12 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Të larguarit

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Të larguarit

Kur i gjalli merr ndonjë sinjal se i është afruar momenti i ndarjes, e kupton atë si një përkujtim për të bërë ndonjë punë të hajrit dhe për tu kërkuar hallallëk të tjerëve.
Ky sinjal, e motivon dhe e nxit të shkruajë testamentin, në të cilin lë porositë e tij të fundit, detyrimet, dimensionet morale për njerëzit e dashur, këshilla për të qenë të  bashkuar, respektim të detyrimeve ndaj Zotit, ndonjë Haxh, kurban etj… Zoti e ka përligjur kontributin me 1/3 e pasurisë, jo më shumë, në çastet e vdekjes.
Është gjë e bukur që besimtari të ketë opinion dhe pritshmëri pozitive për Zotin gjatë jetës së tij, gjë e cila do ia lehtësojë të ketë të njëjtin opinion dhe pritshmëri edhe në çastin e largimit nga kjo botë, në çaste frike e paniku, në çaste ankthi për të ardhmen dhe frike nga e shkuara, por edhe në çaste pikëllimi për të tashmen.
“Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar.” (Fussilet, 30)
Ikrime ka thënë:”Mos u frikësoni nga ajo që u pret, mos u pikëlloni për gjynahet tuaja dhe mos kini merak për fëmijët tuaj!” D.m.th në çastet e vdekjes. Prandaj dhe porosia profetike ishte e tillë:”Askush të mos vdesë veçse duke menduar mirë për Zotin.” (Muslim)
Vajtimi dhe shqyerja e rrobave nuk janë të ligjshme, madje nuk është se tregojnë ndonjë respekt dhe mirënjohje për të vdekurin, sigurisht që s’kanë të bëjnë as me islamin. Porosia e Zotit në Kuran është:”Mos u pikëllo!” (Teube, 40) kurse porosia profetike është:”Duro duke shpresuar rahmetin e Zotit!” (Buhari dhe Muslim)
Vetë fshikullimi, vajtimi dhe shqyerja e rrobave, është pasqyrim i gjendjes së pikëllimit dhe është freskim i dhimbjes. Ndërkohë që logjika e shëndoshë kërkon që dhimbja të kapërcehet, të sillet në kujtesë diçka motivuese për një jetë plot shpresë dhe optimizëm, si në rangun individual ashtu dhe në atë kolektiv.
Në fakt, të vdekurit e vërtetë, janë ata që janë gjallë dhe që nuk i japin kuptim jetës, ata që nuk e kanë njohur kurrë ëmbëlsinë e besimit tek Zoti dhe ndjesinë e të qenit pranë Tij. “A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?!” (En’am, 122)
Mos duhet ti harrojmë familjarët dhe miqtë tanë, tashmë të larguar nga kjo botë?
Sigurisht që jo, s’kemi përse të përpiqemi ti harrojmë, madje duhet ti kujtojmë momentet e bukura që kemi ndarë me ta dhe ti vlerësojmë pozitivisht. “Meqë këtë e vlerësuat pozitivisht, e meritoi xhenetin.” (Buhari dhe Muslim)
Veç kësaj, u dhurojmë herë pas here vepra të mira, të cilat i bëjnë prezentë në mesin tonë, japim për ta sadaka, ndërtojmë xhami, ndihmojmë jetimë, hapim puse etj…
Në sallonin e shtëpisë, vendosim një kuti për mbledhjen e fondeve për bamirësi dhe Zoti do japë  bereqet, një vakf në emrin e tyre sado i vogël të jetë, një emër që ua lëmë pasardhësve, një librari, një pemë e mbjellë. Më kujtohet që në fshatin ku kam lindur dhe jam rritur, palmat i emërtonim me emrat e familjarëve tashmë jetëndërruar. Edhe pse kishin vdekur, emrat e tyre mbaheshin nga palmat dhe pemët e ndryshme.
I vizitojmë në varreza dhe meditojmë rreth faktit se ata e dinë që i po i vizitojmë, thjesht nuk kanë mundësi të na përgjigjen.
I shohim në ëndrrat tona dhe gëzohemi sikur ti kishim parë të zgjuar. Ne jemi shumë pranë tyre.
Lotët nuk janë të dëmshëm dhe Zoti nuk na kritikon dhe ndëshkon për lotët e syve, as për pikëllimin e zemrës. Dhimbjet lehtësohen me lotët që rrjedhin. 90% e të pyeturve kanë pohuar se ndihen më mirë pas lotëve.
Por loti mund të përkthehet edhe në një poemë. Dikush, më pa në ëndërr pas vdekjes së tim biri Abdurrahmanit, me një pikë loti në sy, e cila më pas u shndërrua në një poemë.
Vargjet e elegjisë, janë vargjet më të sinqerta, ashtu siç janë vargjet e dashurisë.
Dikur, kam vajtur tek një mik, i cili kishte humbur pesë fëmijët bashkë me nënën e tyre në një zjarr që kishte rënë në banesën e tyre. Dikush tjetër kishte humbur tre fëmijët në një aksident me makinë.
Befasia është më e dhimbshme se humbja. “Durimi është në goditjen e parë.” (Buhari dhe Muslim) “Kush mundohet të durojë, Zoti do e pajisë me durim.” (Buhari dhe Muslim)
Me kalimin e ditëve, dhimbja të pajis me forcë dhe qëndrueshmëri, saqë fillon e thua: Tashmë e provova ç’është dhimbja, përse të kem frikë?
Në raste të tilla, menjëherë të vjen në mendje një pyetje: Përse unë nga gjithë kjo mori njerëzish?
Është një ndjesi e mbushur me egoizëm, edhe në rast pikëllimi dhe hidhërimi! E kush është ai që nuk është sprovuar me fatkeqësi?
Maksain Shenal u përball me një fatkeqësi të rëndë, kur e bija humbi aftësinë për tu kujdesur për veten në një aksident të rëndë. Fatit të keq të së bijës, iu shtua dhe ndjenja e fajit për shkak se mendonte se nuk ishte kujdesur sa duhet për të. Duke e kuptuar më thellë këtë përvojë të hidhur, ajo shkroi librin e saj:”Fatkeqësitë të bëjnë të fortë”.
Në libër, ajo ofron disa ushtrime praktike dhe parime bazë të cilat ndihmojnë në kapërcimin me sukses të qorrsokakut plot kthesa e tatëpjeta të humbjes së diçkaje të shtrenjtë. Libri ka plot histori të personave që kanë kaluar vështirësi të shumta në jetë.
Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit