dhe të mirën e përbashkët.

Askush, qoftë edhe Kryeministri i Shqipërisë, nuk ka të drejtë t’u tregojë qytetarëve se ku duhet të qëndrojnë apo si duhet të ushtrojnë liritë e tyre kushtetuese. Të pretendosh se një klerik duhet të kufizohet vetëm brenda mureve të faltoreve përbën një konceptim të gabuar të lirisë fetare, të lirisë së shprehjes dhe të pjesëmarrjes qytetare.

Deklarata të tilla përfaqësojnë një frymë përjashtuese dhe antiklerikale, e cila i përket një epoke që shqiptarët e kanë lënë pas. Demokracia nuk ndërtohet duke heshtur zërat kritikë, por duke respektuar pluralizmin e mendimeve dhe të roleve që individë të ndryshëm luajnë në shoqëri.

Ndaj i bëjmë thirrje Kryeministrit Rama të heqë dorë nga kjo gjuhë përjashtuese dhe të respektojë të drejtën e çdo kleriku, ashtu si të çdo qytetari tjetër, për të shprehur bindjet e tij dhe për të kontribuar në jetën publike të vendit.

Po ashtu, u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që besojnë në lirinë, dinjitetin dhe të drejtat kushtetuese të qytetarëve, të mos pranojnë asnjë përpjekje për të kufizuar pjesëmarrjen e askujt në jetën publike për shkak të besimit, profesionit apo bindjeve të tij.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit