Po i rikthehem edhe një herë temës së mbulimit të të vdekurit me mbulesën islame, sepse kjo nuk është çështje protokolli, as debat për një copë pelhurë. Por është çështje e respektimit të besimit, dinjitetit dhe amanetit të njeriut në çastin e fundit të jetës.
Si invalid i luftës, nëse një ditë nderimi nga FSK-ja do të kushtëzohej me faktin se dikush tjetër do të vendoste me çfarë duhet të mbulohej xhenazja ime apo si duhet të zhvillohej ceremonia e varrimit, nuk do ta pranoja kurrë një nderim të tillë.
Nderimi nuk ka vlerë kur vjen me kushtin që të heqësh dorë nga identiteti yt, nga besimi yt apo nga amaneti që ua lë familjarëve të tu.
Respekti i vërtetë nuk imponon. Respekti i vërtetë pranon dhe nderon bindjet e secilit.
Askush nuk duhet të detyrohet të zgjedhë mes nderimit institucional dhe besimit të tij. Një shtet demokratik dhe një ushtri profesionale duhet të jenë të afta t’i respektojnë të dyja: nderimin për shërbimin ndaj atdheut dhe dinjitetin fetar e njerëzor të të ndjerit.
Edhe një gjë tjetër, pasi i keni lodhur sa ishin gjallë me akuza, etiketime, linçime e gjykime, të paktën lërini të varrosen në paqe. Vdekja duhet të jetë fundi i urrejtjes, jo vazhdimi i saj. Dinjiteti i të ndjerit dhe dhimbja e familjes nuk duhet të bëhen arenë debatesh ideologjike nga njerezit qe urrejnë çdo gjë islame, si shkijet por nën singlen e shqiptarisë.
Për mua, liria për të cilën kemi luftuar nuk ka qenë vetëm liria e tokës. Ka qenë edhe liria që secili të jetojë dhe të përcillet nga kjo botë sipas besimit, bindjeve dhe dinjitetit të tij!
