15.1 C
Pristina
Wednesday, September 28, 2022

Rikthimi i nismës për lejimin e bartjes së shamisë në shkolla

Më të lexuarat

Të martë e 9-të gushtit hashtagu #ndryshojeni_ua_për_shaminë u bë viral në rrjete sociale. Dhe sipas organizatorit të kësaj inciative, Liridon Kurti, duke përfshirë rrjetet sociale Facebook, Twitter, Instagram e Linked In, deri tani janë bërë 500 mijë “engagments”.

Sipas Kurtit, qëllimi i kësaj nisme është lejimi i bartjes së shamisë nëpër shkolla.

“Iniciativa ka ardhur si rezultat i kërkesës tonë për ta ndryshuar Udhëzimin Administrativ 06/2014 që është aprovuar me 28 janar 2014 i cili ka hyrë në fuqi nga ministri i asaj kohe. Ne po tentojmë që me u ndryshu neni 3 i paragrafit 1.3 të këtij Udhëzimi Administrativ i cili ka një paqartësi si nen i cili thotë që nxënësit nuk mund të hyjnë në shkollë me uniforma fetare”, ka thënë Kurti për KALLXO.com.

Sipas tij, një kërkesë e tillë është bërë edhe nga ana e Bashkësisë Islame.

“Pastaj, Bashkësia Islame e Kosovës i ka dërguar një shkresë ku e ka cekur që shamia të cilën e vendosin nxënësit nuk është unifromë fetare por është obligim fetar, dmth dallon prej unifromave fetare që i kanë bashkësitë e tjera fetare”, ka shtuar ai.

Kurti ka bërë të ditur se po ashtu kërkesë me shkrim për këtë çështje i është dërguar edhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

“Një kërkesë e kemi dorëzuar edhe në mënyrë të shkruar në MASHT, avokati Durim Berisha e ka dorëzuar dhe po shpresojmë që do të aprovohet, MASHT ka afat deri në 45 ditë për ta aprovuar kërkesën tonë”, ka shpjeguar Kurti i cili ka shtuar se nësë kjo kërkesë nuk aprovohet të njëjtën do ta dërgojnë në gjykatë.

Moslejimin e bartjes së shamisë në shkolla ai ka thënë se e cilësojnë si shkelje të të drejtave të njeriut.

“Është cilësuar si shkelje e të drejtave të njeriut edhe prej gjykatës kushtetuese në rastet individuale që i kanë pasur më herët vajzat me shamia…”.

Nga Ministria e Arsimit kanë thënë për KALLXO.com se bartja e uniformës fetare nëpër shkolla është e ndaluar pasi që shteti i Kosovës është sekular.

“Neni 3, paragrafi 1.13 i Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014 ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla, kjo sepse shkolla jonë është sekulare. Krahas shtetit sekular, e drejta për shkollim nuk mund t’i mohohet askujt, nga askush”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga Edona Kutleshi-Maliqaj, Këshilltare për media në këtë ministri.

Mirëpo, nga Ministria e Arsimit kanë thënë se janë duke e trajtuar këtë çështje me kujdes në mënyrë që çdo fëmijë të jetë në shkollë.

“Si ministri këtë çështje jemi duke e trajtuar me kujdes dhe sapo të kemi një vendim të ri do të ju njoftojmë. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e ka obligim që të sigurohet që çdo fëmijë të jetë në shkollë”, vazhdon përgjigja.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar edhe kryetaren e Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Duda Balje, e cila ka thënë se kjo temë është aktivizuar disa herë brenda Komisionit për të drejtat e njeriut.

“Kjo nuk është diçka e re, ne disa herë e kemi aktivuar këtë çështje brenda Komisionit për të Drejtat e Njeriut edhe i kemi bërë kërkesa me shkrim ministrisë edhe i kemi thënë ministres brenda komisionit për biseda për ndryshimin e udhëzimit administrativ”, ka qenë përgjigjja e deputetes, e cila ka thënë tutje se nuk kanë pasur përgjigje negative prej asnjë akteri brenda qeverisë, por që këta të fundit ende deri sot nuk kanë bërë diçka konkrete.

Balje tutje ka potencuar se një tjetër problem me të cilin ballafaqohen vajzat që bartin shaminë është se e vetmja zgjidhje që u mbetet atyre lidhur me shkollimin e mesëm mbetet Medreseja.

“Në fakt është mirë mu bisedu si çështje nëse ato nuk kanë drejtë me shku në shkollë pse shteti nuk ka bërë plan B se ku të shkojnë këto vajza. Ata gjithmonë janë duke thënë ‘shkoni në medrese’, por çka nëse ato nuk duan të shkojnë në medrese? Pra, ku është plani B i një shteti, nëse ne nuk e lejojmë për shembull vajzën për të shkuar në shkollën e mesme në gjimnaz ose në shkollën e mjekësisë?”, ka thënë Balje.

Deputetja Balje gjithashtu është shprehur se çështja e shamisë në shkolla është duke u aktivizuar vetëm kur ndodh diçka.

“Jemi duke e aktivizuar këtë çështje vetëm kur ndodh diçka, jo si një kampanjë për me ndryshu udhëzimin administrativ. Unë personalisht si deputete jam në dispnim për të ndihmuar sepse jam e bindur se kjo është shkelje e të drejtave të secilës vajzë që vendos ta mbajë shaminë në kokë”, ka shtuar ajo.

Në anën tjetër, Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore ka thënë se është e drejtë e çdo gruaje që të vendos për trupin e saj nëse dëshiron ta mbajë shaminë apo jo, mirëpo ajo ka shtuar se tema e bartjes së shamisë në shkolla e kërkon një analizë pak më të madhe.

“Ne kemi marrë çdo herë një qëndrim që shamia të jetë e drejtë dhe është e drejtë prej një moshe të caktuar e cila e lejon vendimmarrjen e vajzave për trupin e tyre, fëmijët nuk kanë mundësi dhe nuk e kanë diapazonin që me e pa dhe me qenë në atë vendimmarrje ashtu qysh nuk e kanë për shumë gjëra tjera në jetë”, ka thënë Demolli për KALLXO.com.

Demolli gjithashtu ka theksuar se vendimmarrja e fëmijëve për jetën e tyre e ka një moshë të caktuar edhe është shumë më rëndësi që të punohet për vendimmarrjen e tyre por kjo duhet të përshtatet me atë çka përkon me moshën.

Lidhur me këtë temë, ajo ka shtuar se është me rëndësi se kush po e bën kërkesën, në emër të kujt, kush po i përfaqëson këto vajza dhe a është dëshirë e vajzave kjo gjë.

“Në momentin që një burrë dërgon një çështje për shami, një çështje kaq të ndjeshme, mendoj që ata janë patriarkal edhe nuk e kanë shumë me rëndësi zërin e grave e të vajzave. Njësoj qysh kanë me kërku me u mbulu, nesër kanë me kërku edhe çështje tjera siç është aborti edhe këto të tjerat”, është përgjigjur ajo.

Demolli ka theksuar se e vlerëson që gratë të jenë të inkuadruara në në vendimmarrje për të gjitha çështjet, por ka shtuar se nuk ka hasur në një kërkesë nga vajzat për bartjen e shamisë.

“Disa burra po i shoh që e kanë marrë një yrysh edhe po flasin për shami. Ne punojmë ditë e natë me vajza të reja, jemi vazhdimisht në kontakt, bëjmë hulumtime, e nuk e kam parë ende këtë kërkesë tek vajzat e reja”, është përgjigjur ajo, teksa ka përmendur edhe rëndësinë që të mos ketë diskriminim në punë ndaj grave të moshës pas 18 vjeçe të cilat bartin shaminë.

“Për mua është shumë e rëndësishme që gratë pas moshës 18 vjeçe edhe ato që dëshirojnë të punojnë të kenë mundësi edhe me shami të kyqen në tregun e punës dhe këtë e kam mbrojtur publikisht…”, ka shtuar Demolli.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga Kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi mirëpo, sipas tij, në Këshillin e Prindërve nuk ka pasur mundësi që të diskutohet për këtë temë.

“Është kohë pushimesh dhe tash e kemi ulur shkallën e angazhimit, andaj as nuk diskutojmë në grupe çështjet e ndryshme ditore”, ka qenë përgjigja e Demit.

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës lejimin e bartjes së shamisë në shkolla.

Përmes një kërkese Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka thënë se kjo gjë është kërkesë e kamotshme e Kryesisë së BIK-ut, institucioneve të saj dhe besimtarëve myslimanë që të hiqet e tëra pika 1.13 e nenin 3, në Udhëzimin Administrativ 06/2014.

Sipas Tërnavës, kjo pikë e këtij neni është diskriminuese.

“Si e tillë në disa raste ka pas tentime që duke u thirr në këtë udhëzim, respektivisht në këtë nen t’u mohohet e drejta e shkollimit nxënëseve që bartin mbulesën myslimane – shaminë”, thuhet në kërkesën e BIK-ut e cila u ka bërë thirrje shefit të ekzekutivit dhe ministres së Arsimit që këtë kërkesë ta trajtojnë me përgjegjësi e korrektësi maksimale.

“Kërkojmë nga organet kompetente, Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, si dhe nga kryeministri z. Albin Kurti, që sa më parë ta anulojnë këtë vendim, që në vete është diskriminues ndaj qytetareve të Kosovës – fëmijëve tanë. Mirëpo, kjo kërkesë e kamotshme e BIK-ut nuk duhet politizuar e as polarizuar, por duhet trajtuar me përgjegjësi e korrektësi maksimale”, ka përmbyllur Tërnava.

Në mars të këtij viti nëpër rrjetet sociale ka qarkulluar një fotografi nga Shkollën e Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, në të cilën ishin vendosur shenjat për gjësendet e ndaluara në shkollë, në mesin e të cilave ishin arma, pirja e duhanit, produktet kozmetike, dhe mbulesa (e vajzave myslimane). Kjo e fundit ka ngjallur reagime në rrjetet sociale.

Mirëpo, kjo shenjë u largua nga menaxhmenti i kësaj shkolle pas reagimeve dhe presionit publik që u bë për këtë temë./kallxo/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit