Në 14 korrik, presidenti francez synon t’i japë festës kombëtare një dimension europian, duke sijalizuar ambicien për një mbrojtje të përbashkët të BE-së.
Në Francë, festa kombëtare e ardhshme e 14 korrikut do të jetë ndryshe nga zakonisht për të paktën dy arsye. Do të përkujtohen dhjetë vjet nga sulmi terrorist në Nisë, ku u vranë 86 persona. Për më tepër, ky do të jetë 14 korriku i fundit i epokës Macron, dhe presidenti dëshiron të shfrytëzojë rastin për të organizuar një paradë të paprecedentë.
Pjesërisht për t’i bërë hije Vladimir Putinit, i cili më 9 maj u detyrua të zhvillonte një ceremoni të reduktuar në Sheshin e Kuq për arsye sigurie; dhe pjesërisht për të impresionuar sërish Donald Trumpin, i cili në vitin 2017 ishte i ftuar në Paris, mbeti i mahnitur nga skenografia dhe që prej atëherë është përpjekur më kot ta kopjojë atë në Uashington.
Por mbi të gjitha, Emmanuel Macron shpreson t’i japë paradës në Champs-Élysées një dimension evropian, duke ftuar liderët e “Koalicionit të të Vullnetshmëve” të formuar për mbështetjen e Ukrainës, ku bëjnë pjesë edhe vende jashtë BE-së si Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia dhe Kanadaja.
Ndoshta nuk do të jetë ende “Parada e Shteteve të Evropës”, por diçka që i afrohet asaj, të paktën në frymë. Në fakt, Macron duket i vendosur të festojë ushtrinë evropiane përpara se ajo të marrë formë.
Shumë gjëra do të varen nga përgjigjja e partnerëve, duke pasur parasysh mosbesimin e përhershëm që shenjat e madhështisë franceze ngjallin te fqinjët, si për shembull në Itali.
Franca do të ketë domosdoshmërisht një rol të veçantë në ushtrinë e ardhshme evropiane, nëse ajo do të krijohet ndonjëherë, sepse është i vetmi vend i Bashkimit Evropian që zotëron armë bërthamore – një temë që fatkeqësisht është rikthyer në aktualitet.
Më 2 mars në Bretanjë, presidenti Macron u shtriu dorën partnerëve edhe për këtë çështje, duke përditësuar doktrinën bërthamore franceze dhe duke theksuar dimensionin e saj europian.
Nga paradat – ndoshta të organizuara me radhë në kryeqytetet e kontinentit – deri te një strategji e re e frenimit bërthamor, evropianët tashmë janë të thirrur të zgjedhin: rivalitetet e vjetra apo një bashkëpunim të ri në mbrojtje të demokracisë.\tesheshi.com
