Kjo ka ndodhur përmes trekëndëshit të pushtetit Trump, Ellison dhe Netanyahu
Debati mbi ndikimin e Izraelit në median amerikane është rikthyer me forcë, sidomos pas luftës në Gaza dhe tensioneve të vazhdueshme me Iranin.
Për shumë analistë, çështja nuk lidhet vetëm me politikën e jashtme amerikane, por edhe me përqendrimin e pushtetit ekonomik, politik dhe mediatik në duart e një numri të vogël individësh që kanë aftësinë të ndikojnë në formësimin e opinionit publik.
Në qendër të këtij diskutimi është Larry Ellison, themeluesi i Oracle dhe një nga njerëzit më të pasur në botë. Përveç rolit të tij në industrinë e teknologjisë, Ellison ka marrëdhënie të ngushta si me presidentin amerikan Donald Trump ashtu edhe me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Në të njëjtën kohë, familja e tij po shndërrohet në një nga aktorët më të rëndësishëm në peizazhin mediatik amerikan, me investime në televizione, studio filmike, platforma transmetimi dhe media dixhitale.
Kjo ka nxitur shqetësime se ndikimi ekonomik mund të shndërrohet edhe në ndikim politik dhe editorial. Këto zhvillime kanë bërë që shumë komentues të flasin për krijimin e një ”trekëndëshi pushteti” mes Trump, Netanyahu dhe Ellison.
Marrëdhënia mes Ellison dhe Netanyahut, daton prej vitesh dhe shkon përtej kontakteve të zakonshme mes biznesit dhe politikës.
Emri i Ellison është përmendur edhe gjatë hetimeve për korrupsion ndaj Netanyahut, ndërsa raportime të ndryshme kanë folur për lidhje të ngushta personale dhe profesionale mes tyre. Kjo afërsi ka ushqyer diskutimet mbi ndikimin që mund të kenë marrëdhëniet private në vendimmarrjen politike dhe ekonomike.
Paralelisht, Ellison është afruar politikisht me Donald Trump, duke u shndërruar në një nga mbështetësit më të rëndësishëm të tij. Kjo përkon me afrimin e politikës amerikane ndaj pozicioneve të qeverisë izraelite.
Gjatë mandatit të parë, Trump njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, zhvendosi ambasadën amerikane dhe njohu sovranitetin izraelit mbi Lartësitë e Golanit.
Në mandatin e dytë, kjo linjë politike jo vetëm që vazhdoi, por u zgjerua, duke forcuar më tej bashkëpunimin strategjik mes Uashingtonit dhe Tel Avivit.
Zhvillimet e muajve të fundit, tregojnë se SHBA-ja dhe Izraeli vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë, veçanërisht në raport me Iranin dhe aleatët e tij rajonalë. Edhe kur kanë mospajtime taktike, bashkëpunimi strategjik mbetet i fortë.
Kjo afërsi ka ndikuar edhe në mënyrën se si paraqiten konfliktet në Lindjen e Mesme në një pjesë të mediave amerikane. Lufta në Gaza ka rindezur debatet mbi mbulimin mediatik të konfliktit.
Gazetarë, akademikë dhe analistë kanë argumentuar se një pjesë e mediave kryesore paraqet në mënyrë më të favorshme qëndrimet izraelite, ndërsa u kushton më pak hapësirë pasojave humanitare dhe viktimave palestineze.
Nga ana tjetër, drejtues të mediave kanë mbrojtur punën e tyre, duke theksuar se raportimi bazohet në standarde profesionale dhe verifikim të informacionit. Megjithatë, diskutimi mbi balancën editoriale mbetet i hapur.
Dhe debati nuk kufizohet vetëm te Izraeli. Ai ngre një pyetje më të gjerë mbi përqendrimin e pronësisë mediatike. Kur televizione, studio filmike, platforma dixhitale dhe kompani të inteligjencës artificiale kontrollohen nga një grup i vogël miliarderësh, lind pyetja se deri në çfarë mase interesat ekonomike dhe politike mund të ndikojnë në përzgjedhjen e lajmeve dhe në ndërtimin e axhendës publike.
Rasti i familjes Ellison konsiderohet domethënës. Investimet e saj në sektorin mediatik kanë ngritur shqetësime edhe brenda redaksive, ku disa gazetarë kanë shprehur frikën se pavarësia editoriale mund të vihet nën presion.
Kritikët argumentojnë se nuk kemi të bëjmë vetëm me një investim biznesi, por me krijimin e një rrjeti ku pushteti politik, teknologjik dhe mediatik ndërthuren rreth interesave të përbashkëta gjeopolitike.
Sipas këtij këndvështrimi, pyetja nuk është nëse Izraeli “kontrollon” median amerikane, por nëse është krijuar një rrjet biznesmenësh, investitorësh, lobistësh, donatorësh dhe pronarësh mediash që ushtron ndikim disproporcional në mënyrën se si trajtohen çështjet që lidhen me Izraelin dhe Lindjen e Mesme.
Ndikimi i Ellison mbështetet edhe në fuqinë ekonomike të Oracle. Kompania është një nga liderët botërorë në softuerët e bazave të të dhënave dhe shërbimet icloud, me kontrata shumë miliardëshe me qeverinë amerikane, Departamentin e Mbrojtjes dhe agjencitë e inteligjencës.
Zhvillimi i inteligjencës artificiale ka rritur më tej vlerën e kompanisë dhe pasurinë personale të Ellison, duke e bërë atë një nga figurat më të fuqishme në industrinë teknologjike. \tesheshi.com\
