Qëllimi i devotshmërisë në ndërtimin Kuranor

Më të lexuarat

Shkruar nga Shejh Dr. Hasan Selman

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Salavatet dhe selamet qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka më pejgamber. Më pas:

Mjetet për arritjen e devotshmërisë

Devotshmëria (takvaja) nuk është një pozitë që arrihet me dëshira apo me pretendime, por është fryt i përpjekjes së vazhdueshme kundër nefsit dhe ecjes në një rrugë të qartë, e cila mbështetet mbi një sërë mjetesh praktike që pastrojnë zemrën, fisnikërojnë sjelljen dhe e lidhin robin ngushtë me Zotin e tij. Ndër mjetet më të rëndësishme janë:

1. Besimi në të fshehtën dhe vetëdija për mbikëqyrjen e Allahut

Ky është themeli mbi të cilin ndërtohet devotshmëria. Kur në zemrën e robit ngulitet bindja e palëkundur se Allahu e sheh atë në fshehtësi dhe në publik, kjo e shtyn ta mbikëqyrë veten në fjalët dhe veprat e tij, të largohet nga çdo gjë që nuk e kënaq Allahun, edhe kur ndodhet i vetëm, larg syve të njerëzve.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Ne i dhamë Musait dhe Harunit Furkanin (dalluesin mes së vërtetës dhe të pavërtetës), dritë dhe këshillë për të devotshmit; ata që i frikësohen Zotit të tyre edhe pa e parë Atë dhe që dridhen nga frika e Orës (së Kiametit).”
(El-Enbija, 48-49)

2. Adhurimi me përulësi (hushu)

Kur adhurimet kryhen me shpirtin e tyre të vërtetë dhe me zemër të pranishme, ato lënë gjurmë të thella në pastrimin e shpirtit.

Allahu i Madhëruar thotë:

“Vërtet, namazi e largon njeriun nga shthurja dhe nga çdo e keqe.”
(El-Ankebut, 45)

Përulësia nuk është një pamje e jashtme apo një formalitet, por është thelbi i adhurimit, i cili sjell devotshmëri dhe e pengon njeriun nga haramet dhe veprat e shëmtuara. Sa më shumë të kryhet adhurimi me përulësi, aq më tepër ai bëhet mjet për arritjen e devotshmërisë.

3. Përmendja e vazhdueshme e Allahut (dhikri)

Dhikri është jeta e zemrave dhe fortesa e tyre kundër pakujdesisë. Sa më shumë që robi e përmend Allahun dhe i përulet Atij, aq më afër devotshmërisë bëhet, sepse dhikri ia kujton Allahun në çdo gjendje. Kështu ai turpërohet që Allahu ta shohë në mëkat ose të mos e gjejë aty ku duhet të jetë në adhurim.

Allahu i Lartësuar thotë:

“A nuk ka ardhur koha që zemrat e besimtarëve të përulen para përmendjes së Allahut dhe së vërtetës që ka zbritur, e të mos bëhen si ata të cilëve u ishte dhënë Libri më parë; atyre iu zgjat koha, zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumë prej tyre janë të shthurur?”
(El-Hadid, 16)

4. Meditimi mbi Kuranin Famëlartë

Kurani është burimi më i madh i udhëzimit. Meditimi mbi ajetet e tij ia hap robit dyert e njohjes së Allahut, e bën të kuptojë atë që Allahu dëshiron prej tij dhe mbjell në zemrën e tij ndjenjat e frikës dhe të shpresës. Në këtë mënyrë devotshmëria rrënjoset thellë në zemrën e tij.

Allahu i Madhëruar thotë:

“Ky është Libri, për të cilin nuk ka aspak dyshim; ai është udhëzim për të devotshmit.”
(El-Bekare, 2)

5. Meditimi mbi krijimin e Allahut

Përsiatja mbi shenjat e Allahut në univers e bën njeriun ta njohë madhështinë dhe fuqinë e Krijuesit. Ai që e njeh Allahun, e madhëron Atë; e ai që e madhëron Atë, bëhet i devotshëm. Prandaj, meditimi është një nga portat më të mëdha drejt devotshmërisë.

6. Të menduarit dhe vështrimi mbi ligjet hyjnore

Kjo arrihet duke medituar mbi mënyrën se si Allahu ka vepruar me popujt dhe individët gjatë historisë, si kanë qenë pasojat e bindjes dhe të mosbindjes ndaj Tij.

Një përsiatje e tillë i jep robit largpamësi, e ndihmon të dallojë rrugën e drejtë dhe e bën më të kujdesshëm që të mos ndjekë rrugën e atyre që u shkatërruan.

7. Qëndrimi brenda kufijve të Allahut

Kjo realizohet duke zbatuar urdhrat e Allahut, duke iu shmangur ndalesave të Tij dhe duke mos u futur në çështjet e dyshimta.

Ai që sillet rreth kufirit të ndaluar, rrezikon të bjerë në të. Ndërsa ai që i madhëron kufijtë e Allahut, ka realizuar thelbin e devotshmërisë.

8. Ruajtja e lidhjes së vazhdueshme me Allahun

Kjo bëhet duke qenë i rregullt në adhurime, duke u lutur shpesh dhe duke u përulur para Allahut.

Lidhja e vazhdueshme me Allahun krijon në zemër një jetë të gjallë besimi, e cila e shoqëron njeriun në çdo gjendje dhe sjell si fryt devotshmërinë.

9. Marrja si shembull e Pejgamberit ﷺ, e pejgamberëve dhe e njerëzve të mirë

Ndjekja e njerëzve të mirë është ndër shkaqet më të forta të përmirësimit, sepse njeriu ndikohet nga shembulli.

Kur ai studion jetën e tyre dhe përpiqet të ecë sipas moralit dhe sjelljes së tyre, ndjek rrugën e tyre dhe kjo sjell si rezultat një devotshmëri të rrënjosur dhe të qëndrueshme.

Devotshmëria dhe ihsani: nga detyrimi te virtyti

Në Kuran, devotshmëria dhe ihsani janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Devotshmëria përfaqëson bazën mbi të cilën ndërtohet zbatimi i urdhrave të Allahut dhe largimi nga ndalesat e Tij. Ndërsa ihsani është shkalla më e lartë, me të cilën besimtari ngrihet drejt përsosjes në vepra, duke bërë mirësi dhe duke i kryer ato në mënyrën më të bukur.

Prandaj, devotshmëria i paraprin ihsanit si themel dhe bazë, ndërsa ihsani vjen si plotësim i virtytit dhe përsosje e sjelljes.

Kjo shihet qartë në marrëdhënien me fqinjin. Devotshmëria kërkon që njeriu të mos i bëjë dëm fqinjit dhe t’ia ruajë të drejtat. Ky është minimumi i detyrueshëm që muslimani nuk lejohet ta lërë.

Ndërsa ihsani ndaj fqinjit nënkupton t’i bësh mirë, t’ia plotësosh nevojat, t’i shfaqësh dashamirësi dhe mirësi. Kjo është një shkallë më e lartë sesa thjesht mosdëmtimi.

Prandaj, çdo muhsin (bamirës) është patjetër edhe i devotshëm në themel të sjelljes së tij, por jo çdo i devotshëm e ka arritur domosdoshmërisht shkallën e ihsanit.

Allahu i Madhëruar i ka bashkuar këto dy shkallë në fjalën e Tij:

“Vërtet, Allahu është me ata që janë të devotshëm dhe me ata që janë bamirës.”
(En-Nahl, 128)

Devotshmëria është themeli i shpëtimit dhe i afërsisë me Allahun, ndërsa ihsani është përsosmëria që e ngre robin në gradat më të larta.

Kështu plotësohet morali islam: ai fillon me ruajtjen e të drejtave dhe largimin nga padrejtësia, pastaj ngrihet drejt bamirësisë, bujarisë dhe përhapjes së mirësisë në jetën e njerëzve.
Frytet e devotshmërisë dhe ndikimi i saj në jetën e individit dhe të shoqërisë

Një nga parimet themelore të Sheriatit Islam është se të gjitha urdhrat dhe ndalesat e Allahut janë ligjësuar për të realizuar dobitë e robërve në fenë dhe jetën e tyre, si dhe për t’i mbrojtur ata nga dëmet dhe prishjet, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër.

Allahu nuk ka urdhëruar asgjë, veçse sepse ajo përmban mirësi, udhëzim dhe dobi. Po ashtu, nuk ka ndaluar asgjë, veçse sepse ajo çon në të keqe, në prishje dhe në dëm.

Allahu i Madhëruar thotë:

“Allahu dëshiron për ju lehtësim dhe nuk dëshiron për ju vështirësi.”
(El-Bekare, 185)

Po ashtu thotë:

“Ai nuk ju ka ngarkuar në fe me asnjë vështirësi.”
(El-Haxh, 78)

Në krye të këtyre synimeve madhore të Sheriatit qëndron devotshmëria. Ajo përmbledh çdo të mirë, është porosia me të cilën Allahu i porositi të parët dhe të fundit dhe është themeli i përmirësimit të njeriut në këtë botë, si dhe shkaku i shpëtimit të tij në botën tjetër.

Prandaj, urdhri për devotshmëri është përsëritur në shumë vende të Kuranit, gjë që dëshmon pozitën e saj të lartë dhe rëndësinë e madhe që ka. Ajo është peshorja me të cilën maten veprat dhe kriteri sipas të cilit njerëzit dallohen tek Allahu.

Devotshmëria i sjell individit drejtësi në sjellje, pastërti në zemër, qetësi në shpirt dhe qëndrueshmëri në të vërtetën. Ndërsa shoqërisë i sjell drejtësi, siguri, bashkëpunim dhe përhapje të virtytit.

Ajo është gjithashtu shkak për bereqet në furnizim, lehtësim në punë, përfundim të mirë dhe, në fund, e çon njeriun drejt qëllimit më të madh: kënaqësisë së Allahut dhe fitimit të Xhenetit.

Më poshtë do të paraqesim frytet më të rëndësishme të devotshmërisë, ashtu siç i kanë sqaruar Kurani dhe Suneti, duke shpjeguar domethëniet e tyre edukative dhe ndikimin që kanë në jetën e besimtarit.

Së pari: Miqësia (wilajeti) e Allahut dhe përgëzimi në këtë botë dhe në botën tjetër

Allahu i Madhëruar thotë:

“Vërtet, miqtë e Allahut nuk do të kenë frikë dhe as nuk do të pikëllohen. Ata janë ata që besuan dhe ishin të devotshëm. Për ta ka përgëzim në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër.”
(Junus, 62–64)

Këto ajete vendosin një parim madhor të besimit islam: miqësia e Allahut ndërtohet mbi besimin dhe devotshmërinë, e jo mbi pretendimet, emrat apo sloganet.

Çdo njeri që realizon besimin dhe devotshmërinë është mik i Allahut, aq sa ka realizuar besim dhe bindje në zemrën e tij dhe në veprat e tij.

Prandaj, wilajeti nuk është një shkallë e vetme, por grada të ndryshme, në të cilat robi ngrihet me shtimin e besimit dhe të devotshmërisë, dhe ulet sipas masës së mangësive dhe mëkateve të tij.

Miqësia me Allahun ndryshon sipas shkallëve të fesë. Themeli i saj realizohet me Islamin, përsosmëria e saj shtohet me imanin dhe kulmin e arrin në shkallën e ihsanit.

Prandaj, muslimani i sinqertë që ka realizuar bazën e besimit nuk del nga rrethi i miqve të Allahut, por njerëzit ndryshojnë mes tyre sipas nivelit të devotshmërisë që kanë arritur.

Ndër frytet më të mëdha të kësaj miqësie janë:

* siguria nga frika për të ardhmen;
* shpëtimi nga pikëllimi për të kaluarën;
* përgëzimi në këtë botë me përfundim të mirë, qëndrueshmëri në fe, sukses, ëndrra të mira dhe dashurinë e besimtarëve;
* ndërsa në botën tjetër, përgëzimi më i madh është kënaqësia e Allahut dhe Xheneti i Tij.

Së dyti: Afërsia e veçantë e Allahut

Allahu i Madhëruar thotë:

“Vërtet, Allahu është me ata që janë të devotshëm dhe me ata që janë bamirës.”
(En-Nahl, 128)

Kjo është një afërsi e veçantë, e ndryshme nga afërsia e përgjithshme që Allahu ka me të gjitha krijesat përmes dijes, pushtetit dhe mbikëqyrjes së Tij.

Kjo afërsi e veçantë përfshin:

* dashurinë e Allahut;
* ndihmën e Tij;
* përkrahjen;
* mbrojtjen;
* kujdesin;
* dhe suksesin që Ai i jep robit.

I devotshmi jeton nën hijen e kësaj afërsie hyjnore. Prej saj merr forcë për të qëndruar i palëkundur në sprova, fuqi në vështirësi, udhëzim në çaste hutimi dhe sukses kur duhet të marrë vendime.

Prandaj ai është ndër njerëzit më të fortë në mbështetjen tek Allahu, më të sigurt në premtimin e Tij dhe më të palëkundur kur zbresin sprovat.

Për këtë arsye, njerëzit e devotshëm janë më pak të tronditur gjatë krizave, sepse ata e ndiejnë praninë e veçantë të Allahut, qetësohen me premtimin e Tij, besojnë në urtësinë e Tij dhe kanë mendim të mirë për Zotin e tyre.

Së treti: Furkani, drita e largpamësisë dhe dija e dobishme

Allahu i Madhëruar thotë:

“Nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë furkan (aftësinë për të dalluar të vërtetën nga e pavërteta).”
(El-Enfal, 29)

Po ashtu thotë:

“Kini frikë Allahun, e Allahu do t’ju mësojë.”
(El-Bekare, 282)

Një nga frytet më të mëdha të devotshmërisë është se Allahu i dhuron robit një dritë në zemër dhe një largpamësi të mprehtë, me të cilën ai dallon të vërtetën nga e pavërteta, udhëzimin nga devijimi dhe të mirën nga e keqja.

Atij nuk i ngatërrohet rruga e drejtë, sado të shumta të jenë sprovat, dhe nuk mashtrohet nga zbukurimet e së pavërtetës, sado tërheqëse të duken ato.

Ky furkan nuk është vetëm një njohuri teorike, por një dritë që e udhëheq njeriun drejt zgjedhjes së drejtë, mendimit të shëndoshë dhe vendimit të saktë në çështjet e fesë dhe të jetës.

Prandaj, ndër frytet e devotshmërisë është që Allahu ta udhëzojë robin drejt asaj që Ai e do dhe është i kënaqur me të, në fjalët, veprat dhe qëndrimet e tij.

Po kështu, devotshmëria është ndër shkaqet më të mëdha për fitimin e dijes së dobishme. Ajo hap dyert e kuptimit, ndihmon në njohjen e objektivave të Sheriatit, dhuron urtësi dhe aftësinë për t’i zbatuar drejt dispozitat fetare në rrethanat konkrete.

Prandaj dijetarët e brezave të parë e konsideronin pastërtinë e zemrës dhe devotshmërinë ndaj Allahut ndër shkaqet më të rëndësishme për qëndrueshmërinë dhe thellësinë e dijes.

Së katërti: Shlyerja e mëkateve dhe madhërimi i shpërblimit

Allahu i Madhëruar thotë:

“Kush i frikësohet Allahut, Ai do t’ia shlyejë mëkatet dhe do t’ia shumëfishojë shpërblimin.”
(Et-Talak, 5)

Një nga frytet më madhështore të devotshmërisë është se Allahu e bën atë shkak për faljen e mëkateve, fshirjen e gabimeve, ngritjen e gradave dhe shumëfishimin e shpërblimeve.

Devotshmëria nuk është vetëm mbrojtje nga rënia në mëkat, por edhe rrugë për të fshirë pasojat e tij, nëse robi bie në gabim e më pas kthehet sinqerisht tek Zoti i tij me pendim.

Sa më shumë të shtohet devotshmëria dhe sinqeriteti i robit, aq më shumë shtohet pjesa e tij nga falja dhe mëshira e Allahut.

Allahu, i Cili është Bujar pa kufi, e shpërblen një vepër të mirë me shumëfishim të madh, u jep të devotshmëve nga mirësia e Tij atë që nuk ua jep të tjerëve, u jep bereqet në veprat e tyre, ua madhëron shpërblimin dhe ua ngre gradat.

Ndër frytet më të rëndësishme të devotshmërisë është edhe pranimi i veprave, sepse vepra nuk ka vlerë nëse nuk pranohet nga Allahu.

Për këtë arsye Allahu i Madhëruar thotë:

“Allahu pranon vetëm prej të devotshmëve.”
(El-Maide, 27)

Devotshmëria është shpirti i çdo vepre. Ajo është ajo që i jep veprës pranueshmëri dhe fryt.

Prandaj, selefët e devotshëm kujdeseshin më shumë për pranimin e veprës sesa për shumësinë e saj.
Së pesti: Lehtësimi dhe dalja nga vështirësitë

Allahu i Madhëruar thotë:

“Kush i frikësohet Allahut, Ai do t’i hapë një rrugëdalje dhe do ta furnizojë prej nga nuk e pret.”
(Et-Talak, 2–3)

Po ashtu thotë:

“Kush i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehtësojë çështjet e tij.”
(Et-Talak, 4)

Një nga ligjet e pandryshueshme të Allahut është se devotshmëria hap dyert e shpëtimit, lehtëson rrugët e daljes nga vështirësitë dhe bën që pas çdo ngushtice të vijë lehtësimi, e pas çdo vështirësie të vijë gjerësia.

Allahu nuk e lë robin e Tij të devotshëm rob të fatkeqësive, por i përgatit shkaqe shpëtimi që ai as nuk i ka menduar.

Kjo rrugëdalje mund të jetë:

* e dukshme, kur largohet sprova dhe hiqet fatkeqësia;
* shpirtërore, kur Allahu mbush zemrën me qetësi, kënaqësi, durim dhe siguri;
* ose udhëzim, duke e frymëzuar robin me mençuri, mendim të drejtë dhe zgjedhjen e mjeteve më të dobishme.

Prandaj njerëzit e devotshëm janë më shpresëplotët në çastet e vështira, kanë mendimin më të mirë për Zotin e tyre dhe janë më larg dëshpërimit e humbjes së shpresës, sepse e dinë se premtimi i Allahut është i vërtetë dhe se lehtësimi është i lidhur ngushtë me devotshmërinë.

 

Së gjashti: Furnizimi prej nga nuk pritet dhe bereqeti në furnizim e në vepra

Allahu i Madhëruar thotë:

”…dhe do ta furnizojë prej nga nuk e pret.”
(Et-Talak, 3)

Po ashtu thotë:

“Sikur banorët e vendbanimeve të kishin besuar dhe të ishin bërë të devotshëm, Ne do t’u kishim hapur bereqete nga qielli dhe toka.”
(El-A’raf, 96)

Një nga frytet më të mëdha të devotshmërisë është se ajo bëhet shkak për hapjen e dyerve të furnizimit.

Mirëpo, furnizimi nuk kufizohet vetëm në pasuri. Ai përfshin gjithçka që i sjell dobi njeriut në fenë dhe jetën e tij:

* shëndetin dhe mirëqenien;
* dijen e dobishme;
* fëmijët e mirë;
* sigurinë dhe qetësinë;
* dashurinë në zemrat e njerëzve;
* dhe suksesin në çdo mirësi.

Një hollësi madhështore në shprehjen kuranore është fjala e Allahut:

”…prej nga nuk e pret.”

Kjo tregon se Allahu mund t’i hapë robit shkaqe furnizimi që nuk kanë qenë fare në llogaritë e tij, në mënyrë që ai ta kuptojë se thesaret e furnizimit janë vetëm në Dorën e Allahut dhe se shkaqet japin fryt vetëm me lejen e Tij.

Ndikimi i devotshmërisë nuk kufizohet vetëm në shtimin e furnizimit, por shtrihet edhe në bereqetin e tij.

Bereqeti është që e mira të mbetet, të shtohet dhe të sjellë dobi.

Allahu mund t’i japë bereqet:

* pasurisë së pakët, derisa të mjaftojë;
* kohës së shkurtër, derisa të mjaftojë për shumë punë;
* dijes, derisa të përfitojnë shumë njerëz prej saj;
* fëmijëve, derisa të bëhen kënaqësi për sytë e prindërve;
* dhe veprave, derisa ato të japin fryte shumë më të mëdha sesa duket në pamje të parë.

 

Së shtati: Fitimi i dashurisë së Allahut

Allahu i Madhëruar thotë:

“Vërtet, Allahu i do të devotshmit.”
(Ali Imran, 76)

Kjo është një nga frytet më të larta dhe më madhështore të devotshmërisë.

Nuk ka synim më të madh për besimtarin sesa të fitojë dashurinë e Allahut.

Kur Allahu e do një rob:

* e udhëzon në bindje;
* e ndihmon në çdo mirësi;
* e largon nga shkaqet e devijimit;
* e ruan në fenë dhe jetën e tij;
* dhe i jep pranueshmëri në zemrat e njerëzve.

Në hadithin autentik transmetohet se Pejgamberi ﷺ ka thënë:

“Kur Allahu e do një rob, e thërret Xhibrilin dhe i thotë: ‘Unë e dua filanin, prandaj duaje edhe ti.’ Atëherë Xhibrili e do atë, pastaj thërret banorët e qiellit dhe u thotë: ‘Allahu e do filanin, prandaj duajeni edhe ju.’ Atëherë e duan edhe banorët e qiellit, e më pas atij i jepet pranueshmëri në tokë.”
(Transmeton Muslimi.)

Prandaj, dashuria e Allahut është burimi i çdo të mire.

Nuk ka asnjë mirësi fetare apo jetësore që të mos jetë një nga frytet e kësaj dashurie.

Për këtë arsye Kurani i përshkruan vazhdimisht të devotshmit si njerëzit që meritojnë dashurinë e Allahut, për të treguar madhështinë e pozitës së tyre dhe për t’i nxitur robërit e Tij të ecin në rrugën e tyre.

Së teti: Shpëtimi nga sprovat dhe fatkeqësitë

Allahu i Madhëruar thotë:

“Pastaj Ne do t’i shpëtojmë ata që ishin të devotshëm, ndërsa zullumqarët do t’i lëmë aty të gjunjëzuar.”
(Merjem, 72)

Një nga ligjet e pandryshueshme të Allahut është se Ai u jep të devotshmëve shpëtim kur sprovat bëhen të rënda, u sjell lehtësim pas vështirësive dhe i ruan nga shkaqet e shkatërrimit në këtë botë dhe në botën tjetër.

Devotshmëria është një fortesë e pathyeshme që:

* e mbron zemrën nga devijimi;
* e bën robin të palëkundur kur trazohen gjendjet;
* dhe e udhëzon në rrugën e drejtë kur shtohen dyshimet dhe epshet.

Edhe i devotshmi sprovohet, ashtu si sprovohen të tjerët.

Mirëpo, Allahu e furnizon atë me durim, qëndrueshmëri dhe me shkaqe shpëtimi, derisa përfundimi i tij të jetë gjithmonë i mirë.

Së nënti: Pranimi i lutjes dhe afërsia me Allahun e Madhëruar

Allahu i Madhëruar thotë:

“Kur robërit e Mi të pyesin për Mua, Unë jam vërtet afër. I përgjigjem lutjes së lutësit kur ai Më lutet.”
(El-Bekare, 186)

Një nga frytet më të mëdha të devotshmërisë është se robi bëhet më afër Zotit të tij dhe më shpresëplotë për pranimin e lutjes së tij.

Kjo, sepse devotshmëria përmbledh shkaqet e pranimit të duasë: sinqeritetin e nijetit, kthimin e vërtetë tek Allahu, kërkimin e hallallit dhe largimin nga mëkatet, të cilat shpesh bëhen pengesë për pranimin e lutjes.

Duaja është ndër adhurimet më madhështore; ajo është shprehja më e plotë e varësisë së robit ndaj Zotit të tij. Kur ajo bashkohet me devotshmërinë, bëhet edhe më e denjë për t’u pranuar, më afër realizimit të asaj që kërkohet dhe largimit të së keqes.

Për këtë arsye, pejgamberët dhe njerëzit e mirë bashkonin gjithmonë devotshmërinë e plotë me lutjen e shpeshtë dhe përuljen para Allahut, duke shpresuar në mirësinë dhe mëshirën e Tij.

 

Së dhjeti: Përfundimi i mirë dhe fuqizimi në këtë botë

Allahu i Madhëruar thotë:

“Përfundimi i mirë u takon të devotshmëve.”
(El-A’raf, 128)

Po ashtu thotë:

“Vërtet, toka është e Allahut. Ai ia jep trashëgim kujt të dojë prej robërve të Tij, ndërsa përfundimi i mirë u takon të devotshmëve.”
(El-A’raf, 128)

Një nga ligjet e pandryshueshme të Allahut është se përfundimi i mirë u takon njerëzve të devotshëm, edhe nëse rruga e sprovës zgjatet dhe ndihma duket se vonon.

Premtimi i Allahut nuk dështon kurrë. Ngjarjet zhvillohen sipas urtësisë së Tij të përsosur.

Fuqizimi është fryt i durimit dhe i devotshmërisë. Kur robërit qëndrojnë të palëkundur në bindjen ndaj Allahut dhe marrin shkaqet e ligjshme të forcës, Allahu ua drejton punët, u hap rrugët e suksesit, u jep nder e dinjitet dhe ua lë një përmendje të mirë në këtë botë, përpara se t’i shpërblejë në botën tjetër.

 

Së njëmbëdhjeti: Fitorja e Xhenetit dhe kënaqësia e Allahut

Allahu i Madhëruar thotë:

“Vërtet, për të devotshmit ka fitore të madhe.”
(En-Nebe’, 31)

Po ashtu thotë:

“Vërtet, të devotshmit do të jenë në kopshte dhe në begati.”
(Et-Tur, 17)

Dhe thotë:

”(Xheneti) është përgatitur për të devotshmit.”
(Ali Imran, 133)

Kjo është fryti më madhështor, tek i cili përfundojnë të gjitha frytet e tjera të devotshmërisë.

Çdo gjë që fiton i devotshmi në këtë botë – udhëzimi, suksesi, bereqeti, siguria, furnizimi, largpamësia, afërsia me Allahun dhe dashuria e Tij – nuk është veçse përgatitje për fitoren më të madhe: kënaqësinë e Allahut, shpëtimin nga Zjarri dhe hyrjen në Xhenetet e begatisë.

Atë Ditë do të shfaqet plotësisht fryti i devotshmërisë, kur të devotshmit do të jenë të sigurt nga tmerri më i madh dhe Zoti i tyre do t’i nderojë me kënaqësinë e Tij, pas së cilës nuk do të ketë më zemërim, dhe me një begati të përhershme që nuk do të marrë fund kurrë.

Kjo është fitorja që nuk mund të krahasohet me asnjë fitore tjetër dhe fitimi pas të cilit nuk ka më humbje.

Përfundim

Nga tërësia e argumenteve të Kuranit dhe Sunetit bëhet e qartë se devotshmëria nuk është vetëm një virtyt i veçantë dhe as një adhurim i izoluar, por është metodologjia gjithëpërfshirëse mbi të cilën ndërtohet e gjithë jeta e besimtarit.

Ajo është themeli i pastërtisë së zemrës, i drejtësisë së sjelljes dhe i marrëdhënies së shëndoshë ndërmjet robit dhe Zotit të tij. Prej saj burojnë të gjitha virtytet, ndërsa me të largohen shkaqet e së keqes dhe të mëkateve.

Kurani dhe Suneti kanë treguar se devotshmëria është shkak për:

* fitimin e miqësisë së Allahut dhe afërsisë së Tij të veçantë;
* dashurinë e Allahut për robin;
* përgëzimin në këtë botë dhe në botën tjetër;
* dritën e largpamësisë dhe dijen e dobishme;
* pranimin e veprave;
* faljen e mëkateve dhe shumëfishimin e shpërblimeve;
* lehtësimin e çështjeve;
* hapjen e dyerve të furnizimit dhe bereqetit;
* shpëtimin nga sprovat dhe fatkeqësitë;
* pranimin e lutjeve;
* përfundimin e mirë;
* fuqizimin në tokë;
* dhe, mbi të gjitha, fitimin e kënaqësisë së Allahut dhe të Xhenetit të Tij.

Të gjitha këto kuptime i përmbledh fjala e Allahut të Madhëruar:

“Përfundimi i mirë i takon devotshmërisë.”
(Ta Ha, 132)

Po ashtu Ai thotë:

“Vërtet, më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që është më i devotshëm.”
(El-Huxhurat, 13)

Prandaj, kush dëshiron përmirësimin e fesë dhe të jetës së tij, pastërtinë e zemrës, një përfundim të mirë dhe lumturinë në të dyja botët, le ta bëjë devotshmërinë shenjën dalluese të jetës së tij, si në fshehtësi ashtu edhe në publik. Le të përpiqet vazhdimisht ta ngrejë veten në shkallët e saj: nga Islami te imani, e pastaj te ihsani.

Sa më shumë të shtohet devotshmëria e robit, aq më shumë ai afrohet me Zotin e tij dhe aq më i madh bëhet pjesa e tij nga miqësia, afërsia, dashuria dhe kujdesi i Allahut, derisa ta takojë Atë të kënaqur me të.

Kjo është fitorja e madhe.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit