8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Policia e Kosovës sërish demanton mediat serbe, thonë se nuk ka ndodhur asnjë incident në Bërnjak

Më të lexuarat

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka demantuar një lajm të publikuar në një medium serb, se kinse në Bërnjak është paraqitur një situatë dramatike dhe se pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë tentuar të nxjerrin nga vetura një person dhe se  KFOR-i e ka parandaluar incidentin.

Policia e Kosovës thekson se një informacion i tillë ka për qëllim dezinformimin e opinionit, transmeton Telegrafi.

“Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar demanton shkrimin tendencioz dhe të pavërtetë të publikuar në mediumin serb kosovo-online, se kinse në Bërnjak është paraqitur një situatë dramatike, ku kinse pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë tentuar të nxjerrin nga vetura një person dhe KFOR e ka parandaluar incidentin.
Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit në të gjitha rastet ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, përfshirë edhe mundësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave në të gjitha pikat e kalimit kufitar.

Një informacion i tillë, i pavërtetë dhe tendencioz ka për qëllim dezinformimin e opinionit, nxitjen dhe krijimin e pasigurisë tek qytetarët dhe plotësimin e ambicieve të orientuara nga politikat e ndryshme nga jashtë”, thuhet në reagim.

Policia shton tutje se, “referuar informacioneve zyrtare, të verifikuara mirë dhe saktë nga terreni, një rast i tillë nuk ka ndodhur fare, jo vetëm në pikën kufitare në Bërnjak por as edhe në ndonjë lokacion apo pikë tjetër kufitare, andaj kjo është vetëm një informatë e pavërtetë dhe tendencioze”.

“Policia e Kosovës do të vazhdoj angazhimin dhe përkushtimin e saj, në zbatimin e ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend dhe ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime”. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit