Nga urtësia e kuptimeve të Kurban Bajramit

Më të lexuarat

Sprova e vërtetë: “Therja e lidhjes së zemrës, jo therja e djalit”

O vëlla musliman i mençur!

Dije – Allahu të dhëntë sukses – se sprovat nuk vijnë gjithmonë në formën e humbjes dhe privimit. Shpeshherë ato vijnë në formën e dhuntive dhe mundësive, që të bëhet e qartë nëse robi falënderon apo bëhet i pakujdesshëm, dhe nëse lidhet me Dhuruesin apo me vetë dhuntitë dhe shkaqet.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Dijeni se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë sprovë.”
(El-Enfal, 28)

Një nga shembujt më të mëdhenj të kësaj është historia e Ibrahimit alejhi selam. Atij iu dhurua një djalë pas një pritjeje të gjatë, në moshë të shtyrë dhe kur shkaqet njerëzore ishin të dobëta. Për këtë arsye, dashuria për të u rrënjos edhe më fort në zemrën e tij dhe zuri një vend shumë të madh në shpirtin e tij.

Pastaj erdhi sprova pikërisht në vendin më të dashur të zemrës së një babai:

“O biri im, unë kam parë në ëndërr se po të ther.”
(Es-Saffat, 102)

Qëllimi përfundimtar i Allahut nuk ishte vrasja e djalit, por shfaqja e sinqeritetit të nënshtrimit dhe pastrimi i zemrës nga çdo lidhje që mund të konkurrojë me përsosmërinë e teuhidit.

Kur Ibrahimi tregoi bindje të plotë, Ismaili u dorëzua ndaj urdhrit të Allahut dhe të dy zemrat iu nënshtruan Krijuesit, erdhi thirrja nga qielli:

“Ti e përmbushe ëndrrën.”
(Es-Saffat, 105)

Pastaj erdhi shpërblimi madhështor:

“Dhe Ne e zëvendësuam atë me një kurban të madh.”
(Es-Saffat, 107)

Pra, çështja nuk ishte thjesht therja e një djali. Ishte therja e një lidhjeje që mund të rivalizonte dashurinë për Allahun; një lidhje që e robëron zemrën pas dhuntisë derisa e largon nga vështrimi drejt Dhuruesit dhe dobëson adhurimin e sinqertë.

Allahu nuk e qorton dashurinë për fëmijët dhe as nuk e ndalon gëzimin për dhuntitë. Por Ai nuk pranon që kjo dashuri të konkurrojë me të drejtën e Tij në zemër, apo që dhuntia të shndërrohet në një idol të fshehtë që e robëron njeriun pa e kuptuar ai vetë.

Kurban Bajrami nuk është thjesht therje mishi dhe as vetëm një kujtim që përsëritet çdo vit. Ai është një shkollë hyjnore që na mëson se afërsia me Allahun nuk arrihet me gjak e mish, por me devotshmërinë e zemrës dhe çlirimin e saj nga robëritë e fshehta.

Allahu thotë:

“Tek Allahu nuk arrijnë as mishi i tyre e as gjaku i tyre, por tek Ai arrin devotshmëria juaj.”
(El-Haxh, 37)

Prandaj secili prej nesh le të kërkojë “Ismailin” e tij, atë që i ka robëruar zemrën:

* një pasuri nga humbja e së cilës ka frikë;
* një fëmijë për të cilin shqetësohet më shumë sesa për fenë e tij;
* një post apo pozitë që druhet ta humbasë;
* një pasion që nuk mund ta braktisë;
* një prestigj që e ka të vështirë ta lërë;
* frika nga njerëzit që e pengon të vendosë urdhrin e Allahut mbi gjithçka;
* ose një lidhje e fshehtë që nuk e di askush tjetër veç Allahut.

Nuk është thelbësore nëse humbet atë që do. Thelbësore është që në zemrën tënde të mos ketë asgjë më të dashur se Allahu dhe asgjë më të denjë për t’u përparësuar se urdhri i Tij.

Lum ai njeri që i zotëron dhuntitë, por nuk zotërohet prej tyre; që i do krijesat, por nuk i vendos mbi Krijuesin; që Allahun e vendos mbi çdo të dashur dhe urdhrin e Tij mbi çdo dëshirë.

O Allah! Pastroji zemrat tona nga çdo lidhje që konkurron me njëshmërinë Tënde. Bëji dhuntitë e Tua ndihmë për bindjen ndaj Teje dhe mos i bëj pengesë mes nesh dhe Teje. Na dhuro sinqeritet në dorëzim, përsosmëri në dashuri dhe mbështetje të plotë tek Ti. Bëje kënaqësinë Tënde më të dashur për ne se çdo gjë tjetër që duam. Amin!

✍️ Abdullah el-Etheri.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit