8.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Lidershipi: rëndësia dhe modelet e tij sipas Kuranit fisnik

Më të lexuarat

Historia njerëzore është përplot shembuj dhe modele lidershipi të suksesshëm dhe aso të dështuar dhe kjo vlen jo vetëm për një fushë të caktuar. Regjistrimi i tyre në histori ka ndodhur natyrshëm për shkak të efekteve që kanë pasur në shoqëri. Më saktë, njerëzimi ka përjetuar tmerrin në disa epoka kur protagonistë lidershipi kanë qenë dështakë e mjeranë, sikur që ka përjetuar ditë të lumtura kur liderët kanë qenë njerëz me vlera dhe virtyte.

Kurani fisnik ka regjistruar dy modele lidershipi: i pari, model që thërret për të mirën dhe përfill programin hyjnor, dhe modeli i dytë që thërret për të keqen dhe shpërfill programin hyjnor. Përkitazi me të parin, sa për ilustrim, Kurani na rrëfen: “Ne i bëmë ata udhëheqës që udhëzonin sipas urdhrit Tonë dhe i frymëzuam që të bënin vepra të mira, të kryenin faljet dhe të jepnin zeqatin, dhe ata vetëm Ne na adhuruan.” [El Enbija, 73]; “Ne zgjodhëm  prej tyre prijës, të cilët udhëzonin me urdhrat Tanë, për sa kohë që ishin të  durueshëm dhe besonin bindshëm.” [Es Sexhde, 24]

Ndërsa sa i përket modelit të dytë, atij të dështuar pra, Kurani na rrëfen dhe ne po përmendim këtu tre shembuj vetëm sa për ilustrim: “…Na e kemi dërguar Musanë me argumentet Tona dhe me dokumentet e qarta te Faraoni dhe paria e tij, por paria shkoi pas urdhrit të Faraonit, ndonëse urdhri i Faraonit nuk ishte i drejtë.” [Hud, 97]; “Kjo, sepse ata pasuan atë që shkakton zemërimin e Allahut dhe urryen pëlqimin e Tij e kështu, Ai ua zhvlerësoi atyre veprat.” [Muhammed, 28]; “Ja, ky ishte fisi Ad. Ai i mohonte shenjat e Zotit të tij, nuk i dëgjonte të dërguarit e Tij dhe shkonte pas urdhrit të çdo keqbërësi kokëfortë.” [Hud: 59]

Kështu duken me pak fjalë këto dy lloje lidershipi, detaje të të cilave janë rrahur në Kuranin fisnik. Ajo që konsideroj se ka rëndësi të përmendet këtu është se studimet bashkëkohore, pavarësisht përmbajtjes së mirë që kanë, nuk është se kanë sjellë diçka të re më shumë për lidershipin e suksesshëm se që Kurani fisnik dhe Sunneti i Pejgamberit Muhammed a.s. kanë sjellë. Studimet në fjalë në fokus kanë rëndësinë e mesazhit që bartin liderët dhe i cili i shtyn të lëvizin drejt realizimit të tij, vetëbesimin dhe aftësinë për  të çuar përpara gjërat, personalitetin karizmatik, guximin për të marrë vendime dhe për të sakrifikuar, sinqeritetin, pjekurinë dhe nivelin e lartë të vetëdijes, aftësinë e menaxhimit të suksesshëm, shkathtësitë e komunikimit etj.

Që të mos keqkuptohemi, ne nuk është se nuk e çmojmë kontributin e dhënë në këtë lëmë. Assesi. Ajo që ne duam apriori ka të bëjë me prezantimin e fakteve dhe të vërtetave të mahnitshme kuranore dhe të atyre profetike përkitazi me lidershipin, duke synuar, fillimisht dhe para së gjithash, përvetësimin e Kuranit dhe Synetit si referenca për të projektuar  jetën tonë fetare dhe shoqërore, si dhe për t’u vetëmjaftuar me këto referenca, të cilat, për hir të së vërtetës dhe korrektësisë, nuk ka çështje që trajtohet në botën e lidershipit e që të mos e kenë trajtuar nga një ose aspekt tjetër. Rrjedhimisht, ne besojmë se çdokush që nuk niset nga ky shteg, do t’i ekspozohet lëshimeve dhe gabimeve sa i përket masës (popullit) dhe pasuesve, sepse, askush më mirë se Allahu xh.sh. nuk e di çfarë u duhet dhe u bën dobi më shumë njerëzve. Allahu xh.sh., thotë: “…Vetëm Atij i përkasin krijimi dhe urdhërimi. Qoftë bekuar Allahu, Zoti i botëve!” [El A’rafë, 54]; “A mos kërkojnë ata gjykimin (me ligjin) e (kohës së) injorancës (paganizmit paraislamik)?! E kush është gjykatës më i mirë se Allahu për njerëzit që besojnë bindshëm?” [El Maide, 50]

Nëse e marrim dhe e shfletojmë Librin e Allahut xh.sh., Kuranin fisnik, do të gjejmë se ai përmban instruksione të rëndësishme të cilat meritojnë të shkruhen madje me ngjyrë ari. Ato janë si shenjat në rrugë të cilat aludojnë në rëndësinë qenësore për kthim te referencat islame (Kurani dhe Synet), për të shmangur kështu animin e liderit kah epshet ose përfshirjen e tij nga mangësia njerëzore. Allahu xh.sh., thotë: “Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si përmbushës të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës të tyre. Prandaj gjykoji ata sipas asaj që të ka zbritur Allahu dhe mos ndiq dëshirat e tyre, duke u shmangur kështu nga e Vërteta që të është shpallur. Ne për secilin nga ju kemi sjellë një ligj dhe një rrugë të qartë.

Sikur të donte Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të vetëm, por Ai kërkon që t’ju provojë në atë që ju ka dhënë, andaj bëni gara për punë të mira! Të gjithë do të ktheheni te Allahu e Ai do t’ju lajmërojë për çështjet, rreth të cilave kishit kundërshti. Prandaj gjykoji sipas asaj që të ka shpallur Allahu e mos ndiq dëshirat e tyre të kota! Ki kujdes që ata mos të të nxisin të largohesh nga një pjesë e asaj që të ka shpallur Allahu! Nëse ata të kthejnë kurrizin e nuk dëgjojnë gjykimin tënd, atëherë ta dish se Allahu do vetëm që t’i dënojë për disa gjynahe të tyre. Në të vërtetë, shumë njerëz janë të pabindur.” [El Maide, 48-49] Lideri i suksesshëm sipas Kuranit është ai që thërret për të vërtetën dhe udhëzon njerëzit për të, duke ua sqaruar dhe shpjeguar atë, sepse, tek kjo është dhe pjesë e detyrave dhe obligimeve të tij. Allahu xh.sh., thotë: “Ne i bëmë ata udhëheqës që udhëzonin sipas urdhrit Tonë dhe i frymëzuam që të bënin vepra të mira, të kryenin faljet dhe të jepnin zeqatin dhe ata vetëm Ne na adhuruan.” [El Enbija, 73]

…lideri model është ai që starton dhe lëviz, jo nga dashuria për t’u shfaqur dhe për t’u reklamuar, por nga përgjegjësia dhe detyrimet që rëndojnë mbi supet e tij.

Pra, lideri model është ai që starton dhe lëviz, jo nga dashuria për t’u shfaqur dhe për t’u  reklamuar, por nga përgjegjësia dhe detyrimet që rëndojnë mbi supet e tij. Kushdo që shfleton biografitë e pejgamberëve a.s. dhe të persona- liteteve të dalluara, do të gjejë këtë kod udhëheqjeje të mishëruar në veprimet dhe sjelljet e tyre. lideri, sipas perceptimit kuranor dhe pejgamberik, u nënshtrohet kon- trollit dhe mbikëqyrjes hyjnore dhe shoqërore. Allahu xh.sh., thotë: “Ndalni ata, se do të pyeten.” [Saffat, 24]

Këtë e gjejmë të shprehur qartë dhe tekstualisht edhe në hadithin e saktë të përcjellë nga sahabiu i nderuar, Abdullah b. Umeri r.a.: “Të gjithë ju jeni kujdestarë dhe të gjithë do të merreni në pyetje për atë që ju është lënë nën përgjegjësi: sundimtari është kujdestar dhe do të pyetet për popullin; kryefamiljari është kujdestar dhe do të pyetet për familjen; e zonja e shtëpisë është kujdestare në shtëpinë e burrit dhe do të pyetet për familjen; shërbëtori është kujdestar dhe do të pyetet për pasurinë e zotërisë së tij dhe për ata që i ka nën kujdestari.” (Vazhdon Abdullah b. Umeri r.a) Të gjitha këto i kam dëgjuar nga Pejgamberi a.s., dhe kujtoj se e kam dëgjuar edhe duke thënë: “I biri është përgjegjës për pasurinë e të atit dhe për atë që ka nën përgjegjësi.

Kështu, ju të gjithë jeni kujdestarë dhe të gjithë do të jepni llogari për ata që ju janë lënë në përgjegjësi.”¹ Ndjenja e përgjegjësisë së liderit karshi shoqërisë mbikëqyret nga dy forca, të cilat kanë pushtet shpirtëror dhe fizik mbi liderin:
Pushteti i Kuranit, i cili e orienton liderin drejt vendimeve të mëdha dhe të rëndësishme pa u ndikuar aspak nga cytjet e epshit dhe interesat personale, dhe Pushteti i urdhërimit për të mirë dhe kundër së keqes, i cili është instrument në dorën e shoqërisë, që aktivizohet me rastin e lajthitjes së liderit nga e vërteta. Fakti se është pushtet shoqëror nuk nënkupton ekzekutimin e tij në formë të brishtë dhe të shthurur. Ekziston Këshilli i Lartë, i cili e ushtron kët pushtet dhe i cili ka të drejtën madje edhe të përdorimit të forcës në mënyrë që liderin ta kthejë nën pushtetin e Kuranit dhe urdhërimit për të mirë dhe kundër së keqes.
Në hadithin e sahabiut të nderuar, Temim Dariut, qëndron se Pejgamberi a.s., ka thënë: “Feja është nasihat², feja është nasihat, feja është nasihat!! Për kë, o i Dërguari i Allahut? –e pyetën. Tha: Për Allahun, Librin e Tij, të Dërguarin e Tij, prijësit dhe masat e myslimanëve.”³

Kurani fisnik na ka ofruar she- mbullin e një lideri të suksesshëm dhe dinamik, të fortë dhe të aftë për t’u ballafaquar me problemet dhe sfidat e çdo fushe dhe sfere. Është ky mbreti Talut, modeli i nevojshëm për lidership deri në Ditën e Kiametit. Ishte  përzgjedhur nga Allahu xh.sh., që t’i udhëhiqte izraelitët, pikërisht për shkak të cilësive dhe tipareve që dispononte, e të cilat janë ato që aq fort po i diskutojmë e dëshirojmë për liderët e kohës sonë. Allahu xh.sh., na rrëfen për të e thotë: “Profeti i tyre u tha: ‘Allahu ka dërguar Talutin si mbretin tuaj.’ Ata thanë: ‘Si mund të bëhet ai mbreti ynë, kur ne kemi më tepër merita se ai për të sunduar?! Përveç kësaj, ai nuk ka ndonjë pasuri të madhe.’ Ai u përgjigj: ‘Allahu e ka zgjedhur atë për mbretin tuaj dhe e ka pajisur me dijeni të gjerë dhe me fuqi trupore. Allahu ia jep pushtetin e Vet kujt të dojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithë-dijshëm.’.” [El Bekare, 247]

Për ne shpirtërorja ka rëndësi të madhe por rruga për të arritur atje i bie kah materialja. Ose, më ndryshe, për ta fituar Xhenetin, na duhet të kalojmë në testin e dynjasë. Ndryshe, do të dështojmë në të dyja botët.

Modeli i liderit kuranor duhet të jetë personalitet me dituri dhe me përvojë, të jetë në rrjedhë me ngjarjet dhe të dijë se si ta trajtojë aktualitetin dhe të aplikojë vendimet dhe urdhëresat. Izraelitët protestuan përzgjedhjen e Talutit me pretekstin se nuk ishte i pasur. Përgjigjja hyjnore ua bëri me dije se sekreti i përzgjedhjes së tij qëndronte në diturinë dhe fuqinë fizike dhe se ai nuk kishte të bënte me statusin financiar, siç ata e mendonin. Me dije të mirëfilltë lideri mund t’u qaset sfidave dhe problemeve të jetës dhe t’i gjejë mënyrat përkatëse të trajtimit të tyre. Me fuqi fizike mund të udhëheqë në arenën e mposhtje dhe kundërshtarëve dhe kresh- nikëve. Natyrisht, sot, kjo formë e ballafaqimit nuk ekziston, kështu që rimodelohet duke ngelur fuqia fizike si strumbullar.

Më saktë, mund të kërkohet nga ushtria që zhvillimit fizik të ushtarëve t’i kushtohet vëmendje e veçantë, t’u mësohen artet marciale, të përgatiten intelektualisht për t’u ballafaquar me të tjerët dhe për të diskutuar për problemet aktuale veçmas ato që kanë të bëjnë me sigurinë dhe politikën, etj. Pra janë dy armë që i duhen një lideri të fuqishëm: dituria dhe fuqia fizike. Nga injoranti dhe i dobëti nuk mund të priten ndryshime dhe reforma dhe ne nuk duam t’i shohim të tillët të marrin timonin e institucioneve tona fetare, politike apo çfarëdo qofshin.

Gjatë shfletimit të literaturës, kam gjetur fjalë të mëdha dhe shumë kuptimplote të Sejjid Kutbit, të thëna me rastin e shpjegimit të ajetit të lartcituar (El Bekare, 247), Kutbi thotë: “Pejgamberi i tyre ua zbuloi përparësinë dhe meritat e Talutit, sikur që u foli edhe për urtësinë pse Allahu xh.sh. e kishte zgjedhur lider të tyre, e tha: “Allahu e ka zgjedhur atë për mbretin tuaj dhe e ka pajisur me dijeni të gjerë dhe me fuqi trupore. Allahu ia jep pushtetin e Vet kujt të dojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.” Ai është përzgjedhur nga Allahu, dhe kjo është arsyeja e parë. E dyta: I ka dhënë dituri dhe fuqi fizike…Allahu i jep pushtet kujt të dojë sepse i tërë pushteti i takon Atij dhe Ai kë të dojë nga robërit e përzgjedh. “Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm” në kuptim të asaj se mirësia e Tij është me bollëk, ndërsa shpërblimeve të Tij askush nuk mund t’u vërë limit. Ai e di të mirën dhe di si t’i vendosë gjërat në vendet e tyre…”⁴

Lideri i suksesshëm sipas Kuranit e ndërton shtetin e tij mbi bazën e konsultimit, bashkëpjesëmarrjes, transparencës, të qenit i hapur dhe i drejtë me Këshillin e Lartë Shtetëror dhe me ekspertët e fushave përkatëse, në mënyrë që të jetësojë objektiven hyjnore dhe programin pejgamberik të themelimit të një shteti të dëshiruar dhe një institucioni shkencor të suksesshëm.

Ja çfarë na mëson Kurani: “Për ata që i përgjigjen thirrjes së Zotit të tyre, e falin namazin rregullisht dhe këshillohen për punët e veta me njëri-tjetrin; për ata që ndajnë lëmoshë prej asaj që u kemi dhënë Ne.” [Esh Shura, 38]; “Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Prandaj falua atyre gabimin, kërkoi falje Allahut për ata dhe këshillohu me ata për çështje të ndryshme. Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.” [Al Imran, 159]

Koncepti kuranor për liderin kuranor nuk nënkupton fokusimin në një aspekt në dëm të aspektit tjetër. Më qartë, nuk përkushtohet vetëm për zhvillimin e aspektit fizik, siç hasim p.sh., në qytetërimit e vjetra e të reja të Perëndimit, ku anës shpirtërore dhe vlerave morale i kushtohet fare pak rëndësi për të mos thënë hiç. Jo. Lideri kuranor duhet të bëjë balancimin ndërmjet materiales dhe shpirtërores, ose më saktë, atë që mund ta quajmë kombinim trediagonalësh: mendjen, shpirtin dhe trupin. Kështu, me një vizion të këtillë të kompletuar, ne mund të kemi liderin që dëshirojmë. Qytetërimet e mëhershme na kanë ofruar prova se ndarja e këtyre tre elementeve rezulton me një model monstruoz të liderit.

Ndarja e këtyre tre elementeve shkakton një çrregullim dhe prishje të balancit duke i sjellë këto tri elemente (mendjen, shpirtin, trupin) nga një harmoni e përkryer në një përballje të ashpër me njëra-tjetrën, dhe jo rrallë shpirti, që i është mohuar e drejta e lidhjes me Allahun, di të hakmerret. Shikoni fenomenin e vetëvrasjes në shoqëritë perëndimore (dhe të tjerat që ndjekin kursin e tyre) dhe binduni për këtë që po themi. Kurani, duke na folur për modelin e liderit të suksesshëm, na e ofron shembullin e Muhammedit a.s. në lidershipin e të cilit këto tri elemente kanë qenë të koordinuara dhe në përputhshmëri të përsosur me njëra- tjetrën. Ja si na e përsh-kruan Kurani këtë model: “Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” [Et Teube, 128]

Pejgamberi a.s., ka qenë kureshtar që:
• të ruajë mendjet nga çfarëdo elementi që mohon besimin,
• të ruajë trupin nga tejngopja, dobësimi, përtacia dhe plogështia, dhe
• të ruajë shpirtin dhe ta shtyjë drejt mbështetjes në Allahun xh.sh., në pajtimin me caktimin e Tij, ta falënderojë e madhërojë, ta do e të favorizojë nga çdokujt dhe çdo gjëje⁵.

Lidershipi i suksesshëm sipas Kuranit fisnik nuk bën dallim ndërmjet shpirtërores dhe materiales, personales dhe publikes, teorikes dhe praktikes. Të gjitha këto punë që kryen besimtari, pavarësisht pozitës që ka a postit që mban, klasifikohen si pjesë e kësaj feje dhe asaj që parasheh ajo, kuptohet me dy kushte paraprake: që të jenë thjesht për Allahun, dhe, që të jenë në përputhje me fenë e Tij, ose pikën referuese të kësaj feje (Kur’anin dhe Sunnetin).

Nëse liderit ndjek këtë kurs në veprimtarinë e tij, çfarëdo qoftë ajo, atëherë sukseset nuk do të mungojnë. Për ne shpirtërorja ka rëndësi të madhe por rruga për të arritur atje i bie kah materialja. Ose, më ndryshe, për ta fituar Xhenetin, na duhet të kalojmë në testin e dynjasë. Ndryshe, do të dështojmë në të dyja botët. Rrjedhimisht, nuk lejohet të bëjmë ndarje ndërmjet fesë  dhe dynjasë (shpirtërores dhe materiales) sepse Allahu na ka dhënë mundësi të artë që, duke qenë në këtë dynja, të fitojmë kënaqësinë e Tij. Kjo pra ndodh duke qenë i përkushtuar me tërë qenien për Allahun, duke synuar të vërtetën dhe duke iu mbajtur rendit fetar.

Lideri i suksesshëm marshon me krenari në sheshe bamirësie dhe me bindje ndaj Allahut xh.sh. Ai është shembull praktik i lëvizjes, programit dhe synimit që Allahu xh.sh., dëshiron prej tij t’i realizojë në tokë, për t’i bërë vend së mirës dhe për ta përcjellë atë tek të tjerët. Allahu xh.sh., thotë: “Ne i bëmë ata udhëheqës që udhëzonin sipas urdhrit Tonë dhe i frymëzuam që të bënin vepra të mira, të kryenin faljet dhe të jepnin zeqatin, dhe ata vetëm Ne na adhuruan.” [El Enbija, 73]

_________________________________

Autor: Prof. Dr. Hajredin Hoxha
Përktheu: Dr. Sedat Islami

DITURIA ISLAME

1. Hadithin e shënojnë Buhariu (2558) dhe Muslimi (1829).
2. Në tekst preferuam ta përdorim në origjinal fjalën nasihat, ndryshe, si shprehje, nasihati nënkupton sjelljen korrekte, të sinqertë, të çiltër, pa mashtrime. Pra, nuk përkthehet këshillë, siç e gjejmë rëndom. Edhe pse mund të interpretohet edhe me këtë kuptim ndaj liderit dhe popullatës masive.
3. Hadithin e shënojnë Ebu Davudi (4944), Ibn Hibbani në Sahih (4575), Sahih et-Tergib (1776), Musnedi i Imam Ahmedit (16945). Shuajb Arnauti thotë se hadithi përmbush kriteret e saktësisë të kushtëzuara nga Buhariu dhe Muslimi.
4. Sejid Kutb, Fi dhilal el-Kur’an, 1/267.
5. Për më shumë rreth sëmundjeve të zemrës dhe trajtimit të tyre përkatës ua rekomandoj autorët e njohur dhe ekspertët e mëdhenj të kësaj fushe, si: Imam Gazaliun dhe veprën e tij kolosale Ihjau Ulumi ed-Din; Ibn Tejmijen dhe veprat e tij, veçmas shpjegimet e ofruara në përmbledhjen e fetvave; Ibn Kajjimin, nxënësin e Ibn Tejmijes dhe veprën e tij madhështore Medarixhu essalikinë bejne ijjake na’budu ve ijjake neste’in.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit