Putin: Ekonomia ruse është stabile pavarësisht përpjekjeve për të penguar sektorin energjetik

Më të lexuarat

Putin tha se vështirësitë e fundit në tregun energjetik janë të përkohshme dhe nuk do të ndikojnë në ekonominë e përgjithshme

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se ekonomia e Rusisë ka mbetur rezistente pavarësisht “përpjekjeve të jashtme për të destabilizuar sektorin e karburanteve dhe energjisë”, transmeton Anadolu.

Gjatë një takimi mbi çështjet ekonomike në Moskë, Putin tha se vështirësitë e fundit në tregun energjetik janë të përkohshme dhe nuk do të ndikojnë në ekonominë e përgjithshme.

Sipas Putinit, ekonomia ruse u zgjerua me 0,3 për qind në muajin maj krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke iu referuar vlerësimeve paraprake të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

“Gjendja e ekonomisë së brendshme dhe e sektorëve të saj kryesorë është stabile. Vështirësitë që po krijohen për ne në tregun e karburanteve janë, natyrisht, të përkohshme dhe nuk janë në gjendje të ndikojnë në dinamikën e përgjithshme ekonomike”, tha Putin.

Ai bëri të ditur se prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 0,2 për qind gjatë pesë muajve të parë të këtij viti.

Putin tha se kërkesa e brendshme nga qeveria, bizneset dhe familjet mbetet një nga nxitësit kryesor të rritjes ekonomike.

Ai deklaroi se financat publike mbetën stabile, duke theksuar se buxheti federal regjistroi suficit prej 196 miliardë rubla (2,5 miliardë dollarë) në muajin qershor, i mbështetur nga rritja e të ardhurave nga nafta dhe gazi, si dhe nga burimet joenergjetike.

Putin theksoi deficitet e vazhdueshme të buxheteve rajonale dhe urdhëroi një zgjatje të re të afateve për shlyerjen e kredive.

Ai përsëriti se nisja e një cikli të ri investimesh dhe përshpejtimi i ndryshimeve strukturore në ekonomi mbeten ndër prioritetet kryesore të qeverisë, duke shtuar se masat shtesë do të diskutohen veçmas dhe sërish në një takim të Këshillit për Zhvillimin Strategjik dhe Projektet Kombëtare në muajin gusht.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit