Investimi është shpesh produktiv në kuptimin që me kalimin e kohës kthen një produkt total më të madh ose më të vlefshëm se burimet e investuara. Me pak fjalë, investimi shpesh ka një produkt neto margjinal pozitiv.
Ekzistojnë tre karakteristika themelore dhe të ndërlidhura të produktit neto margjinal të investimit (PNMI), të cilat mund të përshkruhen me tre “P”: është afatgjatë, i pasigurt dhe pozitiv. Ai është afatgjatë sepse përfitimet e tij mund të realizohen vetëm me kalimin e kohës. Çdo investim real fillon duke përdorur burime të vlefshme dhe jep një rrjedhë përfitimesh të shpërndara përgjatë disa periudhave në të ardhmen.
PNMI është gjithashtu probabilistik ose i rrezikshëm ose i pasigurt. Mund të jetë pozitiv, negativ ose zero në kuptimin që vlera e PNMI me kalimin e kohës mund të jetë më e vogël, më e madhe ose thjesht e barabartë me burimet e përdorura në investim.
Por, edhe pse produkti neto margjinal i çdo investimi të vetëm është i pasigurt dhe mund të rezultojë negativ, vlera e tij e pritur është zakonisht pozitive. Investimi, edhe pse gjithmonë i rrezikshëm, ka mesatarisht një produkt neto marginal pozitiv.
Këto karakteristika të PNMI do të thonë që burimet e marra më herët kanë mundësinë të investohen për një kohë më të gjatë dhe, për pasojë, janë potencialisht më produktive mesatarisht. Kjo justifikon diskontimin e përfitimeve dhe kostove të ardhshme, për sa kohë që ato mund të këmbehen në burime të investueshme dhe ekziston me të vërtetë mundësia për t’i investuar. Përfitimet dhe kostot e shumicës së investimeve janë të tilla që logjika e diskontimit aplikohet për to, por kjo nuk është gjithmonë e vërtetë, siç do të shpjegojmë më poshtë.
Diskontimi, i parë në këtë mënyrë, është një zbatim i konceptit të kostos së mundësisë së investimit të burimeve me kalimin e kohës. Është e arsyeshme që shkalla e diskontimit (ose madhësia e faktorëve të diskontimit) të lidhet me produktin margjinal të investimeve të tjera të mundshme që kanë një shkallë të ngjashme pasigurie.
- Kur nuk duhet të aplikohet diskontimi
Është e mundur të gjenden raste të jashtëzakonshme ku mungon arsyeja për të justifikuar diskontimin. Një rast i tillë është mungesa e mundësive të përshtatshme për investim për shkak të faktorëve institucionalë ndërkombëtarë ose vendorë. Në disa vende të naftës, për shembull, një fuçi shtesë nafte e prodhuar tani (të ardhurat e së cilës duhet të ruhen ose të vendosen në investime të dyshimta) nuk është më produktive se një fuçi e prodhuar më vonë, kur ndryshimet institucionale në favor të investimeve efektive do të jenë arritur. Për vende të tilla do të ishte e arsyeshme të mos diskontoheshin të ardhurat e ardhshme nga prodhimi i naftës, apo edhe të aplikohej një diskontim negativ, ku të ardhurat e ardhshme rriten në vend që të zvogëlohen.
Një rast tjetër lind kur produkti i një investimi të propozuar nuk mund të shkëmbehet konceptualisht në burime të investueshme. Për shembull:
Një xhami ku numri i njerëzve që marrin pjesë ose falen është një masë e prodhimit,
Një spital ose një njësi shëndetësore ku prodhimi është numri i njerëzve që lehtësohen nga një dhimbje e caktuar,
Përmirësimi i një rruge për të reduktuar aksidentet fatale (pra shpëtimi i një numri jetësh në vit).
Kostot e investimit në të tre rastet duhet t’i nënshtrohen diskontimit, sepse ato mund të përdoren diku tjetër në ekonomi. Por nuk është e qartë pse përfitimet e projekteve të tilla duhet të diskontohen. A janë dhjetë persona të lehtësuar nga dhimbja (ose të pajisur me hapësirë për falje) pas njëzet vitesh më pak “të vlefshëm” sesa i njëjti numër që marrin të njëjtat përfitime vitin e ardhshëm?
