1.9 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Sfidat e muslimanëve shqiptarë në 100 vjetorin e kongresit të tyre – Justinian Topulli

Më të lexuarat



– Sfidat identitare

Duke reflektuar mbi historinë tonë të jetuar të këtyre tridhjetë viteve, por edhe mbi historinë e lexuar, që nga koha e formimit të shtetit shqiptar dhe themelimit të një Komuniteti Musliman Shqiptar të Mëvetësishëm, kemi një bindje të pakundërshtueshme se sfida më e madhe, me të cilën jemi përballur dhe vazhdojmë të përballemi në këto troje, është mbrojtja dhe ruajtja e identitetit tonë islam dhe kultivimi i tij i mëtejshëm. Ata që ishin para nesh u përballën deri edhe me sfida ekzistenciale, por edhe me ato kulturore e identitare. Edhe sot, sfida identitare është ajo më e madhja, jo vetëm për ne si muslimanë shqiptarë, por për vetë kombin tonë, duke ditur që sfidat e tij më të mëdha janë edhe sfidat tona, për vetë faktin se ne përbëjmë shumicën dërrmuese të këtij kombi, ndaj dhe ajo që na ngjet neve, i ngjet edhe atij.

Ne, si shqiptarë, ndodhemi mes përplasjeve të interesave politike, ekonomike, gjeostrategjike, por edhe fetare, ideologjike dhe kulturore të shteteve dhe agjendave globale shumë më të mëdha sesa ne. Të gjitha këto agjenda, apo më saktë shumica dërrmuese e tyre janë në disfavor të identitetit tonë islam. Fillimisht ato tentuan të na zhduknin fizikisht dhe më pas edhe kulturalisht. Kjo e dyta është më e rëndë sesa e para, sepse nëse të parës i mbijetuam përmes rilindjes demografike, me të dytën i kemi punët pisk. Edhe pse sipas të gjitha statistikave dhe anketimeve, shumica e shqiptarëve të Shqipërisë deklarohen si muslimanë, ata nuk njohin nga Islami pothuajse asgjë, dhe pjesës më të madhe as emrat nuk u kanë ngelur më muslimanë. Ata praktikojnë nga Islami shumë pak, edhe atë, vetëm në formën e një trashëgimie kulturore, pa ia ditur shpesh kuptimin dhe qëllimin.

Rigjallërimi fetar që Shqipëria përjetoi pas rënies së komunizmit, qe i kufizuar dhe më së shumti qe një lloj revanshi ndaj ideologjisë apo më saktë fesë së dikurshme komuniste ateiste, që iu imponua me dhunë shqiptarëve. Qe një rikthim tek streha e mohuar shpirtërore dhe identitare, por megjithatë, ende për shumicën e shqiptarëve të deklaruar si muslimanë, feja nuk përbën një nga identitetet e tyre më të qenësishme të ekzistencës. Sot, sfida kulturore identitare afetare dhe joislame ka përfshirë dukshëm dhe rrezikon madje edhe brezin e fëmijëve tanë që kanë lindur mes prindërve praktikantë fetarë, duke rrezikuar që ata ose të zhbëhen nga të qenit muslimanë, ose të ngelen muslimanë vetëm me emër, si prindërit tanë dikur dhe si pjesa më e madhe e muslimanëve në këtë vend, ose muslimanë formalisht dhe dekor, pa asnjë thelb dhe përmbajtje. Pra, rrezikon të përsëritet e njëjta gjë që ndodhi me shqiptarët, që nga krijimi i shtetit shqiptar në 1912-n, e deri në ardhjen në pushtet të komunistëve 33 vjet më pas.

Përballë kësaj sfide madhore për formatimin kulturor të muslimanëve sipas agjendave të reja afetare që na vijnë nga jashtë, ne përballemi me sfida të tjera që na vijnë nga brenda dhe nuk na lënë të kemi një vizion dhe plan të qartë pune, bashkëpunimi dhe ringritjeje, për t’i bërë ballë kësaj sfide në mënyrën më të mirë të mundshme.

Disa prej këtyre sfidave më akute janë:

– Përçarja sektare, klanore, individuale, krahinore etj.

Ne, si shqiptarë, historikisht kemi qenë të përçarë mes nesh, për arsye dhe shkaqe të shumta, të huaja dhe të brendshme, që do zgjateshim t’i përmendnim këtu. Por, ne si muslimanë suni në këtë vend kemi shumë më tepër gjëra të përbashkëta që na bashkojnë dhe sfida gjithashtu të përbashkëta që na detyrojnë të bëhemi bashkë për to, e megjithatë akoma deri më sot nuk e kemi gjetur këtë gjuhë. Ndikimet e brendshme dhe të huaja, individuale, politike, sociale, sektare dhe klanore, madje edhe krahinore, vazhdojnë të jenë pengesë e madhe për gjetjen e një gjuhe unike islame që na përqendron pikërisht tek sfida identitare.

Ndërkohë që fetarisht, kjo sigurisht që është e mundur. Vetëm kërkon vullnetin dhe dëshirën për ta bërë këtë nga të gjitha palët, duke u tërhequr apo kufizuar sigurisht çdokush nga një pjesë e së vetës, për hir të së madhes më të rëndësishme të përbashkët, që është ruajtja e Islamit në këto troje.

Si mundet t’i bëjmë të gjithë bashkë? Sigurisht që është e pamundur që të gjithë të jemi unikë në bindjet tona dhe programet e aktivitetet tona. Por ne mund të bëhemi bashkë, përmes atyre që kemi të përbashkëta dhe biem dakord për to, të cilat janë bazat dhe parimet themelore të Islamit, për të cilat asnjë nga ne nuk ka kundërshtim apo rezerva. Dhe janë pikërisht këto parime që mund të shërbejnë si platforma e bashkimit, për t’i shërbyer pikërisht këtyre parimeve të përbashkëta, dhe për t’i zhvendosur mospajtimet jashtë kësaj platforme dhe duke mos i parë ato si pengesë për të punuar për atë që është e përbashkët.

– Mungesa e një diskursi apo ligjërimi Islam publik që i përshtatet kohës, vendit dhe sfidave që kemi në këtë shoqëri, duke iu referuar gjithmonë burimeve tona islame dhe trashëgimisë së mirë historike në këtë drejtim. Ky ligjërim duhet të jetë sa sfidues, po aq edhe ofrues e joshës, duke sfiduar të gabuarën, të keqen dhe të pavërtetën dhe duke ofruar njëkohësisht të vërtetën, të drejtën dhe më të mirën islame në këtë drejtim.

Dhe kjo sigurisht që nis nga përgatitja e kuadrove fetarë, por jo vetëm atyre, sepse feja nuk është çështje vetëm e hoxhallarëve, por e mbarë besimtarëve dhe të gjithë jemi përgjegjës për të para Zotit, kush më shumë e kush më pak.

Tejkalimi i kësaj sfide mund të bëhet vetëm përmes edukimit të duhur islam formal dhe jo formal, pra, përmes medreseve dhe universitetit, kurseve, instituteve, mësimeve, vazeve, hutbeve, shkrimeve dhe literaturës së përzgjedhur islame. Dhe sigurisht për të ecur në këtë rrugë kërkohet të bëhet ndoshta e njëjta gjë që u bë 100 vjet më parë: Një Kongres Mbarëshqiptar Islam, ku të rrihen idetë, të paraqiten hulumtime dhe të jepen zgjidhje për më të mirën e mundshme.

– Sfida e një institucioni përfaqësues dinjitoz
Sigurisht, kjo është pasojë e sfidave të tjera, por duke qenë se jemi pikërisht në 100 vjetorin e Kongresit të Parë të muslimanëve të këtij vendi, dua ta vendos theksin tek kjo sfidë, që është bërë një gangrenë e madhe për ne.

Shumë muslimanë thonë pse merreni me KMSH-në? Punoni dhe askush nuk ju pengon të punoni për fenë dhe nuk ka rëndësi se kush është në krye, sepse të gjithë ata që do të vijnë, njëlloj do të jenë dhe njëlloj do të sillen?!

Në fakt, problemi i kësaj mendësie nuk buron vetëm nga apatia, mungesa e dëshirës për t’u përballur me sfidat e institucionit, individualizmi, sektarizmi etj, por edhe nga mos njohja dhe vlerësimi si duhet, i rolit madhor të institucionit në këndvështrimin islam. I Dërguari i Allahut thoshte: “Kur çështja t’i jepet atij që nuk i takon, atëherë prite kiametin.”

Në të njëjtin kontekst, H. Ali Korça e përkthente dhe komentonte këtë hadith një shekull më parë duke thënë: “Kur i dorëzohet detyra atij që s’është i zoti e s’e meriton, atëherë prite shkatërrimin.”, sepse nëpër shkolla dhe nëpër komunitetet fetare po u vendosën të pazotët në atë degë, ka kopsitur kiameti.””

Në të njëjtën linjë, si të ishin fjalë profetike, edhe Umer ibn Hatabi do të shprehej: “Nuk ka Islam pa xhemat, dhe nuk ka xhemat pa udhëheqësi, dhe nuk ka udhëheqësi pa bindje. Atë që populli i tij e vë në krye për fik’hun që ka, ai do të ketë jetë për vete dhe për të tjerët. Ndërsa atë që populli i tij e vë në krye duke mos qenë i tillë, ai do të jetë shkatërrim për vete dhe për ta.”

Ajo që kuptojmë nga këto citime është së pari, se institucionet duhet të drejtohen nga njerëz dinjitarë, të aftë, të ditur dhe me përvojë dhe se kjo është përgjegjësi e xhematit që i zgjedh. Dinjiteti dhe prestigji i një institucioni varet nga dinjiteti dhe prestigji i njerëzve që e drejtojnë atë. Nëse në krye të tij katapultohen njerëz anonimë, tepër të rinj dhe pa kredenciale dijeje dhe përvoje të mjaftueshme për drejtimin e një institucioni, vetëm për faktin se i përkasin një sekti apo klani të caktuar, atëherë kemi të bëjmë me rrënim të institucionit dhe të vlerave, në emër të të cilave ai është ngritur.

Gjëja e dytë që kuptojmë nga këto citime, është se institucioni dhe drejtuesit e një komuniteti e marrin legjitimitetin nga xhemati, ndërkohë që sot për të të ardhur keq, as de jure dhe as de fakto institucioni përfaqësues i muslimanëve nuk e ka marrë legjitimitetin e tij nga xhemati, por përmes infiltrimit, katapultimit dhe uzurpimit institucional, që një sekt i vetëm, i mbyllur në vetvete, minorancë mes muslimanëve në këtë vend, dirigjon përmes pushtetit absolut KMSH-në, sikur ta kishte atë çiflig të tij, apo plaçkë lufte të marrë me armë.

Nëse i hedhim një vështrim statuteve të Komunitetit Musliman në fillimet e tij, por edhe atij të Kosovës sot, do të vëmë re që ka një frymë të qartë organizimi komunitar përmes këshillave lokalë. Ndërkohë që këshillat e myftinive sot janë formalë dhe konsultativë, e vetmja vlerë juridike që ato kanë sot, është thjesht për të përligjur një herë në katër vjet njerëzit që përzgjedh myftiu për në Këshillin e Përgjithshëm, sigurisht aty ku bëhen zgjedhje, sepse në shumë raste as që bëhen zgjedhje të rregullta, por emrat e atyre që do të përfaqësojnë myftininë në Këshillin e Përgjithshëm, caktohen me telefon nga kryetari apo njerëz në kryesinë e KMSH-së.

Nuk dua të hap thesin këtu për të treguar me fakte mjerimin institucional, financiar dhe përfaqësues jodinjitar ku është katandisur KMSH-ja për vite me radhë, sepse kam shkruar dhe folur kaq shumë, saqë një pjesë e di që do të mërziten duke ua përsëritur.

Ajo që ne kërkojmë është ndreqja e statutit të KMSH-së, organizimi i zgjedhjeve të rregullta, gjithëpërfshirja e të gjitha grupeve sunite në drejtimin dhe administrimin e institucionit, transparencë, punë konkrete për zgjidhjen e ngërçit financiar, gjetja e një gjuhe konsensuale dhe largimi nga sektarizmi dhe përçarja përjashtuese. Nëse drejtuesit ilegjitimë të sotëm të institucionit nuk kanë as dëshirën dhe as vullnetin për ta bërë këtë, atëherë na del ne si detyrë dhe xhematit musliman në këtë vend, për ta bërë këtë. Nuk mundet më të vazhdojmë në këtë situatë absurde të mungesës së dinjitetit dhe legjitimitetit moral dhe juridik dhe të bëjmë sehir, sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Institucioni përfaqësues na përket të gjithëve dhe ai nuk është pronë ekskluzive për t’u drejtuar vetëm nga një grupim, për më tepër një grupim, i cili operon përmes një agjende të errët e të dyshimtë, që nuk ka mëvetësi të plotë shqiptare autoktone, por është pjesë e një rrjeti ndërkombëtar që ka në krye një njeri, apo njerëz me pikëpamje devijante.

Nuk duhet të harrojmë për asnjë moment, se janë vlerat, ato që ngrenë institucionet, dhe institucionet ekzistojnë pikërisht për t’iu shërbyer këtyre vlerave. Institucionet nuk janë ato që diktojnë vlerat dhe praktikat, ato vetëm i përmbushin vlerat në terren. Dhe është fakt tashmë i padiskutueshëm, që në të gjitha rastet dhe në të gjitha vendet kur veprohet sipas këtij parimi, ka mbarëvajtje, ka bereqet, ka moral, ka dinjitet, ka një shoqëri të shëndoshë.

Një shoqëri apo bashkësi, çfarëdo qoftë ajo, nuk funksionon dot më së miri, nëse nuk operon përmes institucioneve të saj përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse, duke u bazuar mbi vlerat, mbi të cilat është themeluar. Në të kundërt, nëse institucioni janë vetëm individët, sekti, klani, apo një grup i caktuar interesi, atëherë ai nuk është më një institucion, por një bandë që shkatërron vlerat dhe punon vetëm për agjendat e ulëta të kësaj bote.    

Shënim: Ky tekst është referuar në datën 25 Shkurt 2023, në Hotel Tirana, me rastin e një aktiviteti për përkujtimin e 100 vjetorit të Kongresit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit