15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

SADAKAJA NUK E PAKËSON PASURINË

Më të lexuarat

Në mësimet islame lëmoshës i kushtohet rëndësi e veçantë. Ajo nuk është thjesht një ndihmë simbolike që jepet për t’ia shuar urinë një të varfri. Koncepti islam për lëmoshën dallon si nga aspekti përmbajtjesor, si nga aspekti i qëllimeve. Pra, nuk është nuk është vetëm ndihma materiale ajo me të cilën ndihmohen njerëzit, sikur që nuk është vetëm luftimi i varfërisë ajo që synohet me lëmoshën. Lëmosha dallon edhe për vlerën që ka. Omeri r.a., ka thënë: “Më është përmendur se veprat mburren ndërsa lëmosha thotë: Unë jam më e mira prej jush.”

 

Do të trajtojmë një hadith profetik, në të cilin vlera e lëmoshës trajtohet nga një këndvështrim interesant. Më saktë, do të shpjegojmë pjesën e parë të hadithit të Ebu Kebshes[1], në të cilin qëndron se Pejgamberi a.s., ka thënë:

 

»ثَلَاثَةٌ أُقْسِمُ عَلَيْهِنَّ وَأُحَدِّثُكُمْ حَدِيثًا فَاحْفَظُوهُ: مَا نَقَصَ مَالُ عَبْدٍ مِنْ صَدَقَةٍ «

 

“Po ju betohem për tre gjëra dhe po ua tregoj një hadith andaj mbajeni në mend: pasuria e robit nuk pakësohet duke dhënë sadaka…”

 

Si ndodhë që pasuria të jepet dhe të mos pakësohet?

Cili është kuptimi i shtimit dhe pakësimit të pasurisë nga perspektiva fetare?

Cila është rëndësia e sadakasë në mirëqenien dhe harmoninë shoqërore?

Këtyre pyetjeve, me lejen e Allahut xh.sh., do të ju gjejmë përgjigje në këtë hutbe!

 

RUAJTJE KONKRETE

 

Pejgamberi a.s., me dëshmi kur’anore[2], është njeri i sinqertë dhe i drejtë. Ai kur flet, e flet vetëm të vërtetën. Megjithëkëtë, në këtë hadith, Pejgamberi a.s., po betohet se gjëja të cilën do të na e thotë, është e vërtetë pa asnjë dyshim. Kështu e kanë kuptuar të parët tanë fjalën e Pejgamberit a.s. Historianët rrëfejnë për rastin e Ebu Uthman Nehdiut, një tabi’ini të devotshëm[3], i cili e kishte zakon që, çdo muaj, nga të ardhurat që merrte, një pjesë ta jepte për Allahun xh.sh. Kur shkonte në shtëpi, shihte se shuma e të hollave nuk ishte pakësuar. Çështja e tij shpejt mori dhénë. Ai tashmë njihej në mesin e njerëzve për këtë gjë. Ishte keramet dhe kerametet ndodhin deri në kataklizmë. Dikush deshi ta provonte, thjesht si një test. Dha lëmoshë por shkoi në shtëpi, paratë i kishte mangu. Mendoi se ishte mashtrim. Shkoi tek ky besimtari i sinqertë dhe i tha: Mua po më pakësohen paratë. Në përgjigjen që mori fshihet edhe sekreti i kerametit të tij: Unë nuk i vë kusht Zotit tim!– ua ktheu. Problemi qëndron në atë se ata nuk besuan bindshëm në këtë hadith dhe deshën të bëjnë eksperiment.

 

DHËNIA HUA ALLAHUT XH.SH.

 

Sadakaja është dëshmi e besimit[4]. Dhënia e saj e shfaq lidhjen e besimtarit me Zotin. Në Kur’an, Allahu na tregon se njeriu nga vet natyra e do pasurinë[5], andaj dhënia e asaj që e do dhe për të cilën je i lidhur, nuk ka si të mos jetë shenjë e besimit dhe provë e tij. Në fakt, ka diçka që e nxit dhënien. Është shpërblimi i shumëfishuar i asaj që e jep besimtari. Kështu, sadakaja me dhënie shtohet. Allahu xh.sh., thotë:

 

﴿ مَّن ذَا الَّذِي يُقْرِضُ اللَّـهَ قَرْضًا حَسَنًا فَيُضَاعِفَهُ لَهُ أَضْعَافًا كَثِيرَةً ۚ وَاللَّـهُ يَقْبِضُ وَيَبْسُطُ وَإِلَيْهِ تُرْجَعُونَ ﴾

 

“Kush është ai që i huazon Allahut një hua të mirë, e Ai t’ia shtojë atij shumëfish Atë? Allahu shtrëngon (varfëron) dhe çliron (begaton) dhe kthimi juaj është vetëm te Ai.” [Bekare: 245]

 

Pra, tu japësh njerëzve, tek Allahu konsiderohet se i ke dhënë hua Allahut, andaj edhe Allahu, duke qenë se është më i pasuri i të pasurve, më bujari prej të gjithëve, kthimin e bën si askush tjetër. Pejgamberi a.s., thotë: “…lëmosha rritet në dorën e Allahut derisa të bëhet më e madhe se një kodër.” Për këtë shkak, Jahja b. Muadhi ka thënë: “Nuk di farë (kokërr) tjetër që peshon sa kodrat e dynjasë përveç lëmoshës.”

 

Një njeri i urtë ka thënë: “Kush bindet në kompensim (nga Allahu), nuk ndal dorën nga dhënia!”[6]

 

Si kokërr e vetme që kthehet me shumë kokrra, lëmosha është përshkruar edhe në Kur’an. Allahu xh.sh., thotë:

 

﴿ مَثَلُ الَّذِينَ يُنْفِقُونَ أَمْوَالَهُمْ فِي سَبِيلِ اللَّهِ كَمَثَلِ حَبَّةٍ أَنْبَتَتْ سَبْعَ سَنَابِلَ فِي كُلِّ سُنْبُلَةٍ مِائَةُ حَبَّةٍ وَاللَّهُ يُضَاعِفُ لِمَنْ يَشَاءُ وَاللَّهُ وَاسِعٌ عَلِيمٌ ﴾

 

“Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.” [Bekare: 261]

 

Kështu, nëse ne e shkëpusim një pjesë të pasurisë sonë për të tjerët, ajo do të na kthehet shumëfish nga Allahu xh.sh.

 

DEPONIM TË BOTËN TJETËR

 

Dhënia e lëmoshës ka kuptimin e ruajtjes së pasurisë në një vend tjetër, tek Allahu. Aisheja r.a., siç transmeton Tirmidhiu në Sunen[7], rrëfen se kishin therur një dele ndërsa Pejgamberi a.s., pasi që kishte urdhëruar të shpërndahej lëmoshë për hire të Allahut, e kishte pyetur Aishen: “Çfarë ka mbetur prej saj?” Asgjë, me përjashtim të një krahu – iu përgjigj Aisheja. “Paska mbetur e tëra, me përjashtim të atij krahu” – ia ktheu ai.

 

Abdullah in Mes’udi r.a., siç shënon Buhariu në Sahihun e tij, transmeton se Muhammedi a.s., ka thënë: “Cili prej jush e ka më të dashur pasurinë e trashëgimtarit të vet se sa pasurinë personale? O i Dërguari i Allahut, nuk ka njeri që të mos e dojë pasurinë e vet më shumë – iu përgjigjën. Atëherë, pasuria e tij është ajo që e jep ndërsa pasuria e trashëgimtarit është pasuria që e lë -tha.”

 

Pra, pasuri e jona konsiderohet ajo që e japim për Allahun, sepse, në fakt, ajo edhe ruhet. Me këtë kuptim, Isai a.s., ka thënë: “Çojeni thesarin tuaj atje ku nuk e arrijnë duart e vjedhësve.”[8]

 

BEGATI E MIRËQENIE NË KËTË BOTË

 

Sadakaja ka efekt të rëndësishëm në kultivimin e një jetë të qetë shoqërore. Nëse njerëzit nuk e ndajnë pasurinë e tyre me të tjerët, atëherë do të lind xhelozia dhe smira, e cila mund të çojë edhe deri tek dëmtimi i të pasurit. Për këtë shkak, dhënia e pasurisë konsiderohet si mënyrë e ruajtjes së saj dhe të vet jetës. Një bujku çdo vit fitonte çmimin për rendimentet më të mira. Gjatë intervistës gazetarët zbuluan se ai shkëmbente farërat e tij me fqinjët. A ua jep farën e mirë ndërsa ata janë në garë me ty për rendimentet më të mira?! –e pyetën me habi. Po -u përgjigj dhe shtoi- a nuk e di se erërat bartin polenin e farërave nga ara në arë, kështu që nëse fqinjët e mi mbjellin farëra të cilësisë së dobët, pasojat do t’i vuaj edhe unë, ndryshe më duhet t’iu jap nga farërat e mira që të kem rendimente të larta.[9]

 

Pra, nëse duam të jetojmë të lumtur, të kemi siguri dhe rehati, duhet të japim sadaka. Këtë, edhe më bukur, Pejgamberi a.s., an e thotë në një hadith: “Ka thënë një njeri: Sonte do të kontribuoj me një lëmoshë! Doli me lëmoshën e tij dhe lëshoi në dorën e një hajni. Njerëzit u gdhinë ndërsa flisnin: Natën – mbrëmë i është dhënë lëmoshë një hajni. Tha: O Allahu im! Ty të takon falënderimi për hajnin! Do të jap sonte (prapë) një lëmoshë. Doli me lëmoshën e tij dhe e lëshoi në dorën e një gruaje të pandershme. Të nesërmen njerëzit flisnin se si një gruaje të pandershme mbrëmë i ishte dhënë lëmoshë. Tha: O Allahu im! Ty të takon falënderimi për gruan e pandershme. Sonte (për të tretën herë) do të jap lëmoshë. Doli dhe e lëshoi sadakanë e tij në dorën e një të pasuri. Në mëngjes njerëzit flisnin se si mbrëmë i ishte dhënë sadaka një të pasuri. Tha: O Allahu im! Ty të takon falënderimi për hajnin, gruan e pandershme dhe të pasurin! I erdhi (frymëzimi ose meleku nga ana e Allahut) dhe i tha: Sa i përket lëmoshës sate ndaj vjedhësit, ndoshta me të e ruan nderin dhe e braktis vjedhjen; sa i përket gruas së pandershme, ndoshta e ruan moralin dhe i ikë amoralitetit; sa i përket të pasurit, ndoshta merr mësim dhe shpenzon nga ajo që i ka dhënë Allahu.”[10]

 

Lëmosha ka ndikim në ruajtjen e begative dhe lumturisë. Ibn Kajjimi ka thënë: “Lëmosha ka ndikim të madh në largimin e llojeve të ndryshme të fatkeqësisë. Ajo ka këtë efekt madje edhe kur jepet nga mëkatari, i padrejti, e bile edhe nga jobesimtari. Allahu ua largon me lëmoshë fatkeqësitë.”

 

PËRFUNDIM

 

Solidariteti me nevojtarët është mënyrë jo vetëm për t’i ndihmuar ata, por për ta ndihmuar edhe veten tonë. Duke dhënë lëmoshë, ne ua lehtësojmë dhimbjen dhe vuajtjet e të tjerëve, krijojmë një klimë respekti dhe harmonie në tërë shoqërinë. Këtu qëndron arsyeja pse të parët tanë më shumë e shihnin veten të nevojshëm për të dhënë se sa të varfrin për të marrë. Sha’biu ka thënë: “Kush nuk e sheh veten për të dhënë sadaka më të nevojshëm se i varfri për ta kërkuar atë, le ta dijë se sadakaja – lëmosha e tij është prishur dhe i hedhet fytyrës.”

 

Le të jetë ky edhe mesazh i kësaj hutbeje, ta shohim veten më të nevojshëm për të dhënë se fukaranë për të marrë.

 

[1] Hadithi në tërësi:

 

»ثَلَاثَةٌ أُقْسِمُ عَلَيْهِنَّ وَأُحَدِّثُكُمْ حَدِيثًا فَاحْفَظُوهُ: مَا نَقَصَ مَالُ عَبْدٍ مِنْ صَدَقَةٍ، وَلَا ظُلِمَ عَبْدٌ مَظْلِمَةً فَصَبَرَ عَلَيْهَا إِلَّا زَادَهُ اللَّهُ عِزًّا، وَلَا فَتَحَ عَبْدٌ بَابَ مَسْأَلَةٍ إِلَّا فَتَحَ اللَّهُ عَلَيْهِ بَابَ فَقْرٍ«

 

“Po ju betohem për tre gjëra dhe po ua tregoj një hadith andaj mbajeni në mend: pasuria e robit nuk pakësohet duke dhënë sadaka, nuk ndodhë një njeri të bëjë durim ndaj një padrejtësie që i është bërë e që Allahu të mos ia shtojë krenarinë, dhe, nuk ndodhë dikush ta hap derën e lypjes, e që Allahu të mos ia hap derën e varfërisë.” Hadithin e shënon Tirmidhiu në Sunen ndërsa Albani e ka saktësuar.

 

[2] Nexh: 3-4.

 

[3] Sipas një audio ligjërate të Shejh Muhammed Husejn Ja’kubit “Kejfe tekunu rexhulen jezinu ummeten?”

 

[4] Aludim në hadithin të cilin e shënon Muslimi.

 

[5] Shih: Fexhr: 20.

 

[6] Behxhetu-l-mexhalis, 2/627.

 

[7] Albani e ka saktësuar këtë hadith.

 

[8] Isai a.s., cituar sipas: Imam Ahmedi, Ezzuhd, f. 50.

 

[9] Marrë nga Meuid mea-l-hajat të Dr. Halid ibn Salih el-Munif, f. 75.

 

[10] Albani e ka saktësuar në Sahihul xhamië.

 

Hoxhë Sedat Islami

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit