1.1 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Laicizmi i pamundshëm – Prof. Rudian Zekthi

Më të lexuarat

Prof. Rudian Zekthi

I.

Fakti që në themel të marrëdhënies së idhujtarëve me Zotin qëndron alarmi se mos mesazhet që vijnë prej Tij janë të tilla që implikojnë në tërësi çdo marrëdhënie të tyre dhe tërë sjelljen e tyre (që siç thamë do t’i detyronte të përfshiheshin në një mirënjohje pa kushte me Krijuesin e tyre), doli në dritë si një fakt akut me Zbritjen e Kuranit, me mospajtimin dhe armiqësinë e paprerë të mushrikëve të Mekës ndaj Fjalës së Allahut.
Pra ata nuk e lanë për asnjë çast përpjekjen e tyre refuzuese ndaj Fjalës së Krijuesit të Shtatë Qiejve e të Shtatë Tokave; ata nuk u lodhën në këtë përpjekje, çka do të thotë se alarmi i tyre ishte i madh dhe motivimi tyre ishte i vetvetishëm – i pasforcuar, siç mund të jetë nxitja që vjen nga brendësia më e thellë e qenies, në këtë rast për idhujtarët siç është mosmirënjohja në brendësinë më të thellë të tyre.

Ne e përmendëm në ligjëratën tonë për idhujtarinë sesi ata u përpoqën ta delegjitimonin Kuranin duke thënë se Ai i shte ose poezi, ose përçartje, ose magji. Në të vërtetë këto tri tipologji ligjërimore si versione dekonstruktuese të Fjalës Së Allahut, përveç çfarë kemi thënë deri më tani, tregojnë edhe diçka tjetër: refuzimin e Kuranit në aspektin e Formës së Tij. Siç kemi thënë tek ligjërata jonë “Leximi me Zë”, fakti që Kurani është drejtpërdrejt Fjala e Krijuesit, sjell si gjykim taksativ që Forma e Kuranit është po aq e rëndësishme sa Përmbajtja e Tij dhe për pasojë muslimanët janë gjynahqarë jo vetëm kur neglizhojnë Kuptimet e Asaj që Thuhet në Kuran, por edhe kur neglizhojnë Formën e Të Thënës Së Kuranit, edhe pse ky neglizhim mund të duket më pak damtor.

Video ligjëratën mbi këtë temë mund ta dëgjoni edhe këtu:

Mund ta vërejmë menjëherë sesi ky neglizhim ( i Formës së Kuranit) ka kosto të padyshimtë në nivelin e kuptimit të përgjithshëm fetar të gjërave. Kështu, siç ishim duke folur, për kundërvënien konstante të mushrikëve ndaj Kuranit, kjo kundërvënie në thelb ka të bëjë me refuzimin prej tyre të një karakteristike themelore të Kuranit: Drejtpërdrejtësia Ligjërimore e Tij, pra jo vetëm Mesazhet por edhe Fjalët e Zotit shpalleshin (pra zbuloheshin për herë të parë – shfaqeshin) në kohë reale duke krijuar efekte imediate edhe në aspektin formal, pra të kapjes në flagrancë nga një ligjërim i pashtershëm fjalish të reja.

Pra Kurani nuk vinte përmes fjalive njerëzore të mediumit – ndërmjetësuesit – profetit (Muhamedit a.s.) (siç është rasti në fakt i Haditheve), por përmes fjalive të reja të Zotit që jepnin efektin tek arabët sikur arabishtja ishte një gjuhë e re duke trazuar pakthim sensin e tyre të gjuhës, shijen gjuhësore që njeriu e merr me qumështin dhe ajrin që në muajt e parë të jetës së tij. Është ky efekt me të cilin mushrikët duhej të bënin paprerë llogari në refuzimin e tyre (sepse në aspektin e përmbajtjes paradoksalisht kishte edhe gjëra me të cilat mund të pajtoheshin por në aspektin e formës nuk kishte asnjë mundësi kompromisi) dhe prandaj , edhe pse nuk e besonin, evokonin si shpjegim të Pashtershmërisë së Fjalive të Reja të Kuranit , poezinë, magjinë dhe marrëzinë.

Ky evokim i përket ekskluzivisht Rrafshit Formal: Drejtpërdrejtësia e Ligjërimit Kuranor, mund të vihej në dyshim, vetëm prej ligjërimesh për të cilët drejtpërdrejtësia – imediatizmi – efekti i menjëhershëm – kapja në flagrancë, ishin karakteristika përfaqësuese. Konkludimi i kësaj kundërshtie të idhujtarëve është i qartë: sipas tyre Zoti nuk mund të flasë drejtpërdrejtë sepse drejtpërdrejtësia është profane, nuk mund të jetë karakteristikë e Ligjërimit Hyjnor.

II.

Në të vërtetë siç edhe është e natyrshme (në fakt e pashmangshme, në njëfarë mënyre e pritnim) konfirmimin e kësaj që sapo thamë e gjejmë në Kuran, që në pasazhet e para e të Sures Bekare:
“Allahu nuk ngurron të japë si shembull mushkonjën ose diçka më të madhe se ajo. Ata që besojnë e dinë që kjo është e vërteta nga Zoti i tyre, kurse ata që nuk besojnë thonë: Çfarë kërkon Allahu të tregojë me këtë shembull? Nëpërmjet tij, Ai shumëkënd e le në humbje e shumëkujt ia ndriçon rrugën e drejtë. Ai le në humbje vetëm gjynahqarët e mëdhenj.” Bekare, ajeti 26.

Sipas Abdullah Ibn Abasit, ky ajet ka zbritur si përgjigje imediate ndaj reagimit të mushrikëve ndaj ajeteve paraprirëse ku Allahu flet për munafikët duke dhënë si shembuj për gjendjen e tyre shembullin e atij që ndez një zjarr që i fiket pothuajse menjëherë, apo shembullin e atyre që udhëtojnë në errësirë dhe shkreptima në vend që t’i ndihmojë për të gjetur rrugën, i çorienton edhe më shumë. Reagimi i mushrikëve ishte se si mundet që Zoti të flasë për gjëra kaq të pavlera atë rëndomta, e Allahu u kthen përgjigje me shembullin e mushkonjës.

Të vihet re: 1. përgjigja e menjëhershme e Fjalës së Allahut, pra ajetet për të cilat mushrikët s’pajtohen janë ajetet 17 – 20 të Sures Bekare, kurse shembulli i mushkonjës është ajeti 26 i të njëjtës sure 2. mushrikët nuk kundërshtojnë kuptimin e këtyre ajeteve (pra që çoroditja dhe pasiguria akute janë karakteristika bazë e hipokritëve), por kundërshtojnë mënyrën sesi Zoti e thotë këtë, e cila mënyrë, pra me shembuj, është ajo vetë shprehje e drejtpërdrejtë e drejtpërdrejtësisë (shembulli gjithmonë nënkupton një thyerje, një dalje prej ligjërimit postulues dhe shrtim të çështjeve në rrafshin konkret të përvojës së publikut, që mundëson manifestimin e të vërtetës drejtpërdrejt, pa ndërmjetësim). 3. pra mushrikët, në të vërtetë, janë duke kundërshtuar Formën e Ligjërimit të Zotit, duke mos pranuar që Ai të flasë me shembuj, e rrjedhimisht duke mos pranuar që e Folura e Tij të jetë e drejtpërdrejtë.
(Por ky ajet na ndihmon edhe për më më: Duke mos pranuar që Zoti të flasë për gjëra të tilla si zjarri apo vetëtima, mushrikët në fakt duan që Zoti të mos flasë për përvojat e zakonshme të njerëzve si banorë të Dunjasë, pran ë njëfarë mënyre duan t’i tregojnë Zotit kufijtë, që ai të flasë vetëm për çështje jomondane dhe mondanitetin ta lerë si fushë ekskluzive të veprimtarisë njerëzore dhe ligjërimit njerëzor.
Siç tashmë e kemi thënë tek “ Laicizimi i mendjes”, kjo ndarje “territoriale” e dijes dhe ligjërimit, është thelbi i laicizmit dhe ky mospajtim i mushrikëve është mjaftueshëm shenjë e aspiratës së tyre më të lartë: laicizimi i shoqërisë, në mënyrë që të nginjet mosmirënjohja si pasioni i pasioneve.

Dhe anasjelltas: ky ajet (2,26) është përgjigje imediate – e drejtpërdrejtë që Allahut nuk mund t’i vihen kufij, as ligjërimit të tij nuk mund t’i vihen kufij, sepse madje jo vetëm ajo që urdhëron por edhe mënyra – forma e saj, janë të dhëna, të panegociueshme, ose lihen , ose merren në tërësi ( “…Nëpërmjet tij, Ai shumëkënd e lë në humbje e shumëkujt ia ndriçon rrugën e drejtë…”), (sikurse vazhdimi iajetit konfirmon që mosbesimi në origjinë është i frymëzuar nga një pasion i pakontrolluar, moskontroll që gjithmonë është gjynah…” Ai le në humbje vetëm gjynahqarët e mëdhenj…”.)
Kështu mjafton ky ajet për kuptuar se Kurani është pamundësuesi i madh (dhe në fakt sidoqëtëjetë) i mjaftueshëm i laicizmit. Duke shpallur shprehimisht të drejtën e Zoti për të folur për gjithçka, Allahu ka bërë të qartë deri në Kijamet, që laicizmi është i pamundshëm, sepse në thelb ai është përçarje e ligjërimit, fakt që maskohet si specializim i ligjërimit.

III.

Pra refuzimi kategorik i laicizmit prej Kuranit, në fakt shtrihet njëkohësisht edhe në rrafshin e përmbajtjes edhe në rrafshin e formës. Sepse kur Zoti thotë: “Allahu nuk ngurron..” është duke folur për qasjen ndaj gjërave (në këtë rast temave të të folurit) dhe po ashtu është duke dëshmuar për vetëkuptueshmërinë e Të Qenës së Të Folurës së Tij, e Drejtpërdrejtë.
Në rrafshin e përmbajtjes: kur Zoti konfirmon se të folurit për mushkonjën është si çdo E Folur e Zotit, Një Shpallje e Të Vërtetës (…” Ata që besojnë e dinë që kjo është e vërtetë nga Zoti i tyre..”), Allahu na mëson që nëse besimtarët e lenë pas dore të folurit për mushkonjën (kupto: për gjërat që duken të pavlera apo të parëndësishme) atëherë mjafton ky neglizhim, që të gjymtohet dhe nënvlerësohet i gjithë ligjërimi për të vërtetën. E thënë ndryshe, nëse Zoti nuk flet për mushkonjën, atëherë herët a vonë do të jenë njerëzit që do të flasin për mushkonjën, dhe sa më shumë të shtojnë njohuritë për mushkonjën, aq më shumë do të flasin ata vetë për të, ndërkohë që pashmangshmërisht aq më pak do të flasin për Zotin. Dhe kjo në fakt ka ndodhur: sot, në shkollën shqiptare që është produkt i Modernes dhe Laicizmit, flitet për mushkonjën duke e konsideruar këtë si dije të rëndësishme shkencore, e nuk flitet për Zotin duke e konsideruar dijen për Të të parëndësishme.

Dhe në rrafshin e formës: kur Zoti thotë:”…Allahu nuk ngurron…” është duke folur për qasjen, pra për mënyrën e vënies në pah të gjërave, që është Mosngurrimi, ndërsa deklarimi i mosngurrimit është shpallje pa ekuivok e faktit, se E Folura e Zotit nuk mund të jetë ndryshe, përveçse e drejtpërdrejtë. Mospajtimi i mushrikëve me Të Folurën e Allahut për Mushkonjën, është laicizim i dyfishtë: edhe të ndajnë të folurën dhe dijen për Ahiretin nga e folura dhe dija për Dunjanë, por edhe ta ndajnë Të folurën e Zotit nga Forma e Saj, duke mospranuar që ajo të jetë e drejtpërdrejtë ( e tillë që hyn në kontakt me këdo prej krijesave pa ndërmjetësim tjetër – përveç ndërmjetësimit material, zë apo shkrim), por si postulim apo protokoll, pra pa kontekst dha pa inspirim.

Kurani është i vetmi ligjërim që jo vetëm e pretendon por edhe e zotëron (përveç Përmbjatjes Hyjnore) edhe Formën Hyjnore; madje që edhe jo vetëm e zotëron por edhe e pretendon Formën Hyjnore. Bibla as nuk e zotëron (dhe në fakt të paktën do të duhej ta pretendonte) dhe as nuk e pretendon se ka formë hyjnore, testi i vërtetësisë së të cilës është Drejtpërdrejtësia. E prandaj edhe laicizmi iu imponua perëndimit sepse e gjeti rrugën të shtruar: duke mos patur formë autentike hyjnore, Bibla në njëfarë mënyre ishte vetëlaicizuar, Modernja vetëm se finalizoi këtë proces laicizimi duke e shtrirë përfundimisht edhe në rrafshin e përmbajtjes.

Mospajtimi i muslimanëve dhe ni botës islame me laicizmin nuk është një e metë por një virtut, në fakt një themel epistemologjik, sepse Kurani i ka dhënë formë mendjes së muslimanëve dhe botës së tyre: edhe se mund të jenë të pavetëdijshëm për këtë, për ta laicizmi ka për të qenë gjithmonë i kundërnatyrshëm, sepse pranimi i laicizmit do të thotë të shtiren sikur Kurani nuk është drejtpërdrejt Fjalë e Allahut.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit