Paradoksi nacionalist i rikthimit në “fenë e të parëve”! – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Të gjithë ata që kërkojnë kthimin e myslimanëve shqiptarë në fenë e të parëve, konkretisht në katolicizëm, pretendojnë se e bëjnë këtë në emër të shqiptarisë dhe identitetit kombëtar! Ndërkohë, katolikët e kanë pjesë të doktrinës së tyre lidhjen e pazgjidhshme dhe të përhershme kishtare me Papën dhe Selinë e Shenjtë, ndaj Kisha Katolike nuk njeh autoqefali në kuptimin që e njeh Kisha Ortodokse dhe as pavarësi të plotë institucionale nga autoriteti i Romës. Nëse një kishë shkëputet nga bashkimi me Papën, ajo nuk konsiderohet më katolike në kuptimin e plotë të fjalës.

Ndërkohë, autoqefalia ose pavarësia institucionale nga autoritetet e huaja fetare është paraqitur historikisht si një provë e besnikërisë ndaj kombit shqiptar. Pikërisht për këtë arsye, shqiptarët ortodoksë krijuan Kishën e tyre autoqefale, ndërsa myslimanët sunitë dhe bektashinjtë krijuan institucionet e tyre të pavarura fetare shqiptare. Të vetmit që nuk mund ta bënin këtë në të njëjtën formë institucionale, për arsyen që përmendëm, ishin katolikët.

Tani, si është e mundur që këta të paditur, të kthyer në “katolikë”, kërkojnë katolicizimin e shqiptarëve myslimanë, me pretendimin se kjo i bën ata shqiptarë të vërtetë, ndërkohë që vetë katolicizmi, në rrafshin kishtar, nuk njeh një autoritet institucional më të lartë se Papën dhe ‘Selinë e Shenjtë’, dhe nuk mund të shkëputet prej tyre në emër të Kombit apo të Shtetit Shqiptar?!

Kjo nuk do të thotë se katolikët shqiptarë nuk janë besnikë ndaj kombit, por tregon paradoksin e atyre që të qenit myslimanë e konsiderojnë si tradhti ndaj kombit shqiptar, ndërsa të qenit katolikë si shqiptari të vërtetë!

Në fund, ky nuk është aspak një “rikthim” te shqiptarët e vërtetë, por një përpjekje për ta riformatuar shqiptarinë sipas paragjykimeve fetare dhe komplekseve identitare të një grupi njerëzish të sotëm, që kanë humbur rrugën në verbërinë e padijes, smirës dhe urrejtjes patologjike ndaj bashkëkombësve të tyre.

Hoxhë Dr. Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit