Në mjedisin e konflikteve bashkëkohore, telefoni celular nuk është më thjesht një mjet komunikimi, por është bërë pjesë e gjurmës digjitale të individit. Të dhënat që prodhojnë pajisjet personale dhe aktivitetet e përditshme në hapësirën digjitale, kur kombinohen me burime të tjera dhe analizohen me teknologjitë e inteligjencës artificiale, mund të përbëjnë pjesë të një tabloje më të gjerë inteligjence, e cila u mundëson institucioneve të sigurisë të kuptojnë modelet e sjelljes, lidhjet dhe marrëdhëniet ndërmjet individëve.
Rrezikshmëria e mjedisit digjital qëndron në faktin se të dhënat personale nuk janë më të izoluara dhe as me ndikim të kufizuar. Ato mund të ndërlidhen dhe të analizohen brenda sistemeve të avancuara, të afta për të përpunuar sasi të mëdha informacioni dhe për të nxjerrë tregues që mund të përdoren në proceset e vlerësimit inteligjent dhe në përcaktimin e prioriteteve operative. Për këtë arsye, telefonat celularë dhe hapësira digjitale janë shndërruar në një nga fushëbetejat e padukshme të konflikteve moderne, ku informacioni personal është bërë një element me ndikim në ndërtimin e vlerësimeve të sigurisë.
Natyra e luftërave bashkëkohore dëshmon se goditja e objektivave nuk mbështetet më vetëm në fuqinë e drejtpërdrejtë ushtarake, por gjithnjë e më shumë në epërsinë në mbledhjen, përpunimin dhe analizimin e informacionit. Për këtë arsye, ndërgjegjësimi për gjurmën digjitale të individit është bërë një pjesë thelbësore e kuptimit të transformimeve të reja në veprimtarinë inteligjente, pasi të dhënat personale përbëjnë sot një nga burimet më të rëndësishme që ushqejnë sistemet e analizës dhe të vendimmarrjes në mjediset e konfliktit.
