Hoxhë Altin Plumbi
Kur hoxha ose imami prezanton në iftarin e kryeministrit dhe hedh mesazhe pozitive, ai ka dalë nga xhamia dhe e ka nxjerrë fenë jashtë xhamisë, po ashtu edhe kur mbjell pemë në rrugët e qytetit bashkë me punonjësit e bashkisë, edhe kur hap një fondacion bamirësie dhe ndërton shtëpia për njerëzit e pastrehë, apo të dëmtuarit nga tërmeti, në kohën që qeveria nuk kishte as qen e as mace për tu ardhur me ndihmën e parë njerëzve të zënë nën rrënoja, gjithashtu edhe kur kuron fëmijët me sëmundje të rënda, fenë e ka nxjerrë jashtë xhamisë, po ashtu edhe kur kreu i qeverisë ka nevojë ti vijë në emision hoxhës dhe imamit, që ta mbështesë me argumente fetare, për mbylljen e kazinove dhe pikave të basteve që kreu i qeverisë po ndërmerr, po ashtu edhe kur hoxha dhe imami ndihmon komunitetin e zonës së tij dhe më tej, duke iu gjendur në hallet dhe nevojat që kanë, feja dhe imami jo vetëm dalin nga xhamia, por aty kanë pikënisjen për të hyrë kudo.
Kur të gjitha këto i shkojnë për shtat qeverisë dhe kreut të saj, këtu hoxha është në rregull, kurse kur kritikon apo orienton e analizon në kundërshtim me egon e pushtetarit, aty u dashka të mos flasë e as të dalë jashtë xhamisë.
Ai që e kërkon këtë, ta harrojë e të merret me punë të tjera se boll ka bela që po e fundosin, si i mbyturi që kapet për fijen e barit.
Zoti i shpërbleftë të gjithë hoxhallarët e imamët që përballen dhe i vënë shpatullat punëve të fesë dhe halleve të njerëzve, si edhe ata që i mbështesin në misionin e tyre.
