13.6 C
Pristina
Sunday, October 13, 2024

Profili i një profesori

Më të lexuarat

Meqë tashmë janë fundvitet e shkollimit dhe do të fillojnë pushimet pēr nxēnēsit, desha t’ju jap njē profil tē njē profesori, si shembull pēr kolegēt dhe pēr nxēnēsit qē do tē marrin rrugēn e profesorit nē tē ardhmen.

Jeta e njeriut zakonisht peshohet me veprat dhe me fjalët që do t’i lë për brezat që do të vijnë pas tij…

Doktori… u lind dhe u rrit në një familje me traditë të theksuar kombëtare dhe fetare. Ai rridhte nga një familje me bujari të shquar, duke e bërë atë shembull i një burri që do të lë gjurmë mbresëlënëse për një kohë të gjatë mbi brezat pas tij. U edukua në gjirin e ngrohtë familjar duke u shndërruar në një yll orientues për ata që do ta ndjekin rrugën e tij.

Ishte jashtëzakonisht i vlerësuar për punën që bënte, në sajë të së cilës, edhe ishte ndërtuar skajshmërisht, si në profesionin e doktorit, ashtu edhe në titullin e profesorit. Në këto dy veprimtari, rolin e luante në përputhje me diturinë e nxënë dhe përkushtimin e madh që kishte, gjithë këtë të gërshetuar me përvojën shumëvjeçare që kishte marrë nga jeta. Gjurmët e veta i la në këto detyra që i ushtroi me përgjegjësi jashtëzakonisht të lartë dhe duke u mburrur me veten për atë që kishte bërë dhe për çfarë kishte përfaqësuar.

Vullneti i tij për punë nuk njihte kufij, saqë lodhja dhe rraskapitja, si shprehje të përditshmërisë sonë, nuk kishin vend në fjalorin e tij. Zelli për t’ia dhënë hakun punës, i cili buronte nga dëshira e madhe për ta nxjerr në pah gjithë atë që kishte studiuar dhe kishte mësuar, e kishte formuar personalitetin e tij në mënyrën që, “nëse nuk e kënaqte syrin, nuk ia ofronte pacientit.” Profesionalizmi, si përgatitje e duhur për ta ushtruar këtë veprimtari, ishte mëshiruar në aftësinë e tij për t’i rregulluar dhëmbët sipas shijes dhe kënaqësisë së pacientit. Prandaj, puna e kryer me saktësi të plotë dhe pëlqimi i punës së tij nga ana e pacientit ishte bërë sinonimi i mjeshtërisë së tij për ta kryer porosinë në mënyrën siç duhet.

Fjalët i kishte të ëmbla, saqë çdo zemër që dëgjonte, ndikohej mjaft shumë nga ëmbëlsia e tyre. Ato i thurte me një elokuencë mbresëlënëse duke nënkuptuar shumë nga fjalët që i thoshte. Fliste me vend dhe me mençuri, madje çdo këshillë që e jepte kishte qëllim pozitiv dhe ishte me synim drejt zhvillimit personal. Shija e gjuhës së tij jashtëzakonisht reflektohej në pamjen e jashtme, me ç’rast syri i rëndomtë kënaqej vetëm duke i shikuar lëvizjet që bënte gjatë aktiviteteve të tij. Ishte njeri mjaft i pjekur në personalitetin e tij, falë së cilës, ishte i hapur dhe transparent me të gjithë, mbi të gjitha, ishte njeri i drejtë në vendimet që i merrte. Ndërkohë, që vlen të përmendet dhe që ishte mjaft me rëndësi për të ishte vizioni dhe largpamësia në çështjet familjare, në veçanti, dhe ato shoqërore në përgjithësi.

Drejtësia ishte simboli i të formuarit të karakterit të tij, sigurisht i ndikuar nga parimet fetare dhe njerëzore, e cila shfaqej në raportet që kishte me çdo pacient dhe me secilin nxënës. Modestia ishte rroba e tij në sjelljen dhe në marrëdhëniet që kishte me çdo njeri, gjë që rezultonte të lind dashuria ndaj tij në çdo takim, madje qoftë edhe i rastësishëm. Për të afërmin ishte melhem për varrë, ndërsa për të huajin ishte shembulli i njeriut që duhet të pasohet. Ishte njeri që jashtëzakonisht ishte shumë i dashur në mesin e familjes dhe ishte pafundësisht i nderuar në mesin e shoqërisë. Ai ishte i rëndomtë në dukjen dhe në pamjen e tij, saqë aspak mendjemadhësi nuk kishte në veten e tij, e gjithë kjo e mishëruar në personalitetin e një doktori, sikurse ishte vetëm ai.

Jeta e vështirë në rininë e tij e kishte kalitur në të formuarit e tij mjaft profesionist, ndërkohë, duke e zbukuruar me vetitë dhe me cilësitë e tij njerëzore akoma më shumë, që në fund duke e shfaqur humanist të mirëfilltë në përditshmërinë e tij. Ishte mikpritës i vërtetë dhe çdo qëndrim me të linte njëfarë zbrazëtire për të qëndruar akoma me të, ose për t’u takuar sërish me të. Bujaria ishte mbiemri i dytë që kishte, pas mbiemrit që mbante, ku paraqitej në të gëzuarit e skamnorit dhe në kthimin e buzëqeshjes së të pafatit. Buzëqeshja e tij e ngrohtë me dhëmbët e bukur dhe shfaqja e dritës nga fytyra e tij e rrëmbenin çdo zemër që ishte afër tij. Profili i një burri të formuar kombëtarisht dhe fetarisht i zhytur jashtëzakonisht shumë në diturinë e mirëfilltë mbi stomatologjinë. Ky është njeriu që emër i dha stomatologut me ordinancën e tij stomatologjike “Dental Porcelan” në vend dhe me gjerë. Nëpërmjet saj shkëlqeu një shkëndijë drite në fushën e stomatologjisë duke e prezantuar veten si shembulli që duhet të ndiqet në rrugën e rregullimit të dhëmbit. Dhëmbi dhe doktori u bënë sinonimi i suksesit për brezat që i ishin rrekur studimit të kësaj fushe duke ua treguar drejtimin për të arritur majën. Në fakt, ai qysh dje i la hapat kah duhet të ecin pasardhësit e tij sot.

Dëshira e tij për të të inkurajuar drejt mësimit dhe suksesit shfaqej në fjalët e para gjatë bashkëbisedimit me të rreth shkollimit dhe mundësive për t’u inkuadruar në aktivitetet shkollore. Ishte profesor i rangut për t’u marrë shembull dhe ishte shembull i vërtetë i cili meritonte të pasohej. Ora e mësimit me të kalonte në atmosferë qetësie dhe në një ambient të ngrohtë mësimi. Ishte i dashur te nxënësit e tij, te të cilët e kishte ndërtuar folenë e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë, gjë që shfaqej edhe në suksesin e tyre. Te nxënësit e kishte mbjellë dashurinë për lëndën e tij saqë mezi e prisnin të takoheshin me të në orën e mësimit dhe të mbanin orën e praktikës. Atyre ua mësonte zanatin e të jetuarit nëpërmjet shembullit të dhëmbit dhe ua ofronte diturinë e dhëmbit nëpërmjet punës praktike. Ishte yrneku i profesorit shembullor, i frymëzuar nga burimet hyjnore me të vetmin qëllim, për të qenë shembull për të tjerët.

Madje, akoma më tepër se kaq. Ishte njeri i sportit dhe i dhënë pas aktiviteteve sportive. Vitet, për të, ishin vetëm numra, sepse ai nuk njihte lodhje dhe as rraskapitje. Ishte jashtëzakonisht mjaft aktiv në të vrapuar, në të luajturit futboll, madje edhe në të gjitha aktivitetet e fitnesit. Ndërkohë, që e bën njeri mjaft të respektuar, ishte shumë i saktë në shujtat e të ushqyerit dhe në ushqimin e shëndetshëm që e konsumonte. Me një fjalë, ishte njeri vital dhe me pamjen e një të riu.

Ky është profili i tij, me siguri e dini se për kë bëhet fjalë. Tani nuk është në mesin tonë, prandaj mungojnë fjalët për ta përshkruar praninë që la prej momentit kur shkoi. Ai është Bedri Bajrami, profili i një doktori të suksesshëm në fushën e tij. Sigurisht që tani na mungon fizikisht, megjithatë, me ne jetojnë akoma veprat dhe fjalët e tij. Në përditshmëri i kemi të freskëta fjalët që i la, të cilat na shërbejnë si udhërrëfyes, por edhe veprat, të cilat i kemi si kandil ndriçues. Akoma e kemi në gjuhët tona dhe do të vazhdojmë ta kemi derisa të takohemi në përjetësi…


Blerim Muhaxheri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit