Haaretz: Pse njohja e “gjenocidit” nga Izraeli s’ka fare lidhje me armenët

Më të lexuarat

Arsyeja e vërtetë lidhet me “çantën e madhe të dhuratave” që Trump po përgatit për Erdoganin

Që kur njohja e gjenocidit është një mënyrë për të provokuar kundërshtarët e tu gjeopolitikë? Kur vendi që njeh gjenocidin armen është Izraeli i Netanyahut – dhe objektivat e vërtetë të aktit të tij janë Rexhep Taip Erdogan i Turqisë dhe Donald Trump i Amerikës.

Këtë javë, kabineti izraelit njohu unanimisht si “gjenocid” masakrimin e rreth 1.5 milion armenëve nga forcat osmane gjatë Luftës së Parë Botërore, një pretendim shumë i debatueshëm midis historianëve por jo vetëm.

Por a do ta mbështesë Izraeli këtë lëvizje për të përmirësuar marrëdhëniet me Armeninë? Sigurisht që jo, sepse debati për “gjenocidin” është në fakt një luftë e tërthortë midis Izraelit dhe Turqisë, me votën vendimtare që i takon Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

Nën frymën e librit me ndikim të Dara Horn, “Njerëzit i duan hebrenjtë e vdekur”, kjo ka të bëjë me mënyrën se si ministrat e Izraelit po përdorin historitë e armenëve të vdekur “për t’u ndjerë më mirë me veten”, një shfrytëzim i vuajtjeve historike për një shmangie të krimeve aktuale izraalite dhe për epërsi morale.

Njohja e “gjenocidit armen” ka qenë prej kohësh një betejë politike midis Jerusalemit dhe Ankarasë. Për 15 vjet, Kneseti ka zhvilluar debate rreth tij. Çdo disa vjet, komitetet e tij kanë përkujtuar gjenocidin. Por ai nuk është njohur kurrë zyrtarisht me një votim nga Kneseti, duke qenë në dijeni të reagimit të pashmangshëm turk.

Gjithsesi, pavarësisht vendimit të kabinetit të dielën, qeveria nuk ka caktuar ende një datë për miratimin në parlament. Që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 dhe lufta pasuese në Gaza, tensionet midis Izraelit dhe Turqisë kanë arritur nivele të papara.

Erdogan e akuzon Izraelin për krime lufte dhe mbështet Hamasin si një lëvizje çlirimtare, duke kulmuar me tërheqjen e ambasadorëve të tyre nga të dyja palët dhe vendimin e Turqisë për të ndërprerë lidhjet ekonomike .

Kërcënimi i njohjes së gjenocidit armen ka shënuar rregullisht përkeqësimin e marrëdhënieve dypalëshe. Por ironia është se për një dekadë e gjysmë, Izraeli ka qenë një furnizues kryesor i armëve, përfshirë dronë vetëvrasës, për Azerbajxhanin gjatë luftërave të tij me Armeninë mbi Nagorno-Karabakun në vitin 2023.

Marrëdhënia strategjike izraelito-azere bazohet në furnizimin kritik të Bakusë me naftë për Izraelin, si dhe në vendndodhjen gjeografike të Azerbajxhanit. Ai ndihmon izraelitët në operacionet sekrete në Iranin fqinj. Sipas një raporti të CNN, Izraeli dërgoi forca speciale në Azerbajxhan për të kryer misione kundër Iranit gjatë luftës së fundit.

Por Bakuja e sheh veten edhe si një shtet turk “vëllazëror” ndaj Ankarasë, dhe kundërshtimi i tij ishte një arsye tjetër pse Izraeli nuk e ka njohur “gjenocidin” në të kaluarën. Madje tani, Azerbajxhani ka shprehur “shqetësim serioz” për vendimin e kabinetit izraelit dhe i ka bërë thirrje atij ta rishqyrtojë vendimin.

Nga ana tjetër, përveçse Irani është partneri i saj i ngushtë tregtar, energjitik dhe i sigurisë, Armenia e njohu zyrtarisht shtetin e Palestinës vitin e kaluar si pjesë e mbështetjes së saj për zgjidhjen me dy shtete.

Në këto kushte arsyeja e vërtetë për njohjen e gjenocidit armen nga Izraeli është politika transaksionale, dhe audienca e vërtetë për veprimin e Izraelit nuk është në Jerevan, Ankara apo Baku por në Uashington. Dhe e gjitha ka të bëjë me avionët F-35.

Turqia u përjashtua nga programi i avionëve luftarakë dhe u sanksionua gjatë administratës së parë të Trump për blerjen e raketave ruse S-400 . Zyrtarët amerikanë shqetësoheshin se sistemi i Rusisë mund të përdorej për të mbledhur të dhëna mbi F-35 dhe se informacioni mund të përfundonte në duart e Putinit.

Tani Izraeli ka frikë se blerja e avionëve nga Turqia do të kërcënonte dominimin e saj ajror rajonal. Ndërkaq Trump ka pasur gjthmonë një dobësi për Erdoganin. Javën e kaluar, Trump u pyet nëse do të shkonte në samitin e NATO-s në Ankara, i planifikuar për javën e dytë të korrikut, ai tha se po dhe do ta bëjë këtë “me një qese të madhe dhuratash” për Turqinë, që përmban avionë luftarakë F-35.

Ai vuri në dukje se presidenti turk ishte si një “mik”, një “udhëheqës i shkëlqyer” dhe një person shumë i fortë” – dhe “jo një fans i madh i Izraelit”. \tesheshi.com\

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit