20.8 C
Pristina
Wednesday, May 8, 2024

Ta bësh leximin argëtues për fëmijën

Më të lexuarat

Ta bësh leximin argëtues për fëmijën

Të lexuarit bashkë me prindin ka një ndikim të veçantë tek fëmijët. Specialistët janë të një mendimi në sugjerimin se prindërit duhet të lexojnë së bashku me fëmijët. Kjo lidhje ka një efekt pozitiv në qëndrimin e fëmijës ndaj të lexuarit si dhe në aftësinë e tij për të lexuar. Disa mënyra sesi ta bëni të lexuarin një përvojë pozitive për fëmijën janë:
 
Zgjidhni librin nëpërmjet metodës ‘pesë gishtat’. Fillimisht zgjidhni një libër të caktuar dhe thojini fëmijës ta hapi librin në një faqe çfarëdo dhe ta lexojë. Gjatë leximit, për çdo fjalë të vështirë që nuk e njeh duhet të ngrejë një gisht. Nëse fëmija ngre pesë gishtat, para se të përfundoj leximin e asaj faqeje, atëherë ky libër mund të jetë i vështirë për të. Nëse gjatë leximit nuk ngre asnjë gisht, libri është i lehtë dhe mund ta ndihmojë atë të lexojë rrjedhshëm. Nëse gjatë leximit ngre 2 ose 3 gishta, libri mund të konsiderohet i një niveli mesatar që mund ta ndihmojë fëmijën të përmirësojë të lexuarit.
 
Ofrojini mënyra të ndryshme për të kuptuar një fjalë të panjohur. Kur fëmija has një fjalë të panjohur në lexim, pyeteni se ç’fjalë alternative mund të kishte kuptim në këtë pjesë të historisë. Po ashtu nxiteni të gjejë kuptimin e fjalës edhe nëpërmjet ilustrimeve me figura që ka në libër.
 
Mbështesni dhe inkurajoni. Gjatë leximit këmbëngulni që fëmija ta gjej vetë kuptimin e fjalës, por nëse e shihni që fëmija ka vështirësi në të kuptuar dhe po frustrohet, atëherë është momenti që ju t’ia shpjegoni kuptimin e asaj fjale.
 
Bëhuni model. Edhe kur lexoni një libër për veten tuaj, mundohuni të lexoni në sy të fëmijës dhe pasi të keni mbaruar ndajeni kënaqësinë e asaj që lexuat me fëmijën, sigurisht do të tregoni aq sa fëmija mund të kuptojë.
 
Jepini prioritet të lexuarit. Krijoni një kohë periodike për të lexuarit, ndoshta çdo natë nga 10 minuta para se fëmija të flejë, ose çdo fundjavë një orar të caktuar, kjo i nxit fëmijët që ta bëjnë të lexuarit pjesë të përhershme të programit të tyre.  
 
Krijimi i atmosferës së duhur për të lexuar. Është e rëndësishme që koha dhe vendi i të lexuarit të zgjidhen me vëmendje. Mund ta ftoni fëmijën të lexojë ndërkohë që është i qetë dhe nuk ka ndonjë angazhim tjetër në dorë, qoftë edhe sikur të jetë duke luajtur, pasi në të kundërt interesi i tij për t’iu ndjekur do të jetë i ulët. Po ashtu vendi i leximit duhet të jetë i qetë, pasi çdo zhurmë mund të jetë shpërqendruese për fëmijën. 
Lexoni në mënyrë argëtuese. Në mënyrë që fëmija ta pëlqejë të lexuarin, është, duke e bërë atë sa më argëtues. Një mënyrë është të shndërruarit të leximit në një shfaqje teatrale spontane, duke ndryshuar tonin e leximit, duke interpretuar kafshët e ndryshme apo karakteret që gjenden në tregimin përkatës. Në këtë mënyrë fëmija shkarkon tensionin dhe fillon ta mendojë të lexuarin si diçka argëtuese. 
 
Lexoni me zë të lartë. Për fëmijët që akoma nuk kanë arritur një nivel të mjaftueshëm leximi, mund të jeni ju ata që lexoni për to me zë të lartë. Ndërkohë që ju i lexoni fëmija mund të shijojë librin dhe të pasurojë fjalorin duke mësuar fjalë të reja. Duke lexuar me zë të lartë ju keni edhe mundësinë të përshtatni intonacionin sipas përmbajtjes së tregimit në formë aktrimi.
 
 
Përgatiti: Suada Hajredinaj

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit