Ibën el-Xhunejd përcjell një thënie prekëse nga imami i njohur Jahja ibn Ma’ini, i cili ka thënë:
“Ne flasim me kritikë për disa njerëz, ndërkohë që ndoshta ata kanë më shumë se dyqind vjet që i kanë ngulur tendat e tyre në Xhenet.”
Kjo është një thënie që prek thellë zemrat e dijetarëve të devotshëm nga selefët. Prandaj, Ibën Mehrujeh, i cili e transmeton këtë rrëfim, thotë:
“Hyra te Abdurrahman ibn Ebi Hatimi, ndërsa ai po ua lexonte njerëzve librin El-Xherh ue et-Ta’dil. Ia tregova këtë rrëfim. Ai shpërtheu në lot, duart filluan t’i dridheshin derisa libri i ra nga dora. Vazhdoi të qante dhe më kërkoi t’ia përsërisja përsëri këtë rrëfim. Atë ditë nuk lexoi më asgjë në atë mexhlis.”
Sa madhështore ishte kjo devotshmëri! Sa të pastra dhe të ndjeshme ishin ato zemra!
Megjithëse fjalët e tyre për njerëzit bëheshin për të ruajtur Sunetin e të Dërguarit të Allahut ﷺ, ato nuk ishin thjesht të lejuara, por ishin një detyrë fetare, pa asnjë dyshim. Përmes tyre realizohej një prej synimeve më të domosdoshme të Sheriatit. Po të mos ishte kritika e dijetarëve të hadithit ndaj transmetuesve, Suneti i të Dërguarit të Allahut ﷺ nuk do të ishte ruajtur.
Megjithatë, edhe pse e dinin këtë, zemrat e tyre mbeteshin të mbushura me frikë, sepse e njihnin peshën e madhe të të folurit për nderin e njerëzve dhe kishin frikë se mos gabonin në ixhtihadin e tyre.
Pasha Allahun, më vjen keq kur shoh gjendjen e disa të rinjve të kohës sonë, të cilët merren pa pushim me nderin e besimtarëve të vdekur. Çdo ditë hedhin ndaj kujt të duan fjalë përçmimi, sharje, fyerje, akuzë për kufër apo për mëkate të rënda, pa asnjë frenim dhe pa ndjerë përgjegjësi, duke pretenduar se po paralajmërojnë nga bidatçinjtë.
E nëse dikush ua kujton Allahun dhe u thotë se nderi i besimtarëve është një humnerë prej humnerave të Zjarrit, dhe se mbrojtja e Sunetit dhe kundërshtimi i bidatit mund të bëhen plotësisht edhe pa cenuar nderin e njerëzve, ata e përçmojnë këshilluesin, duke pretenduar se ai nuk e njeh metodologjinë e selefëve.
Më dhimbsen, sepse ata shfaqin dashuri për selefët, kujdes për Sunetin dhe xhelozi për të, por njëkohësisht tregojnë një guxim të shëmtuar, të ushqyer nga një dobësi e dukshme në dije. Kjo i shtyn të cenojnë nderin e njerëzve pa asnjë nevojë, të përhapin dëme pa sjellë dobi, derisa heshtja nga të folurit për nderin e njerëzve – vetëm si shenjë devotshmërie dhe kujdesi – është bërë, sipas tyre, diçka e papranueshme dhe në kundërshtim me metodologjinë e selefëve.
Prandaj, ata nuk përfitojnë më nga këshillat e këshilluesve dhe nuk frikësohen nga paralajmërimet e predikuesve, sepse kanë filluar ta konsiderojnë fyerjen dhe cenimin e nderit të njerëzve si pjesë të adhurimit të tyre ndaj Allahut dhe si një domosdoshmëri të akides së drejtë selefite.
Gjendja e tyre, në mospranimin e këshillës, i ngjan gjendjes së atij që ka rënë në bidat. Selefët kanë tërhequr vëmendjen se një njeri i tillë e ka shumë të vështirë të pendohet, sepse ai e konsideron bidatin e tij si një vepër me të cilën afrohet tek Allahu.
✍️ Dr. Fehd el-Axhlan
