1. Sado i etur të jesh, kur të gjesh ujë të ftohtë, thuaj: Bismilah, pastaj pije me ngadalë në disa gllënjka dhe falënderoje Allahun pas secilës. Kjo është më e dobishme për shëndetin dhe shpirtin tënd.
2. Mbajtja e syzeve të diellit nuk ta lejon shikimin e ndaluar. Edhe nëse njerëzit nuk e shohin ku e hedh shikimin, Ai që t’i ka dhënë sytë të sheh dhe e di atë që fshihet nga njerëzit.
3. Motrës që del për nevojat e saj në vapën e verës me hixhab dhe modesti të plotë, duke parapëlqyer nxehtësinë e kësaj bote ndaj zjarrit të Ahiretit: ripërtërije nijetin në veshjen tënde. Kujtimi i shpërblimit dhe llogaritja e modestisë te Allahu e lehtëson vapën dhe ndihmon në durim.
4. Në verë dita është më e gjatë dhe kjo mund të çojë në humbje kohe. Prandaj duhet bërë një plan veror i ndryshëm nga ai i dimrit. Gjithashtu pushimet e shkollave dhe universiteteve sjellin shumë kohë të lirë; mos lini boshllëqe në ditën tuaj, sepse koha e lirë e pashfrytëzuar është shkatërruese.
5. Me shtimin e udhëtimeve, piknikëve dhe ekskursioneve gjatë verës, njerëzit shpesh neglizhojnë adhurimet. Organizojini adhurimet tuaja para udhëtimeve dhe merrini parasysh gjatë planifikimit të tyre.
6. Kur nxehtësia bëhet e fortë, kujto se nga mirësitë e Xhenetit janë hija dhe rehatia, ndërsa nga dënimet e Xhehenemit është nxehtësia e madhe. Kërko mbrojtje te Allahu nga vapa dhe mos e mallko nxehtësinë; bëje atë shkak për të punuar për Xhenetin dhe për të kujtuar Zjarrin.
7. Kur gjen hije, ujë të ftohtë ose kondicioner që ta lehtëson vapën, kujtohu të falënderosh Allahun për këto mirësi dhe të ndihmosh ata që nuk gjejnë asgjë për t’u mbrojtur nga nxehtësia.
8. Mos rri zgjuar shumë netëve të verës, sepse nata është e shkurtër. Mund të mos zgjohesh për namazin e sabahut dhe të ngrihesh i lodhur, pa fuqi për punët e tua.
9. Pij shumë ujë dhe mos harro se edhe zemrat eten ashtu si trupat. Uji i tyre është përmendja e Allahut, leximi i Kuranit dhe veprat e mira.
10. Me shtimin e daljeve dhe udhëtimeve verore, kujdesu të marrësh me vete moralin tënd ashtu siç merr bagazhin. Shfrytëzo çdo mundësi për të thirrur në të mirën dhe tek Allahu, sepse shumë njerëz lëshojnë pe në sjellje me arsyetimin e argëtimit dhe pushimeve.
11. Mos hidh mbeturina në rrugë apo në vende pikniku pas shëtitjes. Përkundrazi, largoji nëse i sheh. Pastërtia është pjesë e besimit dhe largimi i dëmit nga rruga është një degë e imanit.
12. Nëse sheh një punëtor, të moshuar apo nevojtar që përballet me vapën e diellit, dije se ky është një rast për sadaka: freskoje me një gotë ujë ose lëng.
13. Mos e bëj pushimin veror vetëm sezon argëtimi. Shfrytëzoje për edukimin e fëmijëve duke i përfshirë në kurse Kurani, programe edukative dhe aktivitete sportive të dobishme. Mendjet kanë nevojë për zhvillim dhe forcim ashtu si trupat.
14. Nxehtësia e madhe mund të shkaktojë ngushtim shpirtëror dhe të shtojë zemërimin. Nëse kjo të ndodh, zbato udhëzimet e Profetit ﷺ për zemërimin: merr abdes dhe ndrysho vendin. Gjithashtu, kur sillesh me njerëzit, duroji më shumë gabimet e tyre gjatë vapës, mbylli sytë ndaj sa më shumë gjërave që mundesh dhe gjej arsye për t’i justifikuar.
— Ali Eidou
E premte, 19 Dhul-Hixhxhe 1447 H.
