E falënderojmë Allahun, i Cili nuk nxiton në dënimin tonë, por na jep kohë të përmirësohemi. Paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi atë që u dërgua si mëshirë për botët, mësuesin e durimit, Muhamedin.
Të nderuar vëllezër!
Jetojmë në një kohë ku gjithçka lëviz me shpejtësinë e dritës. Duam gjithçka tani, në këtë sekondë. Kemi krijuar një iluzion sikur lumturia dhe suksesi janë çështje klikimesh. Por, dëgjoni një të vërtetë të madhe: Në të njëjtën dhomë ku hyn nxitimi, durimi ikën nga dritarja.
Nxitimi dhe durimi nuk bëhen kurrë bashkë. Ata janë si drita dhe errësira. Kur nxiton, ti nuk po ecën më shpejt drejt qëllimit; ti thjesht po vrapon i verbër. Nxitimi është fëmija i egos që kërkon kënaqësi të çastit, ndërsa durimi është fryti i një shpirti që beson në caktimin e Zotit.
Vdekja e vullnetit
Çfarë ndodh kur nxitimi merr timonin e jetës sonë?
Përmes nxitimit, vullnetet dhe ambiciet tona vdesin pa arritur ende te qëllimi.
- Sa projekte të mira keni nisur në jetë dhe i keni lënë përgjysmë vetëm sepse rezultati nuk erdhi brenda natës?
- Sa marrëdhënie keni shkatërruar sepse nuk patët durim të dëgjonit deri në fund?
Nxitimi është si ai zjarri i kashtës: ndizet me një flakë të madhe, të verbon për një sekondë, dhe pastaj fiket duke lënë pas vetëm hiri.
Nxitimi na bën t’i dorëzohemi dëshpërimit. Kur nxiton, ti fillon e thua:
”Pse nuk po më pranohet lutja?”,
“Pse nuk po arrij aty ku dua?”,
“Pse po vonohet rrizku im?”.
Dhe pikërisht aty, në atë moment dyshimi, vullneti yt vdes. Ti dorëzohesh para se të mbërrish te vija e finishit. Ti e vret ambicien tënde me duart e tua, sepse harrove që çdo gjë e çmuar në këtë botë kërkon kohë të piqet.
Kaskada e shpirtit dhe shembulli i profetëve
Por shikoni anën tjetër të medaljes. Me durim, arrihen të gjitha qëllimet.
Durimi nuk është pasivitet. Durimi nuk do të thotë të rrish ulur e të presësh që gjërat të rregullohen vetë. Jo! Durimi është lëvizje nën kontroll. Durimi është të bësh punën tënde me dinjitet, duke e ditur se fryti do të vijë atëherë kur ta ketë caktuar Ai që di gjithçka.
Dhe kush janë mësuesit tanë në këtë rrugë?
Allahu i Madhëruar na drejtohet në Kuran me fjalët që dridhin çdo zemër që ka humbur shpresën:
“Prandaj, ti bëj durim, ashtu siç kanë duruar të dërguarit e vendosur (të patundur) dhe mos kërko nxitimin e dënimit për ta!” (Ahkaf, 35)
Mendoni për Ulul Azm, pejgamberët e vendosmërisë së lartë:
- Mendoni për Nuhun a.s., që thirri popullin e tij për 950 vite me radhë! Pa u lodhur, pa u dorëzuar, pa nxitur rezultatin.
- Mendoni për Ibrahimin a.s., që e hodhën në zjarr e megjithatë shpirti i tij ishte i qetë sepse kishte durim dhe besim absolut.
- Mendoni për Musain a.s. para detit të hapur, me faraonin prapa kurrizit. Kur të gjithë rreth tij nxituan të thonë: “Na zunë, u morëm fund!”, durimi i tij bërtiti: “Kurrë! Me mua është Zoti im dhe Ai do të më udhëzojë!”
- Dhe mendoni për Muhamedin, që u përqesh, u përgjak, u dëbua, por nuk nxitoi kurrë me mallkim, bur bëri durim derisa drita e Islamit hyri në çdo shtëpi.
Nëse këta burra të mëdhenj, njerëzit më të dashur të Zotit, u desh të kalonin nëpër filtrin e durimit për të arritur qëllimet e tyre, kush jemi ne që kërkojmë rrugë të shkurtra?
Të dashur vëllezër!
Kur të dilni sot nga kjo xhami, do të përballeni përsëri me një botë që ju shtyn të nxitoni. Do të përballeni me sprova në familje, në punë, në shëndet dhe në shoqëri.
Sa herë që ndjeni se po ju humb kontrolli, sa herë që egoja ju thotë “dorëzohu se u vonua”, kujtojeni këtë ajet. Thojini vetes: Unë jam besimtar, dhe besimtari nuk nxiton, sepse e di që premtimi i Allahut është i vërtetë.
O Allah! Na bëj prej atyre që bëjnë durim si Profetët e Tu të vendosur.
O Zot, largo nga zemrat tona nxitimin që na shkatërron punët dhe na shto durimin që na afron tek Ti. Na jep vullnet që nuk dorëzohet dhe na mundëso t’i arrijmë qëllimet tona të mira në këtë botë dhe në Ahiret.
Amin, dhe falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!
