Vajza e Tahir Sinanit, dëshmorit të kombit, reagoi ashpër pasi kreu i deputetëve socialistë Taulant Balla, në përpjekje për të njollosur Dritan Goxhajn nxori një letër pjesëtarësh të UÇK-së që kishin marrë pagesa duke i quajtur mercenarë.
Rugovë Sinani shkruan se ky është një poshtërim i rëndë për komandantin legjendar të UÇK-së.
“Sapo pashë letrën e publikuar nga Taulant Balla, kinse një listë me emrat e marcenarëve në UÇK, se kështu i quaka ai luftëtarët e lirisë. Një letër gjysmake, pa specifika, ku në krye qëndron emri i babait tim, Heroit të Kombit Tahir Sinani. Njeriu që sakrifikoi çdo gjë për çeshtjen kombëtare, çlirimtari i tre luftërave. Sot Taulant Balla, një mbetje e Politikës shqiptare, përdhos dhe fyen emrin dhe gjakun e babait tim.
TURP!!!!
Vetëm një i paskrupullt mund ta bëjë këtë. Taulant Balla urgjentisht ti duhet të kërkosh falje publike. Sot ti ma vrave për së dyti babën! Gjaku i tij do ua thyejë qafën ty e gjithë atyre që prekin te plaga që hala dhemb.
Tahir Sinani ra dëshmor për lirinë e trojeve shqiptare, jo për parti politike. E në qoftë se nuk e njeh ti Tahir Sinanin e njeh gjithë shqiptaria. Ai shkoi me lavdi po ti ça do lësh mbrapa?! Turp për ty!
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së Detyra juaj është të mbroni të drejtat e veteranëve, të familjeve të dëshmorëve dhe vlerave të luftës dhe jo të merreni me politikë nën petkun e UÇK-së nëpërmjet kësaj organizate. Përndryshe të shpërbëheni menjëherë si grup drejtues dhe të drejtohet nga persona që ia dinë vlerën luftës e gjakut të dëshmorëve.
Pas gati 25 vitesh nga rënia dëshmor e babit të përjetosh këtë poshtërim është e rëndë!” – shkruan vajza e dëshmorit të UÇK-së.
Tahir Sinani, nga Tropoja, ishte oficer i Ushtrisë së Shqipërisë kur iu bashkua UÇK-së. Ai mori pjesë aktive në tri luftëra çlirimtare në hapësirën ballkanike.
Gjatë vitit 1998-1999, ai iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shërbeu si komandant i shquar në Zonën Operative të Pashtrikut, duke udhëhequr operacione të rëndësishme luftarake kundër forcave serbe.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, ai kontribuoi në organizimin dhe strukturimin e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve atje.
Tahir Sinani ra dëshmor më 29 korrik 2001 në Malet e Tanushës (në rrethinën e Gostivarit), gjatë një shpërthimi aksidental të municioneve në një depo armatimi të UÇK-së, ku humbi jetën së bashku me katër bashkëluftëtarë të tjerë.
Ai u varros me nderime të larta ushtarake dhe mban titullin e lartë Hero i Kombit. Në nëntor të vitit 2025, në nderim të figurës së tij, u zbulua një shtatore madhështore në qytetin e Prizrenit. LAPSI.al
