Nuk jemi urdhëruar të kontrollojmë qëllimet e njerëzve… por të përmirësojmë zemrat tona

Më të lexuarat

Urtësia thotë:

“Sillu me njerëzit sipas asaj që shfaqin, ndërsa të fshehtat e zemrave lëri në dorën e Atij që i di të gjitha të fshehtat.”

Ky është një parim madhështor. Sikur ta kuptonim dhe ta zbatonim si duhet, zemrat tona do të gjenin qetësi dhe mosmarrëveshjet mes nesh do të pakësoheshin.

Pejgamberi ﷺ i tha Usame ibn Zejdit, pasi ai vrau një njeri që kishte shqiptuar: “La ilahe il-lAllah”:

“A ia çave zemrën për të ditur çfarë kishte në të?”

Një fjali e vetme tronditi zemrën e një sahabiu të madh.

Ai nuk i tha vetëm: “Pse e bëre këtë?” Përkundrazi, ia kujtoi një të vërtetë të madhe: Ti je rob i Allahut, ndërsa zemrat nuk janë në kompetencën tënde.

Allahu i Lartësuar thotë:

“O ju që keni besuar! Shmanguni shumë prej hamendësimeve, sepse disa hamendësime janë mëkat.” (El-Huxhurat: 12).

Hamendësimi është një përpjekje e kotë për të depërtuar në një nijet, çelësat e të cilit nuk i zotërojmë.

Ai që merret me nijetet e njerëzve jeton në ferrin e dyshimeve. Analizon çdo fjalë, interpreton çdo heshtje dhe dyshon në çdo vonesë. Kështu lodh veten dhe lodh edhe ata që e rrethojnë.

Njeriu i mençur e di se koha e tij është e çmuar. Ose merret me të metat e veta për t’i përmirësuar, ose merret me të metat e njerëzve dhe shkatërron vetveten.

Hasan el-Basriu ka thënë:

“Sa më shumë që shtohej një rob në mirësi, aq më shumë i shtohej frika se mos veprat e tij nuk pranoheshin.”

Rinovoje nijetin tënd çdo mëngjes dhe thuaj:

“O Allah! Të lutem, më dhuro sinqeritet në çdo vepër.”

Në zemrën e njeriut kalojnë qindra e mijëra mendime çdo ditë. Nuk e ke në dorë t’i ndalosh ato, por e ke në dorë se si do t’u përgjigjesh.

Nëse të vjen një mendim xhelozie, kërko falje nga Allahu dhe lutu që Ai ta begatojë vëllanë tënd.

Nëse të vjen një mendim për përgojim, mbylle gojën dhe përmende Allahun.

Ne nuk japim llogari për mendimin që na kalon në zemër, por për atë që e ushqejmë, e shndërrojmë në fjalë ose e zbatojmë me vepra.

Le të sillemi me njerëzit sipas këtij parimi të artë:

I gjykojmë sipas asaj që shfaqin, ndërsa të fshehtën ia lëmë Allahut.

Ki mendim të mirë për njerëzit dhe lutu që Allahu t’i forcojë në të vërtetën.

Umer ibn el-Hattabi رضي الله عنه ka thënë:

“Mos mendo keq për një fjalë që del nga vëllai yt, përderisa mund t’i gjesh një kuptim të mirë.”

O vëlla!

Të merresh me nijetet e njerëzve është lodhëse; t’i gjykosh ata është rraskapitëse, ndërsa përfundimi është i pavlefshëm.

Ndërsa të merresh me zemrën tënde është fitim; fryti i saj është qetësia, ndërsa shpërblimi i saj është kënaqësia e Allahut.

Prandaj, puno me zemrën tënde: pastroje, ndriçoje dhe mbikëqyqe vazhdimisht.

Ndërsa zemrat e njerëzve lëri në dorën e Krijuesit të tyre.

Pasha Allahun! Nuk shpëton ai që ka bërë më shumë vepra, por ai që vjen para Allahut me një zemër të pastër.

”…përveç atij që vjen tek Allahu me zemër të shëndoshë.” (Esh-Shuara: 89).

Hejthem Ebu Ish-hak El-Huvejni

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit