Përkthim dhe koment: Ahmed ez-Zenati
Ky libër i hijshëm (Shërimi përmes librave: përkthim dhe koment nga Ahmed ez-Zenati) flet për shërimin nëpërmjet leximit. Përkthyesi i tij është kujdesur të përzgjedhë libra që përmbajnë përvoja klinike dhe dëshmi të gjalla nga realiteti, me qëllim që të hedhin dritë mbi mekanizmin e përdorimit të librave dhe të leximit për të mjekuar shpirtrat dhe për t’i shëruar ata nga dhimbjet.
Është një libër shërues, por me penë dhe shkrim; është një bisedë e shpirtit me dhembjet, për t’i lehtësuar ato ose për t’i shëruar plotësisht. Ky libër më kujtoi një tregim që e ka rrëfyer dijetari i madh Ibn el-Kajjim për mësuesin e tij, Shejh el-Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) një tregim që përshkon historinë për të arritur deri te ne. Ai tha:
“Më tregoi mësuesi ynë duke thënë:
Më zuri një sëmundje, dhe mjeku më tha: ‘Leximi yt dhe të folurit për dijen e shtojnë sëmundjen.’
I thashë: ‘Nuk mund të përmbahem nga kjo, dhe po të gjykoj sipas dijes sate: a nuk është e vërtetë se kur shpirti gëzohet, lumturohet dhe forcohet, natyra forcohet dhe e zmbraps sëmundjen?’
Tha: ‘Po.’
I thashë: ‘Shpirti im gëzohet me dijen, dhe me të forcohet natyra, prandaj ndiej lehtësim.’
Tha: ‘Kjo është jashtë fushës së mjekimit tonë’ – ose siç tha.”
(Rauḍat el-Muḥibbīn, f. 109)
Me të vërtetë, dijetari Ibn Hazm ka thënë të vërtetën kur e quajti veprën e tij: “Shërimi i shpirtrave”.
- Leximi është mbretëria e Parajsës tokësore; edhe nëse është vetëm një rrezatim.
- Leximi është qiriri i jetës që nuk shuhet.
- Leximi është shpallja e shpirtit në trupin e njeriut.
— Talal el-Xhabiri
