6.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Kismetin’ a e bën njeriu apo është i caktuar nga Zoti?

Më të lexuarat

Kam një pyetje: Jam njohur me një djalë para një kohe dhe i kam treguar familjes për të, por tani ai është fejuar me dikë tjetër, për shkak se unë i kam thënë: “Dil takoje edhe atë vajzë dhe atëherë vendos cilën e do.” Ai vendosi për atë, jo për mua! Tani e mundoj veten pse gabova. Të gjithë thonë se Zoti e ka shkruar që ai të mos jetë fati im, por ka edhe njerëz që thonë se kismetin e bën vet njeriu. Nuk e di, më mundon shumë kjo. Nuk shoh më mirë në jetën time, sepse e kam dashur shumë atë, por nuk ia kam shprehur asnjëherë dashurinë time dhe tani ndihem fajtore.

Përgjigje:
Motër e nderuar! Duhet ta dini se besimi ynë mbështetet në gjashtë baza kryesore. E gjashta prej tyre është të besohet në Caktimin e Allahut, se gjithçka që ndodh në këtë gjithësi, ndodh me dijen dhe caktimin paraprak të Allahut.

Edhe në rastin tuaj, për të cilin keni shtruar këtë shqetësim tuajin duhet të bindeni se nuk ka qenë e caktuar që ju ta keni për bashkëshort tani atë djalë. Mos e lodhni veten me paramendime e paragjykime, sepse nuk do t’ia arrini dot të dilni me ndonjë rezultat të shëndoshë përpos ta lëndoni veten dhe të mos qetësoheni në besim, gjë që është kërkesë permanente e djallit të mallkuar. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
“Besimtari i fuqishëm është më i mirë dhe më i dashur te Allahu se besimtari i dobët, edhe pse në të dy ka hair. Përkushtohu në atë që të bën dobi, kërko ndihmë prej Allahut dhe mos u dobëso! Nëse të godet ndonjë gjë, mos supozo të thuash: “po të veproja këtë do të ndodhte kështu apo ashtu”, por thuaj: “Caktim i Allahut ishte. Atë që e dëshiroi, ndodhi”, sepse supozimi hap veprimin e djallit (transmeton Muslimi)
Kjo nuk do të thotë se ne në veprimet tona paraprakisht duhet t’i mbështetemi Kaderit, sepse atë ne nuk e dimë. Përkundrazi ne i marrim shkaqet e veprimit sipas matjeve që na ka mësuar feja. Ne assesi nuk mund të dalim me planet tona jashtë caktimit të Allahut. E nëse nuk ndodh ajo siç ne dëshirojmë apo angazhohemi, atëherë patjetër duhet ta dimë se caktimi i Allahut ka qenë ndryshe nga dëshira jonë.
Ju mos u dëshpëroni dhe mos e stresoni veten, sepse nuk është e logjikshme që një femër fatin e saj martesor ta lidh për një mashkull të caktuar, e lëre më fatin e jetës. Djali ka mundur të ketë simpati qysh më herët në femrën tjetër, ndërsa juve ju duket se “rastin që ju ia keni dhënë” e ka përcaktuar fatin tuaj negativisht. Jo, assesi. Merreni veten me të mirë dhe shikojeni perspektivën tuaj duke mos iu gjunjëzuar shejtanit të mallkuar për asnjë çast, që ai të luaj me besimin tuaj fillimisht, dhe me jetën tuaj në vazhdimësi!
Allahu ju ndihmoftë në luftën kundër shejtanit të mallkuar!

                                                        

Hoxhë Muhammed Dermaku

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit