-4.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

1. Parimi i realitetit – Rudian Zekthi

Më të lexuarat

Një mënyrë për ta kuptuar me themel Metodën  Profetike, në fakt për të vendosur një rend të qartë dhe të sigurtë në begatinë e jashtëzakonshme të ndodhive që transmetohen mbi jetën e tij (pra për të mos  lejuar që kjo pasuri e jashtëzakonshme njohurish për Muhamedin a.s., të humbasë strukturën e saj dhe të fragmentarizohet – interpretohet veçmas), është të kuptojmë se pasi shpalli përherë të parë para popullit të vet amanetin e Zotit si Profet (pas tre vjetëve në fshehtësi), Ai nuk u tërhoq asnjëherë nga ballafaqimi publik me shoqërinë e vet për të vërtetën e Zotit. Dhe kjo është e vetëkuptueshme: si mund të tërhiqesh apo negociosh pasi  e ke shpallur hakun e Zotit tek njerëzit? Çdo tërheqje apo negociim pas shpalljes do të ishte kompromentim në mos dështim i mbajtjes së këtij amaneti.

Ndaj teza e këtyre pak rreshtave mbështetet tek një strukturim në tre pjesë i Shpalljes Profetike: 1.tre vjetët e para të davetit individual apo jopublik; 2. vitet mekase të shpalljes publike të davetit (nga moment i daljes tek Kodra Safa deri tek Hixhreti); 3. vitet medinase, (nga Karta e Medines e deri tek letrat dërguar njerëzve më të fuqishëm të kohës dhe çlirimi i Mekës). Pas këtij strukturimi të parë, nuk mundet të mos vërejmë mundësinë për një strukturim të dytë (i cili edhe më tepër rrit kthjelltësinë e të kuptuarit të Metodës Profetike): periudha e dytë megjithëse është mekase, është e ngjashme me periudhën e tretë, atë medinase dhe jo me periudhën e parë mekase. Aq më tepër i rëndësishëm bëhet ky konstatim nëse kemi parasysh ngjashmërinë thelbësore të dy periudhave mekase, pra faktin e të qenit të Profetit a.s. dhe muslimanëve edhe pakicë, edhe nën përndjekjen e pushtetit, krejt në dallim nga periudha medinase kur muslimanët ishin shumicë dhe bartës së pushtetit.

Me logjikë laboratori do të duhej pra që metodologjikisht periudha e dytë të ngjante me të parën dhe jo me të tretën, por për fat të mirë Metoda Profetike nuk është një metodë për në laborator, por për jetën e gjallë, kushtëzuar nga parimi i realitetit. Që na mëson atë që deklaruam që në fillim: pasi Shpallja bëhet publike dhe i drejtohet gjithë shoqërisë, nuk ka më rëndësi se cili është statusi social dhe politik i shpallësit, është  pakicë apo shumicë, është i fortë apo i dobët: ai, apo ata, do të duhet me vendosmëri t’i shërbejnë kësaj shpallje deri sa të kenë fuqi (çdo tërheqje është në thelb dorëheqje; çdo dëmtim është në thelb frymëzim).

Dhe kjo nuk bëhet duke e mjegulluar dhe mpirë ligjërimin me premisën se ky ligjërim ka prioritetet e veta,  një  premisë e gabuar sikur për asgjë tjetër, sepse një mendësi e tillë të fut në spirale: në bazë të cilës dije, cilit autoritet, cilit kriter do të përcaktohet hierarkia e prioriteteve?. Në fakt kritika më e thjeshtë që mund t’i bëhet kësaj premise metodologjike, është aktivizimi i një shprehie praktikisht të pashmangshme: sapo që përcaktohen së paku dy prioritete, në përpjekje për t’i

përmbushur  prej secilit prej tyre po ashtu sëpaku pikojnë dy prioritete të tjera dhe kështu bëhen katër (e po të jenë në origjinë tre apo katër apo pesë),  pashmangshmërisht do të duhet të mbahet rregull mes një morie prioritetesh të derivuara, të paqëndrueshme dhe konfonduese, shpërqendruese dhe shkurajuese. Po kjo kritikë në thelb është teknike, pra që do të thotë se megjithë këto efekte anësore problematike, do të ishte e detyrueshme të ndiqej nëse në origjinë do të ishte e saktë dhe adekuate. Mirëpo problemi kryesor është tjetër: të ashtuquajturat prioritete, ose janë të vetëkuptueshme, pra perceptohen me të parën praktikisht nga të gjithë (p.sh. kur bie shi përbën prioritet të kesh çadër, këpucë që nuk futin ujë, çati që nuk gjerbon, shpejtësi të limituar të makinës, por njohuria për këto prioritete është e vetëkuptueshme, nuk ka nevojë për konsultë, konsensus apo vendim paraprak), ose në të kundërt janë fiksion – një shpikje e kotë me efektivitet të patestueshëm. Sepse çfarëdo takëmi me prioritete do të ishte i besueshëm vetëm në kushtet e një utopie: njohje paraprake e Gajbit,  sepse vetëm nga lartësia e një njohurie të sigurtë për të ardhmen mund të jesh i sigurtë se përcaktove rendin e duhur të prioriteteve.

Dhe pra kur prioritetet  nuk janë të vetëkuptueshme, mbetet vetëm një alternativë: ta refuzosh të preokupohesh rreth tyre dhe të përqendrohesh vetëm tek një synim, si rregull tek çështja kryesore, e cila po ashtu si rregull është e vetëkuptueshme. Duke i fokusuar të gjithë energjinë dhe qartësinë tek kjo çështje, nuk është më e nevojshme të njohësh Gajbin, por e kundërta: pikërisht ngaqë çfarëdo dije për Gajbin është e pambërritshme, mbetet e vetmja rrugë që të ruhet në mendje dhe zemër qartësia e një marrëdhënie të patrazuar me çështjen kryesore, dhe të qëndrosh përballë kohës tënde dhe realitetit mondan në të cilin të ka vendosur Allahu, në gatishmëri të interceptosh sesi situatat vazhdimisht të reja që të ofron realiteti interferojnë tek çështja kryesore, duke qenë i përgatitur që të nxjerrësh nga ky interferim më të mirën në dobi të çështjes bazë. Që përsa i përket një muslimani që e ndjen si amanet Hakun e Zotit, nuk mund të jetë tjetër përveçse të synojë që ky Hak të shndërrohet në çështje të të gjithë shoqërisë, në çështje të mendësisë, kulturës, institucioneve, zakoneve, sjelljeve e kështu me radhë.

Pra do të na duhet herët a vonë të përballemi me këtë çështje: ta zëvendësojmë fiksacionin e proioriteteve me parimin e realitetit. Vetëm kështu do të përqendrohemi tek çështja kryesore duke e përdorur realitetin si përshpejtues dhe fuqizues të kësaj çështjeje. E kundërta dihet, ka pamjen e gabimit të derimëtashëm: kushtëzimi apriori prej në rendi prioritetesh (rend që për nga natyra e tij ka prirjen të automatizohet, të bëhet i vetëmjaftueshëm dhe të ushqejë vetveten)  i devijon dhe shpërdoron përpjekjet e bëra, e bllokon kontaktin me çështjen kryesore dhe dashjepadashje të çon t’i kthesh shpinën botës dhe shoqërisë duke jetuar në një realitet paralel, si pasojë e shkëputjes  nga parimi i realitetit.

Rudian Zekthi

Seria e të gjitha parimeve:

1. Parimi i realitetit – Rudian Zekthi

Parimi i improvizimit – Rudian Zekthi

Parimi i autoktonisë – Rudian Zekthi

Parimi i Brishtësisë – Prof. Rudian Zekthi

Rudian Zekthi – Parimi i intensitetit

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit