20.8 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

“Qëllimi i tyre është të zhduken muslimanët e Arakanit”

Më të lexuarat

KËLN (AA) – Kryetari i Organizatës Nacionale Arakan Rohingya (ARNO), Nurul Islam, tha se persekutimi etnik, fetar dhe politik ndaj muslimanëve të Arakanit ende është duke vazhduar, duke thënë se qëllimi i këtij persekutimi është zhdukja e komunitetit musliman në Arakan, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në Konferencën Ndërkombëtare për Arakanin të organizuar nga organizata Hasene pranë Komunitetit Islam Vizioni Kombëtar (IGMG) në Këln të Gjermanisë, Islam e cilësoi këtë persekutim që ndodh pranë syve të botës si komplot të qeverisë, ushtrisë dhe disa grupeve ekstremiste.

Islam tha se komuniteti Rohingya është popull vendas në Arakan, duke shtuar se statusi i tyre si vendas është njohur në një raport të vitit 1840 të publikuar nga qeveria kolonialiste britanike dhe se të gjitha hulumtimet e kanë konfirmuar një gjë të tillë.

Ai tha se trojet e tyre ishin pushtuar nga pjesëtarët e grupit etnik budist fanatik Bamar.

“I kanë armiqësuar popujt në Arakan. Aktualisht, ata po përpiqen ta zhdukin popullin tonë. I interpretojnë ligjet në favor të tyre. Njerëzimi është i tronditur përballë këtyre gjërave. Ky është persekutim etnik, fetar dhe politik. Qëllimi është të zhduket komuniteti musliman i Arakanit”, tha Islam.

Islam po ashtu tha se muslimanët e Arakanit prej 60 vitesh janë të privuar nga të drejtat e tyre të lirisë. “Na merret e drejta për të jetuar”, theksoi ai.

Ai rikujtoi se komuniteti Rohingya në Mianmar konsiderohen si migrantë ilegalë.

“Ata përpiqen ta dëbojnë popullin tonë prej këtu. Kriza e komunitetit Rohingya nuk është krizë e migrimit ilegal, por komplot i përbashkët. Është komplot i ushtrisë, qeverisë dhe në të njëjtën kohë i disa grupeve pro-ekstremiste”, vlerësoi Islam.

Muslimanët e Arakanit janë të detyruar të ikin në vende të tjera, ndërsa shumë persona bien pre e trafikantëve me qenie njerëzore, shtoi ai.

Në lidhje me atë se a mund të arrihet një marrëveshje për kthimin e muslimanëve të Arakanit në shtëpitë e tyre, Islam tha se shtëpitë që janë braktisur tanimë janë rrafshurë me tokën.

“Nëse do të ktheheshin, ata do të qëndrojnë në kampe arresti. Populli ynë duhet të ketë mundësinë të jetojë në Arakan dhe të ketë të drejtat e njëjta me bashkëatdhetarët e tjerë. Kjo është e drejtë e jona si komunitet”, u shpreh Islam.

Ndërkaq, kryetari i IGMG-së, Kemal Ergün, tha se kundërshtojnë çdo akt që poshtëron dinjitetin njerëzor, duke u përpjekur të gjejnë zgjidhje për persekutimin që kryhet edhe ndaj muslimanëve të Arakanit.

“Ne duhet të punojmë me tërë forcën për t’i mënjanuar faktorët që shkaktuan këtë krizë, e cila këtë metodë më primitive të dhunës, që dëboi njerëzit, fëmijë, gra dhe pleq, e regjistroi në histori si turp i epokës sonë”, tha Ergün.

Ai theksoi nevojën për veprim, krahas pikëllimit dhe denoncimit për 700 mijë personat që ikën nga dhuna, persekutimi dhe vdekja.

“Kur marrim lajme për varrime masive, pushkatime dhe vrasje mizore, ne duhet vepruar përtej reagimeve. Kjo, krahas që është përgjegjësi njerëzore, është edhe detyre me të cilën na ngarkon feja jonë”, potencoi Ergün.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit