Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut. Lavdia dhe bekimi i Tij qofshin mbi të Dërguarin dhe ithtarët e tij:
Nuk ka dyshim se zilia është një mëkat i madh, i shëmtuar dhe shumë i neveritur. Tekstet fetare që ndalojnë këtë ves janë të shumta. Allahu na ka urdhëruar të mbrohemi nga sherri i ziliqarit dhe këtë e ka përmendur në fund të sures Felek, ajeti 5, pasi që përmendi shumë sherre tjera për të treguar – siç thonë dijetarët e tefsirit – se zilia është e keqja e fundit pas së cilës nuk ka të keqe. I Dërguari, salallahu alejhi ve selem, në mënyrë që të arrihet vëllazëria islame porositi ithtarët e tij “të mos keni zili njëri tjetrin” (Buhariu)
Mirëpo, ç‘është zilia dhe cilat janë rrethanat e saj?
Zilia është dëshira e flakët që të largohen begatitë apo të mirat nga ai i cili i meriton ato.
Nga ky definicion kuptojmë se vetëm dëshira keqdashëse është mëkat i madh. Nëse merren hapa konkret në këtë drejtim, pra, që t’ia shkatërrojmë disa të mira atij që i posedon ato, atëherë kemi të bëjmë me zullum dhe shtypje që janë mëkate tjera të mëdha.
Nëse dikujt i vjen në mendje ndjenja e zilisë dhe ai nuk e ushqen atë, nuk flet dhe nuk vepron në bazë të tyre, atëherë shikojmë së ç‘ka e pengon këtë ziliqar nga ndërmarrja e hapave konkrete kundër atij ndaj të cilit ka zili. Nëse pengesa kryesore e tij është pamundësia për t’i bërë keq, atëherë kjo ndjenjë llogaritet mëkat i madh dhe ai duhet një orë e më parë të distancohet nga ajo. Mirëpo, nëse pengesa kryesore është devotshmëria dhe ai thjeshtë ato mendime nuk i do dhe i urren, atëherë, nuk ka mëkat për atë ndjenjë sepse ai nuk mund të kontrollojë mendimet që i vijnë herë pas here. Mjafton që t’i luftojë ato. Këto shpjegime janë marrë nga Fethul Bari 10/482