11.3 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Një shef i ri për Bankën Botërore

Më të lexuarat

David Malpass është kandidati i SHBA për të udhëhequr Bankën Botërore. Ai pritet të marrë së shpejti postin e lartë.

The Economist

Ka qenë e qartë prej kohësh se shefi i Bankës Botërore duhej zgjedhur në bazë të meritës dhe jo të kombësisë. Kur Presidenti Harry Truman bëri përzgjedhjen e parë në vitin 1946, India ishte ende një koloni dhe Republika Popullore e Kinës nuk ekzistonte. Amerika dha pjesën më të madhe të kapitalit të institucionit dhe u ndje se kreditorët e saj në Wall Street kishin nevojë për sigurinë e një amerikani në krye. Sot Kina është ekonomia e dytë më e madhe dhe Amerika siguron më pak se 17% të kapitalit të bankës. Por Amerika ende e zgjedh presidentin e bankës si pjesë e një marrëveshjeje me qeveritë europiane që zgjedhin kreun e FMN-së.

Në kushtet e kësaj tradite anakronike, Presidenti Donald Trump javën e kaluar emëroi David Malpass, një zyrtar i lartë në Thesarin e SHBA, për të mbushur boshllëkun e krijuar pas largimit të parakohshëm i Jim Yong Kim më 1 shkurt. Duhet thënë se z. Malpass ka qenë një kritik i zëshëm i institucioneve shumëpalëshe si Banka Botërore, FMN dhe Organizata Botërore e Tregtisë, për të cilat beson se i kanë lidhur duart e Amerikës. Megjithatë, pavarësisht pikëpamjeve dhe kombësisë së tij, do të qe gabim që të kundërshtohej.

Por pranimi i tij nuk do të jetë i lehtë për stafin e bankës ose për aksionerët e tjerë (të cilët në parim mund të vënë veton ndaj emërimit). Z. Malpass nuk i fsheh dyshimet e tij për institucionin që synon të udhëheqë. Për të, ai është pjesë e një rrjeti të organizatave ndërkombëtare, të dobëta në kryerjen e misionit, të cilat e mbajnë stafin e tyre dhe rriten mbi vendet që u shërbejnë. Ai beson se banka është bërë shumë pro Kinës, sidomos në Iniciativën Rrugore të vendit, që synon të ndërtojë infrastrukturë dhe lidhje të tjera me mbarë botën (madje dhe në hapësirë). Zoti Malpass, ka frikë se Banka, mund të shihet si mbështetje për ambiciet gjeopolitike të Kinës.

Por, zgjedhja mund të mos jetë e keqe. Z. Malpass është një nga njerëzit më të kualifikuar të qeverisë Trump. Ai ka shërbyer në tri administrata dhe flet katër gjuhë. Ai ndihmoi në arritjen e një marrëveshjeje të vështirë të miratuar në prill të vitit të kaluar, për të rritur kapacitetin kreditues të Bankës. Reformat që ai i ka kërkuar në bankë, gjatë kohës që ishte në Departamentin e Thesarit të SHBA janë më së shumti të pakundërshtueshme dhe jo origjinale (më shumë transparencë, matje më e mirë e rezultateve). Aleatët e Amerikës mund të ndihen të lehtësuar që administrata e Trump u kujdes mjaftueshëm për Bankën Botërore, duke zgjedhur një prej të paktëve që kishin mbetur për ta udhëhequr atë.

Aksionerët e bankës duhet ta dinë gjithashtu se nëse ata refuzojnë z. Malpass, Trump mund të kthehej dhunshëm kundër institucionit. Kjo do të pengonte shanset e Kongresit Amerikan që të ratifikojë rritjen e kapitalit për të cilin është rënë dakord. Kjo, po ashtu do të rrezikonte kontributet e ardhshme amerikane në fondin e Bankës Botërore për të ndihmuar vendet në nevojë.

Po ç’të themi për armiqësinë e z. Malpass për Kinën? Ai ka të drejtë që shqetësohet për elemente të marrëveshjes me Kinën, që janë një përzierje e manualeve të diplomacisë me promovimin e eksporteve dhe investimeve reciprokisht të dobishme. Por kjo nuk është një arsye që banka ta harrojë krejtësisht atë. Derisa iniciativat globale të Kinës po çojnë përpara qëllimin e bankës për zhdukjen e varfërisë, banka duhet të ofrojë çfarëdo orientimi dhe ndihme që mundet. Aksionerët e bankës do të duhet ta bindin Z. Malpass se institucioni s’ka pse të favorizojë përpjekjet amerikane për të frenuar rritjen ekonomike të Kinës.

Përfundimisht, mbase rregullat burokratikë të Bankës Botërore do ta frenojnë z. Malpass. I përzgjedhuri nga Trumani, e dha dorëheqjen vetëm gjashtë muaj pas u zgjodh në krye të Bankës Botërore, i frustruar nga zërat rivalë që gjeti aty. “Unë edhe mund të qëndroja dhe të luftoja me këta bastardë… por jam shumë i vjetër për këtë”, u ankua asokohe ai. Inercia institucionale mbetet një forcë e fuqishme në botën që sa vjen e zvogëlohet. Z. Malpass mund të ndikohet nga kjo. Por inercia, në fund të fundit, ishte edhe arsyeja kryesore, pse presidenti amerikan zgjodhi një njeri si ai, për ta drejtuar Bankën Botërore.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit