1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Hakerët vazhdojnë t’ia ‘zbrazin’ llogaritë bankare bizneseve në Kosovë

Më të lexuarat

Qytetarët dhe bizneset e Kosovës vazhdojnë të sfidohen nga hakerët, të cilët po arrijnë t’ia ‘zbrazin’ llogaritë bankare sidomos bizneseve.

Mashtruesit gjejnë mënyra të ndryshme për të vjedhur para nga kartat bankare çdo ditë, ku kriminelët kibernetikë janë në hapë përpara organeve të ndjekjes dhe hetuesisë.

Ata po gjejnë mënyra të ndryshme për t’i anashkaluar  zbulimet edhe për kundër identifikimit e arrestimit të tyre, kryesit e krimeve kompjuterike nuk po ndalen.

Hakerët kanë arritur që një fabrike e cila është hapur këto ditë t‘ia vjedhin mbi 33 mijë euro, raporton Gazeta Sinjali.

Kjo vjedhje ka ndodhur pas harkimit të emailit të zyrtarit të saj dhe më pas është vërtetuar se  shuma në fjalë ishte vjedhur nga një llogari bankare fantome në Turqi.

E për rastin  janë njoftuar edhe organet e ndjekjes dhe hetuesisë së Kosovës dhe Turqisë, të cilat po merren me zbulimin e rastit.

Nga ana tjetër nga Policia e Kosovës tregojnë për Gazetën Sinjali se hapësira kibernetike vazhdon të jetë ambient i përshtatshëm për keqbërësit për kryerjen e veprave të ndryshme penale duke përdorur mjete dhe programe kompjuterike të sofistikuara.

“Qëllimi apo motivi kryesor i keqbërësve mbetet përfitimi material, por ka edhe motive tjera thjesht për të treguar se mund të ndërhyjnë në një sistem kompjuterik, hakmarrje etj. Vërehet se qytetarët që bien viktima të keqbërësve në internet nuk kanë njohuri të mjaftueshme për rreziqet gjatë përdorimit të internetit”, thonë nga Policia për Gazetën Sinjali.

Policia e Kosovës njofton se sivjet kanë trajtuar rreth 70 raste të keqpërdorimit të kartelave bankare.

Sipas tyre mashtrimet e bizneseve përmes internetit tek këto raste, keqbërësit fillimisht arrijnë të kenë qasje në kompjuterin e biznesit (pronarit apo ndonjë kompjuter që posedon të dhëna për transaksionet financiare), monitorojnë dhe njihen me aktivitetet, pastaj në momentin kur fillon të realizohet transaksioni i të hollave ata ndërhyjnë duke ndryshuar të dhënat e xhirollogarisë bankare. Në këtë mënyrë paratë përfundojnë në një bankë tjetër dhe nga aty bëhet tërheqja e tyre nga keqbërësit.

Policia përmend edhe peshkimin e të dhënave ose Phishing tek këto raste, keqbërësit, duke shfrytëzuar viruse kompjuterike krijojnë linqe të ndryshme dhe të njëjtit i dërgojnë tek viktimat, pastaj posa të klikohet ky link viktimës i kërkohet që të ofroj të dhënat personale të rrjeteve sociale, të dhënat personale bankare, të dhënat e e-mail adresës etj., e gjithë kjo me qëllim të vjedhjes së të dhënave personale dhe më pas keqpërdorimi i tyre për qëllime të ndryshme si: shantazh, ngacmim, vjedhja e identitetit dhe shfrytëzimi për qëllime të ndryshme, pagesa online, etj.

Po ashtu përmendet klonimi i kartelave bankare tek këto raste, të dhënat personale bankare të vjedhura në forma të ndryshme (faqe të rrejshme, përmes pajisjeve “skimming”, etj.) shfrytëzohen për të klonuar kartela bankare dhe pastaj përdoren për blerje dhe pagesa të ndryshme.

Përveç hetimit të rasteve, me qëllim që të minimizojmë kërcënimet e lartcekura dhe qytetarët të mos bien viktimë e tyre, Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë përdorimit të internetit.

Policia jep disa rekomandime të cilat ndihmojnë në mbrojtjen prej kërcënimeve nga interneti. Kërkohet nga bizneset e qytetarët që të verifikojnë me kujdes e-mail-at që pranoni dhe mos iu përgjigjuni e-mail-ave të dyshimtë. Mos klikoni në linqe të dyshimta dhe mos hapni dokumente të dyshimta. Bizneset të shtojnë kujdesin gjatë komunikimit dhe transaksioneve financiare përmes internetit. Verifikoni xhirollogaritë bankare dhe të dhënat tjera të partnerit biznesor dhe binduni se transaksioni financiar është duke u bërë në adresën e duhur.
Kujdes të shtuar gjatë blerjeve online. Verifikoni ueb-faqet që ofrojnë produkte online (a kanë të dhëna kontaktuese – persona kontaktues, e-mail adresë, telefon, adresë fizike, a ka përdorues, vlerësimet dhe komentet e blerësve etj.). Kujdes të shtuar gjatë dhënies së donacioneve online, verifikoni disa herë nëse iniciativa është ligjore dhe legjitime dhe se kush qëndron prapa tyre. Shmangni lojërat shpërblyese në internet apo “ndihmën duke klikuar” ndaj ndonjë miku për të fituar ndonjë shpërblim në lojëra në internet. Kujdes maksimal kur jepni të dhëna personale dhe bankare në internet.

Në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, tregojnë se gjatë këtij viti ishin 70 ankesa për mashtrime online, ku janë zgjidhur 66 sosh.

Derisa për mashtrime të shërbimeve financiare ndaj BQK-se ishin 13 ankesa, ku 7 që janë të zgjidhura dhe 5 janë të pazgjidhura./sinjali/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit