4.1 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Peshorja e veprave

Më të lexuarat

Nga: Amer Halid

Peshorja e veprave

Një moment tjetër i vështirë Ditën e Kiametit, do të jetë ai kur të peshohen veprat e njerëzve. Thotë Zoti në Kuran rreth kësaj dite:”Gjëmimi i tmerrshëm! Ç’është Gjëmimi i tmerrshëm? Kush mund të ta shpjegojë ty se çfarë është Gjëmimi i tmerrshëm? Atë Ditë njerëzit do të jenë si fluturat e shpërndara, kurse malet si leshi i shprishur. Sa i përket atij, veprat e (mira të) të cilit do të rëndojnë në peshore, ai do të ketë një jetë të kënaqur (në Xhenet). E sa i përket atij, veprat e (mira të) të cilit nuk do të rëndojnë në peshore, Ai do të ketë si strehim Humnerën (e Xhehenemit). Kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është Humnera (e Xhehenemit)? Ajo është një Zjarr i vrullshëm. (Karia, 1-9)
Në një ajet tjetër, Zoti i lartësuar thotë:”
“Peshimi (i veprave), atë ditë do të jetë i drejtë. Ata që u rëndon peshorja me vepra të mira, do të jenë të shpëtuar; kurse ata që e kanë të lehtë peshoren me vepra të mira, do të humbin veten e tyre.” (Araf, 8-9)
“Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje.” (Enbija, 47)
Peshorja e veprave, është stacioni i parafundit, para se të kalohet ura e Siratit. Që aty do të merret vesh nëse do të përfundosh në xhenet, apo në xhehenem. Vallë në ç’gjendje është peshorja e veprave të tua sot o vëlla dhe oj motër? A përpiqesh që çdo muaj Ramazani ta shtosh llogarinë e veprave të mira? Nëse do të peshoheshin veprat e tua sot, vallë cila anë e peshores do të ishte më e rëndë?
Një ditë, Profeti a.s kishte vënë kokën në prehrin e Aishes dhe e kishte zënë gjumi. Në një çast, Aishes i rrjedhin lotë, të cilët bien mbi fytyrën e Profetit a.s. Ai zgjohet dhe duke e parë Aishen të qajë e pyeti:”Përse qan o Aishe?”
Ajo iu përgjigj:”Mu kujtua Dita e Kiametit o i dërguar i Allahut dhe pyeta veten nëse do i kujtojmë familjarët tanë atë Ditë apo jo!”
Profeti a.s i tha:”Po o Aishe, do i kujtojmë familjarët tanë Ditën e Kiametit, përveç tre stacioneve, ku njeriu nuk do të kujtojë veçse veten e tij.”
Aisheja e pyeti:”Cilat janë ato o i dërguar i Allahut?”
Profeti a.s u përgjigj:”Kalimi i urës së Siratit, fluturimi i librave dhe peshorja e veprave.”
Thotë Profeti a.s:”çdo njëri prej jush do të shohë nëse peshorja e veprave të mira do të jetë më e rëndë apo më e lehtë.”
Peshorja e veprave do të ndodhë pasi të ketë marrë secili prej nesh regjistrin e veprave të tij. Ka njerëz të cilët do u jepet ky regjistër në dorën e djathtë dhe të tjerë në dorën e majtë. Ai që e merr në dorën e djathtë gëzohet pamasë, pasi është shenjë që veprat e tij të mira janë më të shumta. Në çastin kur të fluturojnë regjistrat e veprave secili do të jetë në gjendje paniku dhe frike, pasi nuk dihet në cilën dorë do i jepet. Është pikërisht ky regjistër ai që do të peshohet në peshore. Në çastin që libri të vjen në krahun e djathë, gëzimi dhe hareja do të jenë të papërshkrueshëm. Me librin në dorën e djathtë do të vraposh mes njerëzve duke u treguar mbi këtë fakt. Këtë e përmend vetë Zoti në Kuran ku thotë:”Ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e djathtë, do t’u thotë (njerëzve të tij): “Ja, lexoni librin tim! Vërtet, unë kam qenë i bindur se do të jepja llogari.” Kështu, ai do të ketë jetë të lumtur, në një kopsht të lartë, frutat e të cilit do t’i kapë lehtë. (Njerëzve të tillë u thuhet:) “Ju bëftë mirë, hani e pini për atë, që keni bërë në ditët e kaluara!” (Haka, 19-24)
Kurse ai që do e marrë librin në dorën e majtë, do të mjerohet për ditët që kaloi larg Zotit. Thotë Zoti në Kuran:”Por ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e majtë, do të thotë: “Ah, sikur të mos më ishte dhënë libri im dhe të mos e kisha ditur llogarinë time!Ah, të kisha qenë i vdekur (e të mos isha ringjallur)! Pasuria ime nuk më solli dobi dhe më la fuqia ime!” (Haka, 25-29)
Do të ketë njerëz jobesimtarë dhe ateistë, të cilët e ndjejnë se libri do u jepet në dorën e majtë, kështu e fshehin atë pas shpine. Por edhe pas shpine do u jepet libri i veprave të tyre. Këtë e përmend Zoti në Kuran ku thotë:”Kurse ai, të cilit do t’i jepet libri i tij pas shpinës, do të lutet për të vdekur dhe në zjarr do të digjet, sepse ai jetonte i shkujdesur në familjen e tij.” (Inshikak 10)
Ndërkohë që do të ketë jobesimtarë të tjerë të cilët do të tentojnë ta këpusin fare krahun e majtë, me qëllim që të mos e marrin me atë krah. Vallë në  cilin krah pret të të vijë libri o vëlla dhe oj motër?
Me të përfunduar marrja e librave të veprave, do të vendoset peshorja që do të peshojë çdo vepër të mirë apo të ligë, të madhe apo të vogël.
Profeti a.s e përshkruan peshoren me fjalët:”Një anë e saj nxë qiejt dhe tokën bashkë.”
Peshorja është kaq e madhe, pasi aty do të vendoset e gjithë jeta e njeriut, çdo moment dhe çast, çdo sekondë, çdo vepër sado e vogël qoftë. Aty do të peshohet edhe një e shkelur syri, edhe një lëvizje koke në shenjë tallje, edhe një buzëqeshje ironike, edhe një fjalë sado e vogël.
Thotë Profeti a.s:”Do të vendoset peshorja dhe do të vijë engjëlli përgjegjës për peshoren, kurse njeriu do të vendoset mes dy anëve të peshores. Më pas do të sillet regjistri i veprave, ku çdo vepër do të trupëzohet.”
çdo punë që ke vepruar në këtë botë, do të marrë trajtë materiale, do të trupëzohet dhe ashtu do të vihet në peshore. Në ato çaste, do të shohësh të gjithë gjynahet që ke vepruar në këtë botë. Do i kujtosh të gjitha dhe do i shohësh që secili merr formën dhe trupëzohet para syve të tu. Thotë Zoti në Kuran lidhur me këtë fakt:”Dhe Libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara, e do t’i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar atë”. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” (Kehf, 49)
Aty do e shohësh të trupëzuar çdo vepër tënden, lëmoshën e dhënë në fshehtësi, marrëdhëniet jashtëmartesore dhe  gjithçka tjetër.
Thotë Zoti në Kuran:”(Kini frikë) ditën, kur çdokush do ta gjejë përpara atë që ka punuar mirë dhe atë që ka punuar keq, duke dëshiruar që midis tij dhe së keqes së tij, të ketë largësi të madhe. Allahu ju paralajmëron që t’i ruheni Vetes së Tij. Allahu është i Butë e i Mëshirshëm me robërit e Vet.” (Al Imran, 30)
Gjynahet dhe veprat e tjera do i shohin të gjithë njerëzit teksa trupëzohen. Ato do i shohin edhe prindërit e tu, Profeti a.s, melekët dhe vetë Allahu i madhëruar.
Thotë Zoti në Kuran:”dhe se njeriu do të ketë vetëm atë për të cilën ka punuar; se përpjekjet e tij do të shihen dhe se do të shpërblehet me shpërblim të plotë;” (Nexhm, 39-41)
“Ne i kemi urdhëruar (engjëjt) që të shkruajnë të gjitha ç’keni bërë”. (Xhathije, 29)
Ashtu siç do të trupëzohen gjynahet, do të trupëzohen edhe veprat e mira. Nëse ti o motër je bërë shkak që një shoqe e jotja të përkushtohet në islam, kjo vepër do të trupëzohet dhe do e shohin të gjithë teksa peshohet. Gëzimi yt do të jetë shumë i madh dhe sytë do të shkëlqejnë nga hareja. Në peshore do të vendoset edhe sakrifica jote që ditën që veshe hixhabin dhe nuk e hoqe gjer në vdekje. Ato ditë do i shohësh të trupëzuara dhe do të ndihesh krenare për këtë vepër. Në peshore do të vendoset edhe dita kur i theve të gjitha shihet me raki dhe i derdhe përtokë. Në peshore do të vendoset edhe ajo ditë që vajte tek një familje jetimësh dhe u bleve dhurata. Gëzimi i tyre dhe buzëqeshja do të marrin formë dhe do të peshohen para gjithë njerëzve të tjerë.
Pasi të kenë marrë formë të gjithë veprat e tua, do të jesh ti ai që do i vendosësh në peshore. Veprat e mira do i vendosësh në njërën anë, kurse të këqiat në anën tjetër. Imagjinoje pak veten duke vendosur në peshore gjynahet e tua. Imagjinoje veten duke vendosur në peshore pasurinë e fituar nga kamata. Vallë sa e rëndë mund të jetë? Imagjinoje veten o motër teksa vendos në peshore përgojimin që u ke bërë shoqeve të tua.
“…dhe do të bartin gjynahet e veta mbi shpinat e tyre. Eh, sa e shëmtuar është ajo barrë!” (En’am, 31)
“Ata, do t’i mbartin barrët e veta e bashkë me to edhe barrë të tjera dhe patjetër, që do të pyeten Ditën e Kiametit për gjithçka, që trillonin.” (Ankebut, 13)
Barra tjetër që do të mbartin përveç barrës së tyre, është fakti që u bënë shkak që shumë njerëz të tjerë të humbasin rrugën e Zotit.
Lidhur me atë që nuk e ka dhënë zekatin e pasurisë, Profeti a.s thotë:”Do të sillet ai që nuk e ka dhënë zukatin Ditën e Kiametit, me një gjarpër që i është mbështjellë në qafë. Ai do i thotë:”Unë jap pasuria jote, unë jam thesari yt.” Më pas Profeti a.s lexoi:”
“Ata që bëhen koprracë me të mirat që ua ka dhënë Allahu, kurrsesi të mos mendojnë se kështu është më mirë për ta! Jo, kjo është më keq për ata! Ajo që kanë grumbulluar do t’u ngarkohet atyre në qafë Ditën e Kiametit. E Allahut është trashëgimia e qiejve dhe e Tokës dhe Allahu e di mirë ç’punoni ju.” (Al Imran, 180)
Nëse prindërit tuaj nuk e japin zukatin, shkoni dhe u kërkoni me përgjërim që ta bëjnë këtë. Mos prit o vëlla që të dalësh para peshores me një gjarpër në qafë, për shkak se nuk ke dhënë zekatin. Shpejto dhe jepe tani pa qenë vonë.
Lidhur me shpërblimin e agjërimit dhe mësimit të Kuranit, Profeti a.s thotë:”Do të vijë agjërimi dhe Kurani dhe do të ndërmjetësojnë tek Zoti për dikë. Agjërimi do të thotë:”O Zot! Unë ia ndalova ushqimin gjatë ditës, prandaj pranoje ndërmjetësimin tim. Kurse Kurani do i thotë:”O Zot! Unë e privova nga gjumi natën, prandaj pranoje ndërmjetësimin tim.” Më pas, Zoti ua pranon ndërmjetësimin.”
Imagjinojeni veten para peshores, sapo i ke vendosur të gjitha veprat, të mira dhe të liga, dhe veprat e liga janë pak më shumë se të mirat. Për një vepër të ligë, do të hysh në zjarr. Ndoshta për një namaz në xhami, veprat e liga janë më shumë. Atë ditë do të kesh nevojë për një fjalë subhanallah që veprat e mira të jenë më shumë.
Ditën e Kiametit do të vijë dikush dhe do i peshohen veprat që ka punuar, të mirat dhe të këqijat. Veprat e këqija do të jenë më të shumta, kështu peshorja e punëve të këqija do të jetë më e rëndë. Atij i duhet vetëm një vepër e mirë, e cila do i ndryshojë ekuilibrat. Do të fillojë t’u kërkojë njerëzve një të mirë, e cila do ia mundësojë të hyjë në xhenet. Fillimisht do të shkojë tek nëna e tij, por ajo do refuzojë t’ia japë
duke i thënë:”Vetja ime, vetja ime.” Do të shkojë tek babai, vëllezërit, motrat, fëmijët, shokët etj… por të gjithë i përgjigjen me të njëjtën përgjigje. Në fund do të kalojë pranë një njeriu që ka male me vepra të këqija dhe nuk ka veçse një vepër të mirë. Ai do i thotë:”Unë jam se jam i humbur. Merre ti këtë të mirë dhe shpëto!” Atëherë do të gëzohet. Zoti do i thërrasë atij që i dha të mirën:”Ti nuk je më i mëshirshëm se Unë. Prandaj hyni të dy së bashku në xhenet.”
“Gjëmimi i tmerrshëm! Ç’është Gjëmimi i tmerrshëm? Kush mund të ta shpjegojë ty se çfarë është Gjëmimi i tmerrshëm? Atë Ditë njerëzit do të jenë si fluturat e shpërndara, kurse malet si leshi i shprishur. Sa i përket atij, veprat e (mira të) të cilit do të rëndojnë në peshore, ai do të ketë një jetë të kënaqur (në Xhenet). E sa i përket atij, veprat e (mira të) të cilit nuk do të rëndojnë në peshore, Ai do të ketë si strehim Humnerën (e Xhehenemit).” (Karia, 1-9)
Ndërkohë që të peshohen veprat, zemra jote do të rrahë aq shumë nga frika dhe paniku, saqë të duket sikur gjëmon. Ankthi i asaj dite do të jetë shumë i madh.
Thotë Zoti në Kuran mbi atë ditë:”ditën (e Kiametit) kur disa fytyra do të zbardhen e disa të tjera do të nxihen.” (Al Imran, 106)
“Kjo është një ditë, kur ata nuk do të mund të flasin dhe nuk do t’u jepet leje për t’u shfajësuar.” (Murselat, 35-36)
“..për Ditën, kur ata do të paraqiten të zbuluar, kur asgjë e tyre nuk do të jetë e fshehtë për Allahun. Kujt i përket pushteti i asaj dite? Allahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit! Atë ditë, çdo njeri do të shpërblehet sipas asaj që ka punuar; atë ditë nuk ka padrejtësi! Allahu, me të vërtetë, është i shpejtë në llogari.” (Gafir, 16)
“Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik!” (Furkan, 27-28)
Atë ditë do të ketë fytyra të zbardhura, plot hir dhe gëzim për shkak se punët e mira janë më të shumta.. Ashtu siç do të ketë fytyra të zymta dhe të nxira për shkak të gjynaheve dhe të dënimit që i pret.
Thotë Profeti a.s:”Do të vijë një burrë i shëndoshë ditën kur peshohen veprat dhe për shkak se veprat e këqija janë më shumë, ai do të hidhet në peshore, në anën e veprave të mira me qëllim që ta rëndojë, por që nuk do të peshojë as edhe sa një krah mushkonje.”  Më pas Profeti a.s lexoi ajetin:”Ne nuk do të vëmë kurrfarë peshe për ta (për veprat e tyre), në Ditën e Kiametit.” (Kehf, 105)
“Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshoret e sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi.” (Enbija, 47)
Sipas mendimit të disa dijetarëve, bazuar në këtë ajet, peshoret e veprave do të jenë të shumta dhe jo vetëm një. Një peshore do të jetë për të peshuar moralin dhe edukatën tënde. Një peshore do të jetë për të peshuar adhurimet dhe përkushtimin fetar. Një peshore do të jetë për të folurën, një tjetër për të drejtat e njerëzve, një peshore tjetër për të peshuar kontributin tënd në përhapjen e islamit… dhe në çdo peshore do të vihen veprat e mira dhe ato të këqija.
Vallë si do të jetë peshorja e fjalëve tua o motër? Me çfarë fjalësh do të jetë e mbushur? Në ç’gjendje është peshorja e kontributit tënd për islamin o vëlla dhe motër? Sa është depozita juaj në këtë peshore? Po lidhur me peshoren e adhurimeve, në ç’hall është ajo? Vallë a ka ndonjë që i lexon këto rreshta dhe që peshorja e veprave të mira është bosh fare?
 
Vepra të vogla dhe të mira, por që rëndojnë në peshore.
1 – Sadakaja. Thotë Profeti a.s:”Kush jep sadaka qoftë dhe me vlerën e një koke hurme, nga një pasuri e fituar në rrugë të ndershme, pasi Zoti nuk e pranon veçse atë që është fituar ndershmërisht, Zoti do e shtojë atë për dorëdhënësin, ashtu siç kujdeset dikush prej jush për mëzin gjer sa të rritet. Ditët e Kiametit, ajo sadaka e dhënë do të vijë sa mali i Uhudit dhe do të vihet në peshore.”
2 – Shpërblimi i veprave të mira që të gjallët ua kanë dhuruar të vdekurve. Kur të jenë duke u peshuar veprat e dikujt, melekët do të venë në peshore edhe disa vepra që ai nuk i kujton t’i ketë vepruar. Ata do i thonë që është shpërblimi i disa veprave të mira, që fëmijët e tij ose të afërmit ua kanë dhuruar pasi kishin vdekur. Nëse edukimi me frymë fetare i fëmijëve nuk do të kishte shpërblim tjetër, do të mjaftonte si arsye që fëmijët tanë t’i edukojmë si të bëhen myslimanë dhe besimtarë të mirë. Ata prindër që bëhen pengesë dhe barrierë në rrugën e përkushtimit fetar të fëmijëve të tyre, do të vijë një ditë që të pendohen për atë që kanë bërë.
Dijetarët myslimanë kanë rënë në konsensus mbi katër vepra, shpërblimi i të cilave i arrin të vdekurit. Këto vepra janë:”Haxhi, Umreja, sadakaja dhe lutja.”
3 – Veshja e hixhabit për femrat. Shumë motra mendojnë se shpërblimin për veshjen e hixhabit e kanë marrë vetëm atë çast që e kanë veshur, por jo. çdokush që të sheh të veshur me hixhab dhe kujton Zotin, bëhet shkak që ti o motër të shpërblehesh. Për çdo çast që kalon, ti o motër shpërblehesh për hixhabin tënd që ke veshur.
4 – Shpërblimi për përpjekjet e dikujt që t’u mësojë njerëzve gjëra të dobishme. Thotë Profeti a.s:”Do të sillet dikush Ditën e Kiametit dhe do të vihet para peshores. Më pas do të sillet një re e rëndë dhe do të vihet në anën e veprave të mira. Personi do të pyes:”O Zot! Nga se erdhi kjo?” Zoti do i përgjigjet:”Është nga e mira që u ke mësuar njerëzve.”
Nëse i ke mësuar dikujt një hadith të Profetit a.s, dije se ai hadith do të vihet të peshohet në peshore.
Por atë Ditë do të ndodhë edhe e kundërta. Ndërkohë që e sheh peshoren e veprave të mira të mbushura plot e përplot dhe të rëndë sa s’ka më, në çast i sheh këto vepra të mira të shndërrohen në pluhur të pavlerë.
Thotë profeti Muhamed a.s:”Njoh disa njerëz nga umeti im që Ditën e Kiametit do të vijnë me vepra të mira sa mali i Tuhame, por që Zoti do ua shndërrojë pluhur.”
Të pranishmit që e dëgjuan këtë hadith, e pyetën të çuditur:”Po përse o i dërguar i Allahut?”
Profeti a.s u përgjigj:”Ata janë prej jush, kanë ngjyrën tuaj dhe flasin gjuhën tuaj. Ata janë njerëz që sa herë përballen me haramin, e veprojnë atë.”
Sa herë që është vetëm, vepron gjynahe dhe vepra të liga. Nuk i ka ndodhur që kur të jetë vetëm të veprojë një vepër të mirë, të falë dy rekate, të japë sadaka pa e marrë vesh kush etj… Të gjithë ne veprojmë gjynahe dhe këtë e bëjmë kur jemi larg syve të njerëzve, por bëjmë dhe të mira fshehurazi pa e ditur kush. Kurse personat e lartpërmendur në hadith, janë të tillë që veç vepra të liga veprojnë në vetmi dhe larg syve të njerëzve.
5 – Një vepër tjetër që e rëndon peshoren atë Ditë, do të jetë dhe nijeti, qëllimi i mirë. Nëse një vajzë bën nijet që pasi të martohet të lindë një djalë, të cilin do e edukojë që të bëhet si Salahudin Ejubi, të fuqizojë fenë etj… dhe ndodh që nuk martohet, ose nuk lind, ajo do e marrë shpërblimin sikur të kishin ndodhur të gjitha këto. Nëse një i varfër uron që të ketë edhe ai pasuri dhe t’i shpërndajë për përhapjen e islamit, për të ndihmuar të varfrit etj… do të shpërblehet sikur i ka bërë këto vepra.
Thotë Profeti a.s:”Kush rrit një kalë me qëllim që të përdoret për kauzën islame, ushqimi i tij dhe çdo hap do të vihen në peshoren e veprave të mira Ditën e Kiametit.”
Gjatë kohës që vihen punët në peshore, herë do të rëndohet peshorja e veprave të mira dhe herë ajo e veprave të këqija. Kjo do të ndodhë sidomos me ata që e merrnin fenë me hezitim, herë faleshin dhe herë nuk faleshin, herë në rrugën e Zotit dhe herë të tjera në atë të shejtanit. Njerëz të tillë do të përjetojnë ankth të madh teksa shohin peshoren e veprave të këqija të rëndohet.
Ndërkohë, do të ketë njerëz të tjerë që do t’u shkëlqejnë sytë nga gëzimi dhe lumturia, teksa shohin veprat e tyre të mira të dominojnë ato të këqijat. Ashtu siç do të ketë njerëz të cilët gjatë gjithë kohës do të vendosin veç vepra të liga në peshore.
Pasi të vendosen të gjithë veprat, të mira dhe të këqija në peshore, vjen çasti më i vështirë për njeriun. Në këtë moment, Zoti do të vendosë drejtësinë për të gjithë ata njerëz që u është bërë padrejtësi. Kushdo që i është bërë padrejtësi nga ky person, do të vijë dhe do të kërkojë nga Zoti të vendoset drejtësia. Ata do kërkojnë të drejtat e tyre për sharjet, përgojimet, fyerjet etj…
Thotë Profeti a.s:”Do të sillet peshorja dhe do të vendoset për të peshuar veprat e njerëzve. Pasi të peshohen veprat e dikujt, do të thërrasë një zë:”Ky është filani i biri i filanit! Kujt i është bërë padrejtësi prej tij, le të vijë të marrë hakun në këtë çast! Të gjithë ata njerëz të cilëve u ka bërë padrejtësi në dynja, do të shkojnë dhe do marrin nga veprat e tij të mira. Robi do të thërrasë:”O Zot! Mu mbaruan të gjithë veprat e mira!”
Vallë cilat janë veprat e tua të mira që i llogarit si më të shtrenjtat? Mos është agjërimi i Ramazanit dhe adhurimi që ke bërë gjatë këtij muaji? Imagjinoji ato çaste kur të të merret kjo vepër e mirë për shkak se ke përgojuar njerëzit! A e ndjen dhimbjen që të shkakton kjo?
Por do të ketë edhe më keq se kaq. Një ditë Profeti a.s i pyeti shokët:“A e dini se kush është i falimentuar?” Ata i thanë: “Tek ne i falimentuar është ai që nuk ka pasuri.” Profeti a.s u tha:“I  falimentuar, është ai që ditën e kiametit do të vijë me shumë namaz, shumë agjërime dhe vepra të mira, por ka sharë dikë, ka qëlluar dikë tjetër, ka vrarë dikë, ka marrë pa të drejtë pasurinë e njerëzve… Këto njerëz do t’i marrin të gjitha të mirat e tij derisa t’ i mbarojnë të mira. Kur t’i mbarojnë të mirat,, do t’i japin nga të këqijat e tyre, dhe më pas do të hidhet në zjarr.”
Pra jo vetëm që do të të merren veprat e mira, por do të të jepen edhe gjynahet e atyre të cilëve u ke bërë padrejtësi. Ruaje veten nga të bërit padrejtësi o vëlla dhe oj motër! Përse pranon që në peshoren e veprave të këqija të vendosen edhe gjynahe që ti nuk i ke vepruar? Përse pranon edhe gjynahet e të tjerëve?
Para se të vdesë, Profeti a.s u foli myslimanëve në xhami. Ndër të tjera, ai u tha:”Nëse dikujt ia kam nëpërkëmbur nderin, le të ma marrë hakun tani. Nëse dikujt i kam marrë pasuri, ja ku e ka pasurinë time, le të marrë ç’të dojë. Nëse dikë e kam goditur padrejtësisht, ja ku është shpina ime, le të më godasë. Unë dua të dal para Zotit pa asnjë padrejtësi mbi supe.”
Edhe pse momenti i peshimit të veprave do të jetë shumë i vështirë, Zoti e ka lënë të hapur derën e shpresës dhe të mëshirës. Thotë Profeti a.s në një hadith:“Dy njerëz nga umeti im, do të vijnë ditën e kiametit dhe do të gjunjëzohen para Arshit. Njëri prej tyre do thotë:”O Zot, merrma hakun, nga ky që më ka bërë padrejtësi.” Zoti do i thotë tjetrit:”Jepja hakun.” Por ai do i përgjigjet:”O Zot, më janë mbaruar të mirat e mia.” Zoti do i thotë të parit:”I janë mbaruar të mirat.” “O Zot, – do i thotë i pari- merr nga të këqijat e mia dhe hidhja atij.” Por Zoti do i thotë:”A nuk do të dëshiroje diçka më të mirë?” “Çfarë është ajo o Zot” – do pyesë ai. “Ngrije kokën dhe shiko” – do i thotë Zoti. Do e ngrejë kokën dhe do të shohë një pallat prej diamanti dhe floriri, gjë që nuk kish parë të tillë më parë.
I habitur do e pyesë Zotin:”I cilit profeti dhe i cilit shehid është ky pallat o Zot?” Zoti do i përgjigjet:”Është i atij që mundet ta paguajë çmimin e tij.”
Njeriu do e pyesë:”Po kush mundet ta paguajë çmimin e këtij pallati o Zot?” “Ti” – do i thotë Zoti.
“Po si o Zot?” do e pyesë njeriu.
“Duke e falur vëllain tënd – do i përgjigjet Zoti. “E kam falur o Zot, e kam falur” – do të thotë njeriu.
Zoti do i thotë:”Merre vëllain tënd për dore dhe hyni së bashku në xhenet.”
Dita e peshimit të veprave do të jetë e vështirë edhe për ata që nuk i shlyejnë borxhet. Thotë Profeti a.s:”Kush vdes duke pasur borxh qoftë dhe një dinar apo derhem, do i merren veprat e mira nga peshorja derisa të shlyejë borxhin.”
Nuk më harrohet një rast kur pashë mbi derën e një shtëpie të shkruar një letër:”Kujtdo që babai ynë i ka marrë borxh dhe nuk ia ka kthyer, le të sjellë një dëshmitar dhe të vijë të marrë të drejtën e tij.”
Veçsa përmendëm më lart, ka edhe vepra të tjera që e rëndojnë peshoren e veprave të mira. Nga këto vepra janë:
1 – Të ftosh dikë në islam. Nëse bëhesh shkak që dikush të përkushtohet në fe, të gjithë të mirat e tij dhe të atyre që ai bëhet shkak që të përkushtohen, të vihen në peshoren e veprave të tua Ditën e Kiametit.
2 – Përmendja e Zotit dhe sidomos fjalët “Subhanallahi ve bihamdihi, subhanallahil adhim”. Në një hadith Profeti a.s thotë:”Dy fjalë të lehta për t’u shqiptuar, të rënda në peshore, të dashura tek Zoti, ato janë:“subhanallahi ve bi hamdihi, subhanallil adhijm.”
Përsëriti sa më shpesh këto fjalë o vëlla dhe oj motër, me qëllim që ta rëndoni sa më shumë peshoren e veprave të mira. Veç kësaj, i këshilloni me anë të mesazheve elektronikë dhe sms-ve edhe shokët dhe shoqet tuaja.
3 – Të përsërisësh sa më shpesh fjalën “Elhamdulilah” Thotë Profeti a.s:”Fjala “Elhamdulilah”, e mbush peshoren.”
4 – Morali i mirë. Thotë Profeti a.s:”Nuk ka gjë më të rëndë në peshore se morali i mirë.”
5 – Nata e Kadrit. Ajo është nata që është më e vlefshme dhe më e mirë se një mijë muaj.
6 – Thotë Profeti a.s:“Do të qëndrojë dikush nga umeti im para Zotit ditën e kiametit dhe do të thotë Zoti: I hapni regjistrat (e veprave) dhe do i hapen 99 regjistra, secili prej tyre shtrihet deri në horizont. Kur i shikon do e kuptojë që është i humbur. Do i vendosen veprat e mira në njërën anë të peshores dhe regjistrat e veprave të këqija në anën tjetër dhe do e ulin peshoren regjistrat e veprave të këqija. Zoti do e thërrasë:”O robi Im, a ke ndonjë justifikim, për këto gjynahe?” “Jo o Zot” – do përgjigjet. Do e pyesë përsëri Zoti:”Mos të kanë bërë ndonjë padrejtësi melekët?” “Jo o Zot” – do përgjigjet përsëri.” Mos të kam bërë Unë padrejtësi o robi Im”- e pyet Zoti? “Jo, o Zot” – ia kthen njeriu. “Mos nuk të ka arritur mesazhi Im në dynja?” “Po o Zot më arriti”- do i thotë. “O robi Im- i thotë Zoti- mos vallë ke të mira të tjera që nuk i kemi vendosur?” “Jo o Zot” – do përgjigjet. “Po o robi im- do i thotë Zoti- e ke akoma një të mirë që nuk e kemi vendosur në peshore”. Njeriu do i thotë:”Po çfarë do të bëjë një e mirë kundrejt 99 regjistrave të mbushur me gjynahe o Zot?” Zoti do i përgjigjet:”O robi Im, tek Unë nuk i bëhet kujt padrejtësi. O melekët e Mi, silleni të mirën e robit Tim dhe melekët sjellin në çast një copë kartë.” Njeriu kur e sheh do thotë:”Po çfarë do të bëjë një copë kartë kundrejt 99 regjistrave me gjynahe o Zot?” Zoti do u thotë melekëve:”Vendoseni kartën në krahun e punëve të mira”. Në të shihet e shkruar fjala ” Nuk ka Zot tjetër veç Allahut dhe Muhamedi është i dërguar i Tij”. Kur vendoset në peshore, menjëherë e rëndon krahun e punëve të mira”. Profeti a.s më pas shton:” Nuk ka gjë më të rëndë në peshore se emri i Allahut”.
Këmbët e Abdullah ibnu Mesudit ishin të thata dhe të holla. Megjithatë, Profeti a.s tha kur i pa shokët të qeshin me këmbët e tij:”A po qeshni me këmbët e tij të holla?! Për Zotin një këmbë e Abdullah ibnu Mesudit do të peshojë më shumë në peshore se vetë mali i Uhudit.”
E lusim Zotin që t’a rëndojë peshoren e veprave tona të mira! Amin!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit