9.8 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

OKB kërkon nga çlirimtarët sirianë, lirimin pa kushte të paqeruajtësve në Golan

Më të lexuarat

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po kërkon lirimin pa kushte të më shumë se 20 paqeruajtësve, të kapur dhe të ndaluar nga elemente të armatosura të opozitës siriane në Lartësitë Golan. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Kombet e Bashkuara, Margaret Bashir, na sjell hollësi.

Kombet e Bashkuara thonë se një grup paqeruajtësish nga Forca Vëzhguese e Mosangazhimit, e njohur si UNDOF, në zonën ndarëse mes Izraelit dhe Sirisë, u kapën nga një grup prej rretjh 30 luftëtarësh të armatosur dje.

Një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara thase paqeruajtësit e parmatosur po kryenin një mision të rregullt furnizimi kur u ndaluan pranë një poste vëzhgimi që ishte dëmtuar dhe evakuar disa ditë më parë, pas luftimeve të rënda në qytetin Al Xhamlah në afërsi.

Ambasadori i Rusisë, Vitali Çurkin, i cili mban presidencën e radhës të Këshillit të Sigurimit prej 15 anëtarësh, lexoi një deklaratë para gazetarëve, në të cilën dënoi ndalimin e vëzhguesve të Kombeve të Bashkuara dhe këroi lirimin e tyre.

“Anëtarët e Këshillit të Sigurimit kërkuan lirimin pa kushte dhe të menjëhershëm të të gjithë paqeruajtësve të ndaluar të Kombeve të Bashkuara dhe u bën thirrje të gjitha palëve të bashkëpunojnë me UNDOF-në në mirëbesim për të bërë të mundur punën e saj lirisht dhe sigurimin e personelit të saj”.

Ambasador Çurkini tha se për sa kishte ai dijeni nuk pati përpjekje mes vëzhguesve të Kombeve të Bashkuara dhe rrëmbyesve të tyre, por persona të armatosur morën nën kontroll mjetet e UNDOF-it.

Shefi i paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara, Hervi Ladsos, u tha gazetarëve se ky është një “incident shumë serioz”, i cili vazhdon dhe ka mobilizuar të gjitha ekipet e OKB-së. Pa hyrë në hollësi, ai tha se negociata janë në proces.

Zoti Ladsous tha se incidenti ndodhi në zonë më jugore të veprimit të UNDOF-it.

Kombet e Bashkuara nuk kanë publikuar nacionalitetin e paqeruajtëve, por trupa nga Austria, Kroacia, India dhe Filipinet janë pjesë e forcës vëzhguese.

Në Lartësitë Golan, ku Kombet e Bashkuara kanë monitoruar armëpushimin mes Izraelit dhe Sirisë në vitin 1974, janë vendosur pak më tepër se një mijë trupa të OKB-së.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit