Hyrje
Në cilësinë tonë si Akademia Kombëtare e Inteligjencës, në raportin tonë të botuar në gusht të vitit 2025 mbi Luftën Dymbëdhjetëditore, paraqitëm një analizë të këtij konflikti të shkurtër nga disa këndvështrime. Megjithëse zgjati vetëm pak ditë, ai prodhoi pasoja të rëndësishme strategjike dhe politike. Atëherë theksuam se lufta nuk kishte arritur objektivat e saj strategjikë, veçanërisht nga perspektiva e Izraelit, si pala që e nisi konfliktin. Gjithashtu, arritëm në përfundimin se gjendja e krijuar mund të çonte në një fazë të re përballjeje, pra në vazhdimin e luftës. Po ashtu, vlerësuam se konflikti kishte potencialin të zgjerohej në një luftë rajonale, duke shkaktuar pasoja të shumta ndërkombëtare, veçanërisht në lidhje me Ngushticën e Hormuzit.
Duke u mbështetur në këtë vlerësim, e pamë të domosdoshme ta analizojmë konfliktin aktual nga disa këndvështrime. Lufta, e cila filloi më 28 shkurt, ku në njërën anë qëndrojnë Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, ndërsa në anën tjetër Irani, vazhdon tashmë prej dyzet ditësh, pa u arritur ende një marrëveshje për armëpushim të përhershëm. Edhe pse kjo luftë përbën vazhdimësinë e Luftës Dymbëdhjetëditore, pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e Shteteve të Bashkuara ka nxjerrë në pah zhvillime të reja dhe ka ofruar një panoramë më të qartë mbi drejtimet e luftës bashkëkohore.
Konflikti ka evidentuar ndryshime të rëndësishme në një sërë fushash, si: doktrina ushtarake, teknologjitë moderne, operacionet e inteligjencës, siguria energjetike, mbrojtja e infrastrukturës kritike, qëndrueshmëria shoqërore dhe strategjitë e komunikimit. Po ashtu, ai ka prodhuar përvoja të reja në fushën e teknologjive të mbrojtjes dhe sigurisë, në proceset e negociatave diplomatike, si dhe në parashikimin e së ardhmes së arkitekturës politike dhe të sigurisë në rajon.
Në këtë raport kemi analizuar teknologjitë ushtarake që u shfaqën gjatë kësaj periudhe dyzetditore, sfidat që ato paraqesin për doktrinat ushtarake tradicionale, ndikimet politike dhe gjeopolitike të konfliktit, si dhe rezultatet e mundshme të tij. Në përfundim, kemi nxjerrë mësimet kryesore dhe vlerësimet strategjike që konsiderojmë të dobishme për vendin tonë. Shpresojmë që ky raport të shërbejë si një referencë e vlefshme për Turqinë, e cila ndodhet në një mjedis rajonal ku konfliktet po zgjerohen dhe po bëhen gjithnjë e më komplekse. Njëherazi, shpreh falënderimin tim për të gjithë studiuesit që kontribuuan në hartimin e këtij raporti.
Prof. Dr. Talha Köse
Drejtor i Akademisë Kombëtare të Inteligjencës
Përmbledhje Ekzekutive
* Lufta ndërmjet Shteteve të Bashkuara/Izraelit dhe Iranit dëshmoi se mjedisi i luftës moderne ka kaluar nga koncepti tradicional i platformave të centralizuara drejt një modeli të ri, të mbështetur mbi të dhënat, rrjetet, teknologjinë dhe kapacitetin e vazhdueshëm prodhues. Përmes përdorimit të fuqisë ajrore, inteligjencës artificiale, luftës elektronike, sistemeve të komandës e kontrollit të integruara në rrjet, si dhe goditjeve ndaj infrastrukturës kritike, ky konflikt nxori në pah karakteristikat themelore të luftërave të së ardhmes.
* Përdorimi intensiv i sistemeve të mbështetura nga inteligjenca artificiale në zbulim, mbikëqyrje, identifikimin dhe përzgjedhjen e objektivave, si dhe në menaxhimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore, përshpejtoi ndjeshëm procesin e vendimmarrjes ushtarake. Kjo dëshmoi se epërsia në luftën moderne nuk mbështetet më vetëm në aftësitë njerëzore, por edhe në kapacitetin për përpunimin e të dhënave, analizën algoritmike dhe integrimin e informacionit në kohë reale.
* Konflikti konfirmoi se kontrolli i spektrit elektromagnetik është bërë një element thelbësor i fuqisë ushtarake moderne. Sistemet radarike, rrjetet e transmetimit të të dhënave, komunikimet satelitore, lufta elektronike dhe infrastruktura e komunikimit përbëjnë tashmë faktorë vendimtarë që ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatin e operacioneve ushtarake. Luftërat e së ardhmes do të zhvillohen po aq në hapësirën elektromagnetike dhe digjitale, sa edhe në fushën fizike të betejës.
* Lufta tregoi se koncepti i mbrojtjes ajrore të padepërtueshme nuk është më realist. Sulmet iraniane, të mbështetura në përdorimin masiv të dronëve me kosto të ulët dhe të breshërive raketore, dëshmuan se edhe sistemet më të avancuara shumë-shtresore të mbrojtjes ajrore mund të depërtohen deri në një masë të caktuar. Për këtë arsye, mbrojtja ajrore moderne nuk duhet të mbështetet vetëm në sistemet interceptuese, por duhet të ndërtohet mbi një arkitekturë të integruar, që përfshin paralajmërimin e hershëm, luftën elektronike, mbrojtjen kibernetike dhe kapacitete efektive kundërsulmuese.
* Infrastruktura kritike, si objektet energjetike, rrjetet radarike, sistemet e komunikimit dhe qendrat logjistike, është shndërruar në objektivin kryesor të luftërave moderne. Ky konflikt tregoi se fusha e betejës nuk kufizohet më vetëm te njësitë ushtarake, por përfshin edhe infrastrukturën që garanton vazhdimësinë e kapaciteteve luftarake. Veçanërisht, cenueshmëria e infrastrukturës energjetike dhe të komunikimit dëshmoi lidhjen e drejtpërdrejtë ndërmjet qëndrueshmërisë shoqërore dhe sigurisë kombëtare.
* Lufta dëshmoi se koncepti i luftës së bazuar në rrjete (Network-Centric Warfare) është bërë faktori kryesor që përcakton ritmin dhe efektivitetin e operacioneve ushtarake. Integrimi ndërmjet sensorëve, sistemeve të komandës dhe kontrollit, si dhe platformave të goditjes, përshpejtoi ndjeshëm procesin e zbulimit dhe neutralizimit të objektivave, duke ekspozuar njëkohësisht cenueshmërinë e strukturave të centralizuara. Në të kundërt, modeli iranian i njohur si «mbrojtja mozaike» (Mosaic Defense), i ndërtuar mbi struktura të shpërndara dhe gjysmë të pavarura, dëshmoi se mund të ruajë funksionalitetin operacional edhe në rast se goditen qendrat kryesore të komandës.
* Konflikti tregoi se ekonomia e municioneve është shndërruar në një nga elementët më vendimtarë të luftës moderne. Mospërputhja ndërmjet ritmit shumë të lartë të konsumit të municioneve precize dhe kapacitetit për t’i prodhuar ato e ka bërë fuqinë industriale një faktor kyç në konfliktet afatgjata. Kjo nënkupton se kapaciteti prodhues, rezervat strategjike, siguria e zinxhirit të furnizimit dhe qëndrueshmëria logjistike, krahas zhvillimit teknologjik të industrisë së mbrojtjes, janë tashmë elementë të domosdoshëm të fuqisë kombëtare. Shtetet që zotërojnë epërsi në prodhim dhe furnizim janë dukshëm më të afta të përballojnë luftëra të zgjatura, ndërsa varësia nga furnizuesit e jashtëm rrit ndjeshëm rrezikun strategjik.
* Megjithëse platformat e centralizuara vazhdojnë të ruajnë rëndësinë e tyre për shkak të kapaciteteve të avancuara që ofrojnë, kjo luftë nxori në pah edhe dobësitë e tyre. Kjo u vu re veçanërisht në kërcënimet intensive me raketa, të cilat kufizuan lirinë e veprimit të aeroplanmbajtëseve, avionëve cisternë për furnizim me karburant në ajër dhe avionëve të paralajmërimit të hershëm. Në të kundërt, dronët me kosto të ulët dhe municionet vetëshkatërruese krijuan një asimetri ekonomike, duke detyruar sistemet shumë të kushtueshme të mbrojtjes të përballeshin me mjete sulmuese me kosto minimale.
* Lufta ndërmjet Shteteve të Bashkuara/Izraelit dhe Iranit tregoi se konfliktet moderne zhvillohen jo vetëm në fushën ushtarake, por edhe në hapësirën e informacionit dhe të ndikimit psikologjik, përmes mediave tradicionale, rrjeteve sociale dhe platformave të komunikimit publik. Aftësia për të menaxhuar informacionin, për të ndikuar në perceptimin publik dhe për të zhvilluar operacione psikologjike është bërë pjesë përbërëse e strategjisë ushtarake. Për rrjedhojë, rezistenca shoqërore dhe siguria kognitive janë tashmë komponentë të pandashëm të sigurisë kombëtare.
* Nga këndvështrimi i Turqisë, kjo luftë dëshmoi domosdoshmërinë e ndërtimit të një koncepti të ri të mbrojtjes, të përshtatur me karakteristikat e luftërave të gjeneratës së ardhshme. Ky koncept duhet të mbështetet në një sistem të integruar që përfshin: mbrojtjen ajrore dhe raketore; kontrollin e spektrit elektromagnetik; mbrojtjen e infrastrukturës kritike; sigurimin e objekteve dhe personaliteteve strategjike; ruajtjen e kapaciteteve parandaluese; epërsinë në luftën kognitive; si dhe krijimin e qendrave të shpërndara të komandës dhe kontrollit. Në këtë kuadër, zhvillimi teknologjik dhe vazhdimësia e prodhimit në industrinë e mbrojtjes duhet të konsiderohen dy shtylla të pandashme të strategjisë kombëtare të sigurisë.
Përmbledhje Ekzekutive
* Lufta ndërmjet Shteteve të Bashkuara/Izraelit dhe Iranit tregoi se arkitektura e sigurisë, e ndërtuar prej dekadash në Lindjen e Mesme mbi rrjetet e aktorëve përfaqësues (proxy), ekuilibrat e brishtë rajonalë dhe garancitë e jashtme të sigurisë, ka pësuar tronditje të thella. Kjo dëshmon se koncepti i sigurisë rajonale ndodhet në një proces të gjerë rikonfigurimi. Konflikti krijoi një varg krizash të ndërlidhura, të cilat prekën njëkohësisht Irakun, Sirinë, Libanin, Jemenin, si dhe rajonin e Gjirit dhe Mesdheut Lindor.
* Gjatë konfliktit, shtetet e Gjirit u përballën me kërcënime të drejtpërdrejta që buronin nga Irani, ndërsa njëkohësisht u bënë të dukshme kufizimet e arkitekturës së sigurisë të mbështetur kryesisht në garancitë amerikane. Kjo situatë pritet t’i shtyjë vendet e Gjirit që, në periudhën e ardhshme, të orientohen drejt ndërtimit të mekanizmave rajonalë të sigurisë, më gjithëpërfshirës dhe më të balancuar ndërmjet aktorëve të rajonit.
* Gjatë luftës, kapaciteti rajonal i Iranit u dobësua ndjeshëm. Rrjeti i aktorëve përfaqësues, të cilin Teherani e kishte ndërtuar ndër vite, humbi një pjesë të konsiderueshme të efektivitetit të tij. Megjithatë, vazhdimi i veprimtarisë së milicive në Irak dhe i lëvizjes Huthi në Jemen tregon se ndikimi rajonal i Iranit nuk është zhdukur, por është bërë më i fragmentuar, më pak i centralizuar dhe më i kufizuar në aftësinë për të projektuar fuqi.
* Pas luftës është rritur mundësia e formimit të një strukture shtetërore më të centralizuar dhe më të orientuar drejt aparatit të sigurisë në Iran. Veçanërisht, zgjerimi i ndikimit të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) mbi proceset e vendimmarrjes shtetërore mund ta shtyjë vendin drejt një politike të jashtme më të ashpër dhe më të përqendruar te dimensioni i sigurisë. Në të njëjtën kohë, ndërmarrja e reformave që pasqyrojnë kërkesat e shoqërisë iraniane do të jetë një faktor vendimtar për ruajtjen e stabilitetit dhe kohezionit të brendshëm.
* Politikat ekspansioniste dhe ofensivuese të Izraelit kanë krijuar fusha të reja tensioni në ekuilibrin rajonal të fuqisë. Izraeli e konsideron dobësimin e Iranit si një mundësi strategjike për të zgjeruar hapësirën e tij të veprimit në Siri, Liban dhe Mesdheun Lindor, duke ndikuar drejtpërdrejt në arkitekturën e re të sigurisë në rajon. Njëkohësisht, përpjekjet e tij për ta riformësuar Lindjen e Mesme sipas interesave të veta rrisin mundësinë e një konkurrence strategjike më të theksuar me Turqinë.
* Ky konflikt e bëri edhe më të dukshme ndërvarësinë midis sigurisë energjetike dhe sigurisë rajonale. Tensionet në Ngushticën e Hormuzit, në Detin e Kuq dhe në Mesdheun Lindor dëshmuan se siguria e furnizimit me energji dhe mbrojtja e korridoreve tregtare janë shndërruar në elemente kyçe të rivalitetit strategjik. Për pasojë, mbrojtja e infrastrukturës energjetike dhe e rrugëve ndërkombëtare të transportit detar përbën tashmë një shtyllë themelore të arkitekturës së re të sigurisë rajonale.
* Projekte strategjike si “Rruga e Zhvillimit” (Development Road) dhe “Korridori i Mesëm” (Middle Corridor) nuk mund të konsiderohen më vetëm iniciativa ekonomike. Pas kësaj lufte, ato kanë marrë një dimension të qartë gjeopolitik dhe strategjik. Dobësitë e zinxhirëve globalë të furnizimit dhe rreziqet ndaj sigurisë energjetike e rrisin ndjeshëm rëndësinë e korridoreve alternative që kalojnë përmes Turqisë, duke forcuar rolin e saj si nyje strategjike ndërmjet Azisë dhe Evropës.
* Nga këndvështrimi i Turqisë, lufta ndërmjet Shteteve të Bashkuara/Izraelit dhe Iranit e bëri edhe më të qartë domosdoshmërinë e ndërtimit të një modeli të ri të sigurisë kombëtare, të mbështetur mbi kapacitete të avancuara mbrojtëse, qëndrueshmëri strategjike, zhvillim teknologjik dhe aftësi për projektimin e fuqisë në nivel rajonal. Ky konflikt dëshmoi se, në luftërat moderne shumëdimensionale, nuk është më e mundur të trajtohen veçmas dimensionet ushtarake, ekonomike, teknologjike dhe shoqërore të sigurisë. Gjithashtu, u pa qartë se shtetet që nuk arrijnë të mobilizojnë shoqërinë dhe institucionet e tyre gjatë krizave bëhen më të cenueshme përballë kërcënimeve strategjike.
* Një nga mësimet më të rëndësishme që Turqia nxori nga ky konflikt është domosdoshmëria e zbatimit të strategjisë së «thellësisë tridimensionale» në industrinë e mbrojtjes. Kjo strategji nuk kufizohet vetëm në zhvillimin e teknologjive të avancuara dhe prodhimin e platformave moderne luftarake, por kërkon edhe garantimin e vazhdimësisë së prodhimit, sigurimin e zinxhirëve të furnizimit, forcimin e kapaciteteve logjistike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë industriale gjatë konflikteve afatgjata.
* Në doktrinën turke të mbrojtjes është bërë edhe më e dukshme rëndësia e infrastrukturës së shpërndarë, sistemeve rezervë dhe qendrave fleksibile të komandës dhe kontrollit. Lufta dëshmoi se cenueshmëria në rritje e strukturave të centralizuara përballë luftës së bazuar në rrjete e bën të domosdoshëm zhvillimin e operacioneve të decentralizuara dhe koordinimin shumëplanësh të të gjitha komponentëve ushtarakë.
* Gjatë konfliktit, kapaciteti diplomatik shumëpalësh i Turqisë u shfaq si një nga avantazhet e saj strategjike më të rëndësishme. Ruajtja e kanaleve të komunikimit me Iranin, vendet e Gjirit, Pakistanin, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara njëkohësisht dëshmoi aftësinë e Ankarasë për të vepruar si një aktor ekuilibrues dhe lehtësues, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe në formësimin e arkitekturës së re të sigurisë.
* Politikat ekspansioniste dhe agresive të Izraelit, të ndjekura nga qeveria e Benjamin Netanyahut dhe koalicioni i forcave të djathta radikale që e mbështet, kanë nxjerrë në pah fushat kryesore të rrezikut që Turqia duhet t’i monitorojë me kujdes. Veçanërisht, konkurrenca për ndikim në Siri, në Mesdheun Lindor dhe në sektorin energjetik, si edhe qasjet e ndryshme ndaj arkitekturës rajonale të sigurisë, mund të çojnë në një konkurrencë strategjike të kontrolluar, të shoqëruar me tensione të herëpashershme në marrëdhëniet turko-izraelite.
* Që në ditët e para të luftës, u intensifikuan fushatat e dezinformimit, propagandës dhe luftës kognitive, të drejtuara kundër Turqisë nga një pjesë e mediave izraelite dhe amerikane. Kjo e bën të domosdoshme monitorimin e vazhdueshëm të platformave të propagandës dhe rrjeteve të dezinformimit, si dhe zhvillimin e mekanizmave efektivë për kundërshtimin e tyre. Për rrjedhojë, mbrojtja e hapësirës informative dhe forcimi i rezistencës kognitive duhet të konsiderohen pjesë integrale e strategjisë kombëtare të sigurisë.
* Në fazat e para të luftës, megjithëse sulmet e drejtpërdrejta ndaj Udhëheqësit Suprem të Iranit dhe elitës qeverisëse iraniane shkaktuan zemërim të madh popullor, ndikimi i tyre mbeti i kufizuar dhe nuk u shndërrua në një lëvizje të gjerë për ndryshimin e regjimit. Po kështu, edhe strategjia e njohur si «prerja e kokës» (Decapitation Strategy) rezultoi me efekt të kufizuar. Përkundrazi, uniteti dhe kohezioni shoqëror i krijuar gjatë luftës luajtën një rol vendimtar në ruajtjen e stabilitetit të brendshëm. Kjo dëshmon se forcimi i rezistencës shoqërore dhe qëndrueshmërisë strategjike duhet të mbetet ndër prioritetet kryesore të Turqisë.
* Gjatë luftës u riafirmua edhe një herë rëndësia e nismës «Turqia pa terrorizëm». Veçanërisht, përpjekjet për paqe në rajon, nismat intensive diplomatike dhe ekonomike, si dhe komunikimi i përshpejtuar, luajtën rol të rëndësishëm në pengimin e aktivizimit të organizatave të armatosura kurde në Iran, Siri dhe Irak kundër Iranit. Po ashtu, u kuptua më thellë rëndësia e diplomacisë dhe e komunikimit efektiv ndërmjet komuniteteve etnike dhe fetare në rajon. Në të njëjtën kohë, intensifikimi i përpjekjeve për forcimin dhe mbrojtjen e strukturës politike e shoqërore të rajonit, si dhe përmbyllja me sukses e operacioneve në zhvillim, u vlerësuan si prioritete me rëndësi të veçantë.
* Sa u përket prioriteteve strategjike të Turqisë për periudhën e ardhshme, ato përfshijnë:
* rritjen e qëndrueshme të kapaciteteve prodhuese të industrisë së mbrojtjes;
* forcimin e sistemit të mbrojtjes ajrore dhe raketore;
* mbrojtjen e infrastrukturës kritike;
* zhvillimin e kapaciteteve të luftës kognitive;
* rritjen e rezistencës shoqërore dhe qëndrueshmërisë strategjike.
Mjedisi i ri i sigurisë, i formësuar nga kjo luftë, kërkon që Turqia, krahas zhvillimit të fuqisë së saj ushtarake, të zgjerojë aftësitë operacionale dhe thellësinë strategjike, si dhe të forcojë mekanizmat për menaxhimin e krizave në të gjitha nivelet.
