Protesta dhe rikthimi tek afërsia njerëzore – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Për shkak se protesta është paqësore dhe në të marrin pjesë edhe gra e fëmijë, ajo tashmë, duke mbushur muajin dhe kthyer në një aktivitet të përditshëm, ka përmbushur te pjesëmarrësit nevojën për afërsi njerëzore.

Dukej se, me gjithë rrethanat dekurajuese të verës, nxehtësisë, pushimeve dhe botërorit, nxehtësia e njerëzve në bulevard duhej të ishte shuar. Por ajo vazhdon të jetë e lartë. Kjo, mbi të gjitha, sepse mllefi dhe pakënaqësia e akumuluar janë kaq të mëdha, sa asnjë nga këta faktorë nuk ka mundur t’i shuajë.

Por ka edhe diçka tjetër, thuajse të pavënë re, por të rëndësishme, që rezulton të jetë një nga sekretet e vazhdimit të protestës: nevoja akute për të plotësuar mungesën e socializimit fizik, të shkaktuar nga jeta pas ekraneve dhe komunikimi virtual.

Komunikimi virtual, me distancën e tij të madhe fizike, ka rezultuar tepër toksik për marrëdhëniet ndër njerëzore. Përtej synimit të deklaruar se rrjetet sociale janë ngritur për të lidhur njerëzit, ato njëkohësisht i kanë ndarë dhe shpesh i kanë bërë më armiqësorë mes tyre; një ligësi kjo që në jetën reale fizike është shumë më e reduktuar. Kështu, takimi i përditshëm i qytetarëve, ku mijëra njerëz shihen pothuajse çdo ditë me njëri-tjetrin, i ka bërë ata të ndihen më afër, u ka dhënë kënaqësinë e të qenit bashkë dhe u ka kujtuar xhiron e dikurshme, si dhe kënaqësinë e ecjes në këmbë në grup.

Nevoja që njerëzit të njihen dhe të lidhen përmes kontaktit të drejtpërdrejtë nuk mund të zëvendësohet kurrë nga kontaktet virtuale, sepse e para është e natyrshme, ndërsa e dyta artificiale. Dhe artificialja, përveçse është lehtësisht e manipulueshme nga faktorë të padukshëm ndërmjetës, vetvetiu krijon distancën e përplasjes.

Sa më afër të jenë njerëzit fizikisht, aq më të vështirë e kanë të zihen dhe të përplasen; dhe sa më larg të jenë, aq më lehtë ndodh kjo. A nuk e keni vënë re në një ndeshje boksi se, kur boksierët duan të mbrohen nga goditjet e kundërshtarit, i hidhen atij në qafë për t’i pamundësuar largësinë e nevojshme për goditje? Ndërkohë, distanca fizike që mundëson bota virtuale, bashkë me mundësinë për të mbetur anonim, e lehtëson së tepërmi konfliktin përmes banalitetit verbal të sharjeve, fyerjeve, hakërrimit dhe shantazhit.

Në këtë kuptim, protesta nuk është vetëm shprehje e mllefit politik dhe pakënaqësisë qytetare, por edhe një formë e rikthimit të njeriut te njeriu. Ajo ka nxjerrë njerëzit nga vetmia e ekranit dhe i ka vendosur përballë njëri-tjetrit, në të njëjtën hapësirë, me të njëjtin shqetësim dhe me të njëjtën nevojë për prani njerëzore. Ndoshta pikërisht këtu qëndron një nga arsyet pse ajo vazhdon, sepse përveç kërkesës për drejtësi dhe dinjitet, ajo po u jep njerëzve edhe diçka që prej kohësh u ka munguar: ndjesinë se nuk janë vetëm.

Hoxhë Dr. Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit