6.4 C
Pristina
Tuesday, March 19, 2024

Vuçiq subjekt i një analize të New York Times – Putin po e shfrytëzon presidentin serb për të shkaktuar trazira në Kosovë e rajon

Më të lexuarat

Lidhjet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me Moskën ngritën pikëpyetje pasi Kremlini duket se po nxit trazira në Ballkan për të larguar vëmendjen nga lufta në Ukrainë, shkruan New York Times, duke shtuar se Vuçiq është lodhur duke u quajtur “Putini i vogël”, siç e akuzojnë disa, se gjoja synon të kryejë agresion kundër fqinjëve në Ballkan.

Si fillim, sipas New York Times, Vuçiq ka thënë me ironi në bibliotekën e pallatit presidencial se “Unë jam gati dy metra i gjatë”, duke aluduar në krahasimin e gjatësisë me presidentin rus, Vladimir Putin.

Kjo frikë u ndezë pas vendimit të Kosovës për të zbatuar marrëveshjen për targat midis Serbisë dhe Kosovës, e cila shkaktoi protesta, bllokime rrugësh dhe të shtëna me armë zjarri – duke ndezur kambanat e alarmit në aleancën e NATO-s, shkruan gazeta.

“Trazirat në Kosovë dhe tensionet në Bosnjë dhe Hercegovinën të shkaktuara nga Milorad Dodik, lideri i mbështetur nga Moska, dhe nacionalistët kroatë të vijës së ashpër kanë dërguar një paralajmërim se Rusia po përpiqet të nxisë tensionet, në heshtje, luftërat e viteve 1990”, thuhet në tekst.

Siç shkruan New York Times, mediat ruse të lajmeve dhe llogaritë e mediave sociale kanë publikuar prej muajsh raporte nxitëse për serbët në Kosovë dhe Bosnje se po u shkelën të drejtat elementare. Raportimet, të cilat përsërisin kryesisht propagandën ruse për vuajtjet e rusëve etnikë që jetojnë në Ukrainë, kanë trimëruar nacionalistët serbë të linjës së ashpër, pro-Moskës, shtoi gazeta.

Slavisha Ristiq, ish-kryetari i Zubin Potokut, një qytet në veri të Kosovës që është pothuajse tërësisht i populluar nga serbët etnikë, tha se kurrë nuk do të vendos vullnetarisht targat e Kosovës në veturë sepse kjo do të nënkuptonte njohjen e pavarësisë së Kosovës, diçka që është pothuajse e sigurt për të gjithë serbët, përfshirë edhe presidentin, Vuçiq.

Borko Stefanoviq, nënkryetar i Partisë opozitare për Liri dhe Drejtësi, i cili kryeson komisionin për punët e jashtme të Parlamentit serb, tha se çështja e targave është “aq e vogël sa është absolutisht qesharake”. “Por”, shtoi ai, “këtu në Ballkan, gjëra të tilla simbolike kanë një rëndësi të madhe”.

Një anëtar i lartë i partisë së Vuçiqit, Vladimir Gjukanoviq, kishte deklaruar se “Vuçiqi do të detyrohet të fillojë denazifikimin e Ballkanit”, që është një jehonë ogurzi e qëllimit të deklaruar të Rusisë në Ukrainë dhe Beogradit për një “Serbi të Madhe”, shkruan gazeta.

New York Times kujton se si Putini ka përmendur vazhdimisht ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në mbështetje të ndaljes së vrasjeve në Kosovë nga Serbia në vitin 1999 si një justifikim për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, për të cilin ai pretendon se është për të mbrojtur rusët etnikë në Donetsk dhe Luhansk.

Shumica e vendeve perëndimore e njohin Kosovën si shtet të pavarur, ndryshe nga Serbia, Rusia, Kina dhe pesë vende evropiane.

Vuçiq tha se ai nuk kishte asnjë lidhje me protestat e fundit për targat në veri të Kosovës, duke thënë se serbët etnikë atje ishin “100 për qind të lodhur”, veçanërisht me refuzimin e qeverisë së Kosovës për të zbatuar pjesët kryesore të marrëveshjes së 2013-s.

Lufta në Ukrainë, sipas Vuçiqit, e ka lënë vendin mes varësisë nga Rusia për energji dhe mbështetje diplomatike mbi Kosovën dhe kërkesave nga fuqitë perëndimore që të bashkojnë përpjekjet për të ndëshkuar Moskën për pushtimin e saj në Ukrainë.

“Çdo ditë kam presion prej tyre për të vendosur sanksione ndaj Rusisë”, tha Vuçiq. Kjo, shtoi ai, nuk do të ndodhë, të paktën jo derisa aplikimi 13-vjeçar i ngecur i Serbisë për t’u bashkuar me bllokun evropian të përshpejtohet. Më shumë se 80 për qind e serbëve kundërshtojnë sanksionet kundër Rusisë, sipas një sondazhit të fundit të opinionit publik, thekson New York Times.

Refuzimi i Serbisë për të zbatuar sanksionet u ka dhënë arsye që ta shohin Vuçiqin si një kukull ruse.

Duke vënë në dukje se Serbia “mbetet i vetmi vend në Evropë që refuzon të sanksionojë Rusinë”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e quajti Vuçiqin “Putini i vogël i Serbisë” në muajin prill. “Paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor nuk kanë qenë kurrë më të kërcënuara”, tha ai.

Vuçiq i hodhi poshtë akuzat e Kurtit. “Kurti dëshiron të jetë ‘Zelensky i vogël’ duke luftuar kundër ‘Putinit të vogël’,” tha Vuçiq, duke iu referuar presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit