Njerëzit kanë natyra të ndryshme
Kur erdhi dita e Betejës së Bedrit dhe robërit e luftës u sollën para të Dërguarit të Allahut ﷺ, ai tha:
– Çfarë mendoni për këta?
Ebu Bekri tha:
– O i Dërguari i Allahut! Ata janë populli yt dhe të afërmit e tu. Janë kushërinjtë dhe fisi yt. Unë mendoj që t’u merret shpërblesë (fidje), në mënyrë që ajo që marrim prej tyre të jetë forcë për ne kundër jobesimtarëve. Ndoshta Allahu do t’i udhëzojë dhe ata do të bëhen mbështetësit tanë.
Ndërsa Umeri ibn Hattabi tha:
– Pasha Allahun, unë nuk jam i të njëjtit mendim me Ebu Bekrin. Unë mendoj që të më jepet filani – një i afërm imi – që t’ia pres kokën; Aliut t’i jepet Akili që t’ia presë kokën; Hamzës t’i jepet vëllai i tij, që edhe ai t’ia presë kokën. Kështu Allahu do ta dijë se në zemrat tona nuk ka asnjë lloj butësie ndaj idhujtarëve.
Profeti ﷺ heshti dhe nuk u dha përgjigje. Pastaj hyri në tendën e tij.
Disa njerëz thanë:
– Do ta marrë mendimin e Ebu Bekrit.
Të tjerë thanë:
– Do ta marrë mendimin e Umerit.
Pastaj Profeti ﷺ doli dhe tha:
“Allahu i Madhëruar ua zbut zemrat disa njerëzve derisa ato bëhen më të buta se qumështi. Dhe Allahu ua forcon zemrat disa të tjerëve derisa ato bëhen më të forta se gurët.
O Ebu Bekër! Ti je si Ibrahimi (alejhi selam), i cili tha:
‘Kush më ndjek mua, ai është prej meje; e kush më kundërshton, Ti je Falës dhe Mëshirues.’
Dhe ti je si Isa (alejhi selam), i cili tha:
‘Nëse i ndëshkon, ata janë robërit e Tu; e nëse i fal, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti.’
O Umer! Ti je si Musai (alejhi selam), i cili tha:
‘Zoti ynë! Zhduke pasurinë e tyre dhe forcoji zemrat e tyre…’
Dhe ti je si Nuhu (alejhi selam), i cili tha:
*‘Zoti im! Mos lër mbi tokë asnjë jobesimtar.’”
Më pas Profeti ﷺ veproi sipas mendimit të Ebu Bekrit.
Por Allahu i Madhëruar shpalli ajetin që përkrahu mendimin e Umerit:
“Nuk i takon një profeti të ketë robër lufte derisa ta ketë mposhtur plotësisht armikun në tokë.”
⸻
Mësimi i parë
Një nga gjërat e bukura që nuk përmendet në këtë transmetim është se, para se Profeti ﷺ të këshillohej me shokët për robërit e Bedrit, ai i pa ata dhe tha:
“Sikur Mut’im ibn Adij të ishte gjallë dhe të ndërmjetësonte për këta të burgosur, unë do t’ia lija atij.”
Mut’im ibn Adij ishte ai që i dha mbrojtje Profetit ﷺ pasi u gurëzua në Taif.
Kur kurejshët nuk e lejuan të hynte në Mekë, sikur të mos mjaftonte ajo që kishte përjetuar në Taif, iu ndalua edhe kthimi në vendlindjen e tij.
As të huajt në Taif nuk e pranuan thirrjen e tij, e as të afërmit në Mekë nuk e pranuan kthimin e tij.
Atëherë ai shkoi te Mut’im ibn Adij dhe kërkoi mbrojtjen e tij. Mut’imi e pranoi dhe Profeti ﷺ hyri në Mekë nën mbrojtjen e tij.
Kaluan vitet, por Profeti ﷺ nuk e harroi kurrë atë mirësi.
Sa besnik ishte si Profet dhe sa fisnik ishte si i Dërguar!
Edhe pse këta ishin robër lufte dhe, po të kishin mundësi, nuk do të hezitonin ta vrisnin atë, ai nuk harroi nderin që i ishte bërë.
Fisnikët nuk i harrojnë kurrë qëndrimet e mira të njerëzve ndaj tyre, edhe nëse ata nuk janë të fesë së tyre.
Prandaj, bëhu besnik si Profeti yt ﷺ.
Ruaje mirësinë që të tjerët të kanë bërë dhe kërko rastin për ta kthyer atë.
Është e vërtetë se ai që bën mirësi nuk pret shpërblim, por është turp që ta harrosh atë.
⸻
Mësimi i dytë
Njerëzit kanë natyra të ndryshme, dhe edhe profetët janë njerëz.
Prandaj sheh dallime në reagimet e tyre, sipas natyrës me të cilën janë krijuar.
Temperamenti është diçka e lindur dhe nuk lidhet me shkallën e besimit.
Ibrahimi, Musai, Isai dhe Nuhu (alejhimu selam) janë të gjithë prej pejgamberëve më të vendosur.
Megjithatë, te Ibrahimi dhe Isai vëren butësi në natyrë, ndërsa te Musai dhe Nuhu vëren më shumë vendosmëri dhe ashpërsi.
Po kështu, Ebu Bekri i ngjan Ibrahimit dhe Isait në butësi, ndërsa Umeri i ngjan Musait dhe Nuhut në vendosmërinë e tyre.
⸻
Mësimi i tretë
Shumë nga qëndrimet, reagimet dhe sjelljet e njerëzve në jetë burojnë nga natyra e tyre dhe jo domosdoshmërisht nga niveli i besimit.
Ka njerëz të vrullshëm dhe ka njerëz të durueshëm.
Ka të fortë e të ashpër, e ka të butë.
Ka bujarë dhe ka dorështrënguar.
Prandaj, njohja e natyrës së njerëzve me të cilët kemi të bëjmë na kursen shumë lodhje, si neve ashtu edhe atyre.
Madje na ndihmon të parashikojmë reagimet e tyre, duke u bazuar në atë që dimë për karakterin e tyre.
⸻
Mësimi i katërt
Kur fisi Abdul-Kajs erdhi te Profeti ﷺ për të pranuar Islamin, pjesëtarët e fisit nxituan të hynin tek ai.
Vetëm prijësi i tyre, Eshaxh ibn Abdul-Kajs, u vonua.
Ai qëndroi derisa veshi rrobat më të bukura dhe përdori parfum.
Kur hyri te Profeti ﷺ, ai i tha:
“Ti ke dy cilësi që Allahu i do: butësinë (hilmin) dhe maturinë (ananë).”
Ai pyeti:
– O i Dërguari i Allahut! A jam krijuar me këto cilësi apo i kam fituar me përpjekje?
Profeti ﷺ u përgjigj:
– “Jo, ti je krijuar me to.”
Ky është një tekst i qartë që tregon se njerëzit lindin me natyra të ndryshme, me të cilat Allahu i ka krijuar që në barkun e nënave të tyre.
Këtë e shohim çdo ditë në jetë:
Në të njëjtën familje gjendet bujari dhe koprraci.
Dy vëllezër, nga i njëjti baba dhe e njëjta nënë, mund të jenë njëri fisnik e tjetri egoist.
Njëri mund të jetë i urtë, tjetri zemërak, megjithëse janë rritur në të njëjtën shtëpi dhe janë ushqyer nga i njëjti burim.
I Lartësuar qoftë Allahu, i Cili i ka dalluar njerëzit nga njëri-tjetri, ashtu siç dallohen bimët që ujiten me të njëjtin ujë.
Ed-hem Sherkavij
