Stigmatizimi kulturor dhe identitar i Islamit mes shqiptarëve, i shoqëruar me dhunën sistemike ndaj trashëgimisë së tij, që kulmoi me komunizmin ateist e që vazhdon edhe sot në forma të tjera, ka sjellë për një kohë të gjatë margjinalizimin e këtij identiteti dhe e mbartësve të tij.
Ndaj, ajo që ndodh sot dhe që mjaft nga këta paloanalistët tanë e emërtojnë nga injoranca apo dashakeqësia si “radikalizëm islamist” apo “islam politik”, gjoja i sponsorizuar nga jashtë, në thelb nuk është gjë tjetër veçse rebelim i brendshëm e i natyrshëm ndaj status quo-së së qytetarit të dorës së dytë apo të huaj, me të cilën shihen apo trajtohen shqiptarët e besimit islam, që fenë nuk e kanë vetëm si identitet të një përkatësie sipërfaqësore, por si pjesë të jetës dhe të botëkuptimit, siç ka qenë dikur edhe për paraardhësit e tyre, që themeluan këtë komb.
Protesta e myslimanëve të sotëm shqiptarë, e bërë së bashku me pjesën tjetër të bashkëkombësve, nuk është vetëm kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga mediokrit e papërgjegjshëm dhe klientelizmi kriminal, që e kanë vjedhur dhe rrënuar këtë vend, por edhe rebelim për të mos pranuar më ksenofobinë kulturore, sociale e politike ndaj identitetit të tyre islam, të cilën kjo kastë e përligj.
Është protestë edhe për t’i thënë kësaj kaste politike dhe kësaj elite intelektuale e kulturore se duhet t’i vijë fundi këtij margjinalizimi gati njëshekullor dhe se myslimanët e këtyre trojeve meritojnë të kenë vendin që kishin dikur, përkrah shqiptarëve të tjerë.
Ne nuk mund të shihemi dhe të trajtohemi më si të njerkës, apo si një mish i huaj në trupin e kombit, ndërkohë që paraardhësit tanë janë pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme e gurthemelit të kombit dhe shtetit shqiptar. Ne nuk mund të trajtohemi më si pakicë e toleruar, ndërkohë që kemi qenë shumica, dikur e gjallë e sot e fjetur, e shqiptarisë.
Ajo që kërkojmë është rikthimi në vend i dinjitetit të nëpërkëmbur dhe i statusit që kishin dikur paraardhësit tanë, dhe jo përrallat e iluzionet blushiste, që janë qurravitje të pakicës së trishtuar, e cila nuk arriti dot ta shfaroste plotësisht identitetin islam nga ky komb.
Hoxhë Dr. Justinian Topulli
