4.7 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

E urrej, por nuk i frikësohem – Selman Aude

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

E urrej, por nuk i frikësohem – Selman Aude

Profeti Muhamed a.s thotë:”Kush e pëlqen takimin me Zotin, edhe Zoti do e pëlqejë takimin me të, e kush e urren takimin me Zotin, edhe Zoti do e urrejë takimin me të.”
Aishe, kur e dëgjoi këtë thënie e pyeti:”O profet i Zotit! Po urrejtja që kemi për vdekjen? Të gjithë ne e urrejmë vdekjen!”
Profeti a.s iu përgjigj:”Nuk është ashtu o Aishe. Kur besimtari përgëzohet me rahmetin e Zotit, kënaqësinë dhe xhenetin e Tij, e pëlqen takimin me Zotin dhe vetë Zoti e pëlqen takimin me të. Sakaq, jobesimtari, të  cilit i jepet lajmi i ndëshkimit, e urren takimin me Zotin dhe vetë Zoti e urren takimin me të.” (Muslim)
Babilonasit besonin në mundësinë e përgatitjes së eliksirit kimik të jetës, të cilin nëse e merr njeriu, mund të jetojë në përjetësi.
Por, Zoti dhe krijuesi i njeriut thotë:”Para teje, Ne nuk e kemi bërë asnjë të pavdekshëm. Nëse ti vdes, a do të mbesin ata të përjetshëm?! Çdo njeri do ta shijojë vdekjen!” (Enbija, 34-35)
“Sigurisht që ti (o Muhamed) do të vdesësh një ditë e, sigurisht që edhe ata do të vdesin.” (Zumer, 30)
Nga natyra e tij, njeriu pëlqen që gjërat të mbeten ashtu siç janë, gjë e cila bie ndesh me ligjet hyjnore në tokë, ashtu siç bie ndesh edhe me interesat e njeriut si individ por dhe si komunitet. Është familjarizimi ai që e pengon njeriun të shohë dobinë dhe përfitimet pas ndryshimit.
Ajo që e shtyn njeriun të kërkojë, hulumtojë dhe ti rezistojë vdekjes, është perceptimi i tij i gabuar se me vdekjen përfundon gjithçka. Sigurisht, ky është një perceptim tepër i kufizuar, pasi shkatërron të gjithë nostalgjinë infinitive dhe njerëzore, e cila synon përjetësinë.
Frika nga vdekja, është vdekje para kohe
Frikën nga vdekja, e hasim mes të rinjve më shumë se në çdo grupmoshë tjetër dhe kjo për disa arsye:
1 – Mungesa e ndërgjegjësimit të drejtë lidhur me konceptin i cili i jep kuptim si jetës dhe vdekjes në mënyrë pozitive dhe të pranueshme.
2 – Shpërbërja e familjes, gjë e cila e braktis njeriun krejt të vetëm para ngjarjeve të jetës, pa mbështetjen dhe ndihmën e askujt.
3 – Nuk u ofrohet fëmijëve një imazh i vërtetë rreth vdekjes. Kështu, ata krijojnë një imazh të deformuar dhe të frikshëm, i cili ndikon negativisht në jetën e tyre.
Frika e moderuar nga vdekja, e motivon njeriun të jetë i bindur ndaj Zotit, si dhe e shtyn për më shumë punë të mira dhe iniciativa pozitive.
Dikush, më shkroi një ditë:
“Mendimi për vdekjen nuk më shqitet për asnjë çast nga mendja, teksa jam ulur për të ngrënë, teksa shtrihem, në gjumë, në punë …
Ndjej se po mbytem në çdo rast dhe ndodhi të re. Kam frikë nga vdekja ime, apo nga vdekja e njerëzve të dashur…”
Kjo është një patologji, e cila njihet me emrin “Ankth neurotik”
Një bashkëshorte, gjatë muajit të mjaltit, teksa sheh pasionin dhe dhënien e të shoqit pas saj, thotë:”Ky është pasioni që i paraprin ndarjes!”
Një i ri ndjen neveri dhe urrejtje për çdo arritje, profesion apo dëfrim.
Ai përjeton gjatë gjithë kohës ndjesinë e fajit.
Kjo mund të ketë ardhur për shkak të një ngjarje të beftë, një mësim i shpërfytyruar që nga fëmijëria, depresion, ose i është dhënë një informacion i pasaktë rreth konceptit të vdekjes.
Përgjithësisht, në këshillat dhe predikimet fetare, vdekja merr një konotacion frikësues dhe ndëshkues, flitet me detaje për dhimbjet e tmerrshme të saj, gjë të cilën e kritikon Ibnul Kajjim duke thënë:
“Predikimet e të dërguarit të Zotit a.s, fokusoheshin tek çështjet e besimit tek Zoti, engjëjt e Tij, të dërguarit, takimi me Zotin, xheneti dhe zjarri, shpërblimi që ka përgatitur për njerëzit e mirë dhe ndëshkimi që i pret njerëzit e ligj. Kjo ua mbushte zemrat besimtarëve me besim, njohje dhe afrim me Zotin. Ato nuk kishin asgjë të përbashkët me ato predikime që dëgjojmë të cilat fokusohen tek ca tema të përbashkëta me krijesat, vajtimi i kësaj jete dhe frikësimi prej vdekjes. Diçka e tillë nuk e mbush zemrën me besim dhe afërsi tek Zoti, as nuk e shton dijen rreth Zotit. Ato nuk janë motivuese për dashurinë dhe mallin për ditën e takimit me Zotin. Dëgjuesit e predikimeve të tilla, siç hyjnë dalin, pa përfituar diçka të dobishme, përveç faktit që vdesin, u ndahen pasuritë dhe ia dekompozon dheu trupat. Kush më thotë, çfarë besimi është ky? Si u shtua dija rreth Zotit dhe si u përforcua njësimi i Tij? Cila është ajo gjë e dobishme që përfituan njerëzit nga këto predikime?” (Zadul Mead)
E vërteta është se besimi (imani) ka ndikim të fuqishëm në qetësimin e ndërgjegjes, zbukurimin e jetës, zgjerimin e vizionit, përmirësimin e pritshmërive dhe durimin ndaj vështirësive dhe sfidave.
Disa, të flasin për vdekjen dhe sikur të ftojnë për tu distancuar nga jeta dhe për të jetuar me ndjesinë e vdekjes dhe shuarjes. Ndërkohë, Kurani u thërret fuqishëm:”Thuaj:“Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?” Thuaj: “Ato janë për besimtarë (dhe të tjerët) në këtë botë, ndërsa në botën tjetër do të jenë vetëm për besimtarët. Kështu ua shpjegojmë shpalljet njerëzve që dinë.” (Araf, 32)
Le të vdesim në paqe!
Puna, besimi dhe shërbimi ndaj të tjerëve, janë një pjesë nga udhëzimet që ofrohen në librin e mrekullueshëm me titull:”Qetësia shpirtërore, është në jetën me ëmbëlsinë dhe hidhësirën e saj.”
 
Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit