11.3 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Roli i Hoxhallarëve në kauzën e popullit tonë

Më të lexuarat

Islami vërteton faktin se mbrojtja e vendit dhe ruajtja e tij nga rreziqet e ndryshme është pjesë e fesë. I Dërguari i Allahut kur i erdhi shpallja dhe u paralajmërua se për shkak të misionit të tij do të dëbohet nga vendi i tij, i habitur dhe nga dashuria e madhe që kishte për vendin e tij tha: “A do të më dëbojnë mua?!!”.

I Dërguari i Allahut dhe shokët e tij i merrte malli për Meken (vendlindjen) e tyre. Kur i Dërguari i Allahut u shpërngul në Medine tha: “O zot bëje të dashur Medinën në zemrat tona, ashtu sikur e ke bërë të dashur Meken, e edhe më shumë, bëje të bereqetshme për ne, dhe epidemitë shpërndaj në periferitë e saj” (Mutefekun alejhi).

I Dërguari i Allahut u dëbua me dhunë nga vendi i tij. Kur populli i tij e detyruan që të largohet nga vendi i tij, tha: “Pasha Allahun ti je vendi më i dashur te Allahu. Sikur populli yt mos të më dëbonin, nuk do të isha larguar nga ti”. Ndërsa Allahu duke parë dashurinë e Pejgamberit për vendin e tij i tha: “Me të vërtetë, Ai që ta ka urdhëruar ty (Muhamed) Kuranin, do të të kthejë në vendin e caktuar (në Mekë)” (Kasas 85). Të gjitha këto argumente janë shenja se natyrshmëria e njeriut është e lidhur me vendin e tij, dashurinë për të, rregullimin e tij dhe flijimin e gjërave më të shtrenjta për ndërtimin e tij. Ruajtja e vendit, pragut të shtëpisë, pasurisë, nderit llogaritet njëra prej gjërave më të rëndësishme në fe dhe prej qëllimeve të fesë.

I Dërguari i Allahut: “Kush lufton për pasurinë e tij është sheid. Lush lufton për nderin e tij është sheid.Kush lufton për familjen e tij është shehid. Kush lufton për fenë e tij është shehid”.

Njeriu, në vendin ku jeton , duhet të jetoj me dashuri për atë vend, me angazhim për atë vend, me ndërtimin e atij vendi ashtu sikur na ka urdhëruar Allahu që ta ndërtojmë: “Ai ju krijoi nga toka dhe ju vuri të jetoni në të; andaj, kërkoni falje nga Ai dhe kthehuni me pendim tek Ai! Pa dyshim, Zoti im është afër dhe u përgjigjet (lutjeve)” (Hud 61).

Ndërsa shkatërruesit e vendit, ata të cilët shkatërrojnë vendin e tyre, nuk punojnë për përparimin e vendit, cenojnë sigurinë e njerëzve ata do të kenë një dënim të dhembshëm në këtë botë dhe në botën tjetër, pa marr parasysh se në emër të kujt e bënë atë. Vatani është sikur një anije, për të cilën duhet të kujdesemi të gjithë, nëse dëshirojmë të shpëtojmë . Ndërsa, nëse lihet pas dore, atëherë do të fundosemi të gjithë.

Po ashtu është obligim fetarë që të lutemi për vendin ton, për të mirat, bereqetin dhe sigurinë e tij. Allahu na mëson në Kuran për lutjet e Ibrahimit alejhi selam që bëri për Meken: “Kur Ibrahimi u lut: “Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij (Bekare 126). Kjo lutje e Ibrahimit aljehi selam u përqendrua në siguri dhe furnizim, e që janë dy gjëra shumë të rëndësishme për çdo vend, që sot në kohën ton quhen me emrin stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik i vendit. Pra është obligim i të gjithë neve në angazhimin e ndërtimit të vendit, bujku me arën e tij, prodhuesi në fabrikën e tij, profesori ne universitetin e tij, mësuesi në shkollën e tij. Kështu duke u angazhuar të gjithë dhe duke e ndihmuar njëri tjetrin e ndihmojmë ndërtimin e vendit dhe rregullimin e tij. Përparimi i vendit do të thotë përparim i të gjithë neve. Ngritja e vendit do të thotë ngritje e të gjithë neve. Krenaria e vendit ton është krenari për të gjithë ne.

Të punosh për vatanin tënd nuk do të thotë ta mbushim gojën me fjalë dhe fraza për dashurinë ndaj vatanit, atdheut, patriotizmit dhe pastaj të fshehur pas perdes së fjalëve, ta shkatërrosh vendin tënd me duart e tua. Një popull për ta ruajtur identitetin e tij duhet së pari të ruaj moralin e tij. Ne a po kujdesemi për ta ruajtur moralin e këtij populli. Një popull për ta ruajtur identitetin e tij duhet të kujdeset që ekonomikisht të jetë i qëndrueshëm dhe i pavarur. A jemi duke punuar në këtë drejtim? Një popull për ta ruajtur identitetin e tij duhet të kujdeset për ruajtjen e sigurisë së popullit. A jemi duke punuar në këtë drejtim? Një popull për ta ruajtur qëndrueshmërinë e tij duhet të kujdeset për pasurinë publike më shumë se për pasurinë individuale. A jemi duke e bërë një gjë të tillë? Si ka mundësi të jesh i sinqertë në dashurinë ndaj vendit tënd, ndërsa në anën tjetër ta vjedhësh vendin tënd. Si ka mundësi të jesh i sinqertë në dashurinë ndaj vendit tënd, ndërsa punon për ta prish moralin e popullit tënd.

Familja ka një rol të madh në ndërtimin dhe ruajtjen e vlerave fetare dhe kombëtare. Shkolla ka një rol të madh në kultivimin dhe ruajtjen e vlerave fetare dhe kombëtare. Mësuesi ka një rol të madh në ruajtjen e vlerave fetare dhe kombëtare. Lëndët mësimore kanë një rol të madh në ruajtjen e këtyre vlerave. Xhamitë kanë një rol të madh në ruajtjen e vlerave fetare dhe kombëtare, në luftimin e dukurive shkatërruese të një populli.

Të gjithë atë që thamë më herët janë porosi islame, të cilat thërrasin në ruajtjen e vendit ton, në angazhimin për ta ndërtuar vendin tonë.

Të motivuar nga porosit e Islamit dhe thirrjet e saj, shumë prej hoxhallarëve dhe prijësve fetarë gjatë etapave të historisë së këtij populli dhanë një kontribut të pa zëvendësueshëm në ruajtjen e këtij populli. Ata morën pjesë në ngjarjet shumë të rëndësishme të historisë sonë. Pakë njerëz e din se Lidhja e Prizrenit ishte formuar në xhaminë “ BAJRAKLI” në Prizren. Prej 40 që firmosën pavarësinë, 27 prej tyre ishin mysliman, disa prej tyre ishin liderë të mirëfilltë, pesë prej tyre ishin imamë të xhamive. Prej kolosëve hoxhallarë që nënshkruan pavarësinë ishin Haxhi Vehbi Agolli, Hafëz Ibrahim Dalliu, Myfti Vehbi Dibra, i cili luftoi kundër serbomalazezve.

Hafiz Ali Korça ka qenë nga mësuesit e parë të mësonjëtores së parë shqipe të Korçës. Pas shpalljes së pavarësisë ai u ngarkua me detyra të rëndësishme, si këshilltarë i mistrisë së arsimit, drejtorë i përgjithshëm i po kësaj minstrie, shef i fetfave pranë Këshillit të Lartë të Sheriatit në Shqipëri, pedagogë në medresenë e Lartë të Tiranës. Ai ishte një bashkëpunëtorë i pa lodhshëm për të mirën dhe përparimin e vendit dhe të popullit të tij.

Nuk është korrekte dhe aspak njerëzore që nga qarqet shkencore shqiptare të lihen anash dhe të mbulohen njerëzit kontribut dhënës në kauzën e popullit ton, sidomos ata njerëz me tituj hoxhë, myderriz, myfti, mualim etj. Një anashkalim e kanë vërejtur shumë studiues të këtyre periudhave. Si mund të anashkalohet Hoxhë Tahsini, Ymer Prizreni, Daut Efendi Boriqi në lidhjen e Prizrenit, Hafiz Ibrahim Shkupi në Kongresin e Manastirit, Hafiz Ali Korça e Ismajl Efendi Ndroqi në Kongresin e Durrësit 1918. Pastaj Mulla Idriz Gjilani i ballit kombëtarë. Pastaj Mulla Jonuz Zejnullahu, i vrarë në luftën e UÇK-ës, Mulla Jakup Hasipi etj.

Është marrësi dhe dyfytyrësi që të mohet kontributi i këtyre njerëzve në kauzën e popullit tonë. Është qëllim keqe që të ndahet Feja Islame nga kontributi i saj në kauzën e popullit ton. A ka ndodhë që të organizohet ndonjë debat publik, në televizionet tona publike dhe të tregohet për rolin hoxhallarëve dhe kontributin e tyre në ruajtjen e vlerave fetare dhe kombëtare. Të gjithë këta hoxhallarë janë frymëzuar nga thirrjet e Islamit, nga porosit e kësaj feje. Islami ka luajtur rol vendimtarë dhe të rëndësishëm në ruajtjen e asimilimit të popullit tonë.

Faik Konica ka thënë: “Të mos ishte Islami, populli shqiptar do të ishte shumë më tepër në numër, por jo shqiptarë”.

Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit