Nuk është vetëm çështje flamingosh: nga Sazani sundohet gjithë Adriatiku…

Më të lexuarat

Kush do kontrollojë pikën më strategjike të rajonit dhe pse hesht Evropa?

Paolo Deganutti

Protestat në Shqipëri janë paraqitur si një reagim kundër ndërtimit të një resorti në Sazan. Por debati i vërtetë shkon shumë më larg. Nuk bëhet fjalë vetëm për mjedisin apo flamingot, por fjalë për kontrollin e një prej pikave më strategjike të Adriatikut dhe për ndikimin që aktorë të lidhur ngushtë me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara mund të ushtrojnë në këtë zonë.

Sazani ndodhet në hyrje të Ngushticës së Otrantos, kalimi që lidh Adriatikun me Mesdheun. Çdo fuqi që fiton ndikim në këtë ishull fiton edhe një avantazh të rëndësishëm mbi një korridor jetik për tregtinë, energjinë dhe lëvizjen ushtarake në rajon.

Në qendër të projektit është Affinity Partners, fondi i Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump. Fondi menaxhon miliarda dollarë të ardhura kryesisht nga fondet sovrane të Arabisë Saudite, Katarit dhe vendeve të tjera të Gjirit.

Këto nuk janë thjesht investime financiare. Ato janë instrumente që shpesh shoqërojnë objektiva strategjikë dhe diplomatikë. Por elementi që ngre më shumë pikëpyetje është lidhja me Izraelin.

Affinity Partners është aksioner i rëndësishëm në Phoenix Holdings, një nga grupet më të mëdha financiare dhe të sigurimeve në Izrael. Për kritikët, kjo nuk është një lidhje rastësore.

Ajo e vendos projektin e Sazanit brenda rrjetit të bashkëpunimit ekonomik dhe politik që është ndërtuar vitet e fundit mes Izraelit, Shteteve të Bashkuara dhe monarkive të Gjirit.

Ky është i njëjti bosht që qëndron edhe pas projekteve të mëdha rajonale, si korridori ekonomik Indi-Lindja e Mesme-Evropë (IMEC), i konceptuar për të forcuar lidhjet ekonomike dhe strategjike mes Izraelit dhe vendeve arabe.

Edhe pse luftërat e fundit në Lindjen e Mesme kanë ngadalësuar disa prej këtyre planeve, ato nuk i kanë ndalur. Në këtë këndvështrim, Sazani nuk duket më si një resort luksoz në brigjet shqiptare. Ai bëhet pjesë e një arkitekture më të gjerë ndikimi në Mesdhe.

Paradoksi është se Perëndimi ka përdorur prej vitesh argumentin e “përdorimit të dyfishtë” për të kundërshtuar investimet kineze në porte dhe infrastruktura strategjike evropiane. Sepse një port civil, mund të shndërrohet lehtësisht në një aset ushtarak ose inteligjence.

Por pse i njëjti standard nuk zbatohet për Sazanin? Ishulli ka një trashëgimi të gjerë ushtarake, me bunkerë, tunele dhe pozicione të fortifikuara që mund të marrin funksione të tjera në rast krizash.

Nëse ekziston shqetësimi për përdorimin e dyfishtë të një porti tregtar, ai duhet të jetë edhe më i madh për një ishull me këtë pozicion strategjik. Kjo është arsyeja pse shumë vende e shohin me skepticizëm qasjen perëndimore.

Kur investitori është kinez, rreziku konsiderohet i papranueshëm. Kur investimi lidhet me qarqe izraelito-amerikane, të njëjtat pyetje pothuajse nuk shtrohen.

Dhe ky standard i dyfishtë ushqen mosbesimin dhe dobëson pretendimin se rregullat zbatohen njësoj për të gjithë. Ndërkohë, marrëdhëniet mes Izraelit dhe Turqisë janë bërë gjithnjë e më të tensionuara.

Shumë analistë paralajmërojnë se rivaliteti mes dy vendeve mund të shtrihet edhe në Mesdheun Lindor. Në një skenar të tillë, kontrolli ose ndikimi mbi pika strategjike si Sazani merr një rëndësi shumë më të madhe sesa ajo që i atribuohet sot.

Pikërisht për këtë arsye debati nuk duhet të kufizohet te ndërtimi i një hoteli apo te mbrojtja e një ekosistemi.

Pyetja kryesore është tjetër: a po bëhet Sazani një nyje e re e ndikimit izraelito-amerikan në Adriatik, ndërsa Evropa zgjedh të mos e diskutojë këtë realitet?

Në fund, çështja nuk është vetëm turizmi. Është gjeopolitika. Dhe në gjeopolitikë, ishujt strategjikë rrallëherë janë thjesht ishuj. \tesheshi.com\

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit