5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Cilat janë tre gjëra që e percjellin të vdekurin?

Më të lexuarat

Falënderimi i takon Allahut, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin e Allahut, mbi familjen e tij, mbi sahabët dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë këtë Pejgamber deri në Ditën e Gjykimit.

Transmeton Buhariu dhe Muslimi në dy Sahihat e tyre prej Enes ibn Malik-ut (radijAllahu anhu) se Pejgamberi (salAllahu alejhi ve selem) ka thënë: “Të vdekurin e pasojnë tre gjëra: Familja, vepra[1] dhe pasuria e tij, kthehen dy, mbetet vetëm një, kthehen familja dhe pasuria dhe mbetet vepra e tij.”[2]

Thotë Ibn Rexheb el-Hanbelij: “Kuptimi i këtij Hadithi është: I biri Ademit medoemos në këtë botë të ketë familje dhe pasuri me të cilët jeton, këta dy shokë ndahen prej tij dhe ai ndahet prej tyre. I lumtur është ai cili i shfrytëzon këta dy gjëra si ndihmues për t’a përmendur Allahun dhe si urë për t’a fituar Ahiretin, shfrytëzon pasurinë për të arritur në Ahiret, gruan për t’a ndihmuar në Imanin e tij, ndërsa atë të cilin familja dhe pasuria e largojnë prej Fesë së Allahut është i humbur, siç ka thënë Allahu për disa prej beduinëve:

شَغَلَتْنَا أَمْوَالُنَا وَأَهْلُونَا فَاسْتَغْفِرْ لَنَا

Na angazhuan (preokupuan) neve pasuria jonë dhe familjet tona, andaj e lutju (Allahut) të na falë neve!”[3]

Thotë Allahu: يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تُلْهِكُمْ أَمْوَالُكُمْ وَلَا أَوْلَادُكُمْ عَنْ ذِكْرِ اللَّهِ وَمَنْ يَفْعَلْ ذَلِكَ فَأُولَئِكَ هُمُ الْخَاسِرُونَ

“O ju besimtarë, le të mos ju shmangin as pasuria dhe as fëmijët tuaj nga Dhikri i Allahut. Kush bën ashtu, mu ata janë të humbur.[4]

Transmeton Hakimi në Mustedrek nga Hadithi i i Sehl ibn Sa’di-it se Pejgamberi (salAllahu alejhi ve selem) ka thënë: “Më erdhi Xhibrili dhe tha: O Muhamed! Jeto sa të duash, por do të vdesësh, duaje kë të duash, por do të ndahesh prej tij, puno çfar të duash, do të shpërblehesh për të dhe dije se pozita e lartë e besimtarit është namazi tij gjatë natës dhe se krenaria e tij është në panevojshmërin e tij për të tjerët.”

Kur të vdes i biri i Ademit dhe shpërngulet nga kjo botë, nuk i bën dobi as familja dhe as pasuria, përpos nëse familja e tij bëjnë du’a dhe luten që t’i falen gjynahet, apo me diçka për të cilën ka argument në Fenë e Allahut, thotë Allahu:

يَوْمَ لَا يَنْفَعُ مَالٌ وَلَا بَنُونَ إِلَّا مَنْ أَتَى اللَّهَ بِقَلْبٍ سَلِيم

“Atë ditë kur s’të bën dobi as pasuria e as fëmijët, vetëm ai që vjen te Allahu me zemër të shëndoshë (të pastër).”[5]

Poashtu thotë Allahu: وَلَقَدْ جِئْتُمُونَا فُرَادَى كَمَا خَلَقْنَاكُمْ أَوَّلَ مَرَّةٍ وَتَرَكْتُمْ مَا خَوَّلْنَاكُمْ وَرَاءَ ظُهُورِكُمْ

“Por do të na vini një nga një ashtu siç ju kemi krijuar herën e parë, duke i lënë pas shpine të mirat që ju kemi pas dhënë…”[6]

Transmeton Muslimi nga Hadithi i ebu Hurejres (radijAllahu anhu) se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kur vdes njeriu shkëputen veprat e tija, përpos në tre (raste): Përpos në lëmoshë të rrjedhshme, dituri (që ka lënë pas vete) të dobishme dhe fëmij të mirë i cili lutet për të.”[7]

1-      Përcjellësi i tij i parë, familja: Nuk i bëjnë dobi pas vdekjes së tij, përpos nëse ndonjëri prej tyre lutet për të, por ndodh që mos të luten dhe ndonjë i huaj të jetë më i dobishëm për personin e vdekur se vet familjarët e tij, siç ka thënë njëri prej Selefit: “Familja yte e ndajnë pasurinë, ndërsa një i huaj është veçuar anash, i pikëlluar lutet për ty, duke qenë ti në tokë”. Ka familje që janë armiq të vet njeriut, siç thotë Allahu:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِنَّ مِنْ أَزْوَاجِكُمْ وَأَوْلَادِكُمْ عَدُوًّا لَكُمْ فَاحْذَرُوهُمْ

“O besimtarë, s’ka dyshim se edhe prej grave tuaja dhe fëmijëve tuaj keni armiq, prandaj ruajuni prej tyre!”[8]

2-      Përcjellësi i dytë, pasuria, fillimisht nuk e përcjell dhe nuk hyn me të në varr, ndërsa kthimi i tij është metaforë për mospërcjelljen dhe moshyrjen e pasurisë në varr me të. Transmeton Muslimi nga Hadithi i Mutarrif, nga i ati i tij se ka thënë: “Erdha tek i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ve selem) ndërsa ai ishtë duke e lexuar fjalën e Allahut

   أَلْهَاكُمُ التَّكَاثُرُ

“Ju preokupon shumimi (i pasurisë dhe fëmijëve)”[9], tha (Pejgamberi): Thotë i biri i Ademit: Pasuria ime, pasuria ime!!! Tha Pejgamberi: A ke o biri i Ademit diç prej pasurisë tënde veç asaj që e ke ngrënë dhe është harxhuar, apo që e ke veshur dhe vjetëruar, apo që e ke dhënë lëmoshë dhe është deponuar?!”[10]

Njeriu nuk përfiton gjë prej pasurisë së tij, përpos atë që e përgatit për në Ahiret dhe që e jep pë hir të Allahut, ndërsa atë që e han dhe vesh, nuk është (në Ahiret) as për të as kundër tij, përpos nëse ka nijet të mirë.

Ibn Umeri (radijAllahu anhu) jepte prej pasurisë së tij çdo gjë që e mahniste, një ditë prej ditëve ishtë i hipur mbi një deve dhe i pëlqeu shumë, atëherë zbriti prej saj dhe e dha në rrugë të Allahut.

3-      Përcjellësi i tij i tretë është vepra e tij, vepër e cila hyn me të në varr dhe qëndron me të, kur të ringjallet, gjatë Ditës së Gjykimit, mbi Urën e Siratit, te Peshorja dhe sipas veprës i caktohet vendi, në Xhennet, apo Xhehennem, thotë Allahu:

مَنْ عَمِلَ صَالِحًا فَلِنَفْسِهِ وَمَنْ أَسَاءَ فَعَلَيْهَا وَمَا رَبُّكَ بِظَلَّامٍ لِلْعَبِيدِ

“Kush bën mirë, e bën për vete, e nëse bën keq, e bën kundër vetes. Mirëpo, Zoti yt nuk është i padrejtë ndaj njerëzve.”[11] Poashtu thotë Allahu:

مَنْ كَفَرَ فَعَلَيْهِ كُفْرُهُ وَمَنْ عَمِلَ صَالِحًا فَلِأَنْفُسِهِمْ يَمْهَدُونَ

“Kush ka bërë kufër, kufrin e ka kundër vetes, ndërsa kush ka bërë vepra të mira, ka përgatitur vend (Xhennet) për vete.”[12]

Ka thënë njëri prej dijetarëve të Selefit: “Puno për këtë Dynja varësisht prej qëndrimit tënd në të, por puno edhe për Ahiret varësisht prej qëndrimit tënd në të.

Dr. Emin Esh-Shekkavi

Përktheu: Ali Ashani / rizgjimi.com

[1] Punët e mira dhe të këqija që i ka bërë në këtë jetë. Sh.P.

[2] Buhariu (6514) dhe Muslimi (2960).

[3] El-Fet’h:11.

[4] El-Munafikuun:9.

[5] Esh-Shua’ra:88,89.

[6] El-Ena’m:94.

[7] Muslimi (1631).

[8] Et-Tegabun:14.

[9] Et-Tekathur:1.

[10] Muslimi (2958).

[11] Fussilet:46.

[12] Er-Rum:44.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit