SHBA armatos Italinë

0
49

Administrata Obama synon të pajisë me avionë të telekomanduar (të njohur si drone) të llojit më të sofistikuar të pagëzuar me emrin “Reaper” flotën ajrore italiane. Ky lloj avioni është më i avancuar se “Predator” që Shtetet e Bashkuara po përdorin aktualisht në Afganistan e Pakistan.

Nëse shitjet do të realizoheshin, Italia do të bëhej vendi i parë (pas Britanisë së Madhe) i huaj që do të zotëronte armë ushtarake të teknologjisë së lartë. Sipas zyrtarëve amerikanë, Italia synon t’i shfrytëzojë këta avionë në misionin e saj në kuadër të NATO-s në Afganistan.

Sipas “Wall Street Journal”, kongresmenët amerikanë kundërshtojnë shitjen duke argumentuar se nëse pajiset Italia me armë të tilla, do të jetë tepër e vështira që Shtetet e Bashkuara të kundërshtojnë kërkesat e aleatëve të saj brenda NATO-s për të patur të njëjtën teknologji ushtarake.

Një tjetër argument i tyre, ishte se nëse Uashingtoni vendos të pajisë Italinë me avionë të tillë, s’mund të kushtëzojë më shitjen e armëve ushtarake të sofistikuara nga vendet që prodhojnë teknologji të lartë ushtarake, sic është Izraeli, i cili kufizohet në shitjen e armëve të tilla nga Shtetet e Bashkuara.

Administrata Obama dërgoi në Kongres vendimin e saj për t’i shitur Italisë 6 avionë të tillë, ndërkohë që ligjvënësit kanë 40 ditë kohë që të japin pëlqimin ose rrëzimin e propozimit./tch/kohaislame