Hutbe: Namazi – Shpëtimi i rinisë dhe mburoja e besimtarit – Hoxhë Bekir Halimi

Më të lexuarat

Falënderimi i takon Allahut, Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga të këqijat e vetes sonë dhe nga veprat tona të liga. Atë që Allahu e udhëzon, askush nuk mund ta humbasë; e atë që Ai e lë në humbje, askush nuk mund ta udhëzojë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, Një e të Pashoq, dhe dëshmoj se Muhamedi ﷺ është rob dhe i Dërguari i Tij.

O ju besimtarë! Frikësojuni Allahut ashtu siç meriton të frikësohet dhe mos vdisni ndryshe veçse duke qenë muslimanë.

Vëllezër të nderuar!

Jemi në periudhën e pushimeve verore. Shumë prej të rinjve tanë kanë përfunduar vitin shkollor ose universitar. Këto ditë janë ditë pushimi nga mësimet dhe angazhimet e kësaj bote, por nuk janë pushim nga bindja ndaj Allahut. Pushimet nuk janë arsye për ta lënë namazin, sepse Allahu nuk ka caktuar pushim për obligimet e Tij.

Namazi është shtylla më e madhe e Islamit pas dëshmisë “La ilahe il-lAllah”. Ai është lidhja e drejtpërdrejtë mes robit dhe Zotit të tij. Ai është drita e zemrës, qetësia e shpirtit dhe mbrojtja e besimtarit.

Allahu i Madhëruar thotë:

﴿وَأَقِيمُوا الصَّلَاةَ وَآتُوا الزَّكَاةَ﴾

‏“Faleni namazin dhe jepeni zekatin.”
‏(El-Bekare, 43)

Pejgamberi ﷺ na ka treguar rëndësinë e jashtëzakonshme të namazit duke thënë:

«إِنَّ أَوَّلَ مَا يُحَاسَبُ بِهِ الْعَبْدُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ مِنْ عَمَلِهِ الصَّلَاةُ، فَإِنْ صَلَحَتْ فَقَدْ أَفْلَحَ وَأَنْجَحَ، وَإِنْ فَسَدَتْ فَقَدْ خَابَ وَخَسِرَ»

‏“Vërtet, gjëja e parë për të cilën robi do të merret në llogari Ditën e Kiametit nga veprat e tij është namazi. Nëse ai është në rregull, ka shpëtuar dhe ka fituar; e nëse është prishur, ka dështuar dhe ka humbur.”

‏Burimi: Suneni i Tirmidhiut (nr. 413), Suneni i Nesaiut (nr. 465). Hadith sahih.

Vëllezër!

Një nga sprovat më të mëdha të kohës sonë është neglizhenca ndaj namazit. Nuk është e rrallë të gjesh të rinj që e pranojnë se namazi është obligim, por e shtyjnë nga dita në ditë. Sot humbet sabahu, nesër ik edhe ikindia, më pas kalojnë javë e muaj pa një sexhde për Allahun.

Për këtë Allahu na ka paralajmëruar:

﴿فَخَلَفَ مِن بَعْدِهِمْ خَلْفٌ أَضَاعُوا الصَّلَاةَ وَاتَّبَعُوا الشَّهَوَاتِ فَسَوْفَ يَلْقَوْنَ غَيًّا﴾

‏“Pas tyre erdhën breza që e lanë namazin dhe ndoqën epshet; prandaj do të përballen me humbje e dënim.”
‏(Merjem, 59)

Ndërsa Pejgamberi ﷺ tha:

«بَيْنَ الرَّجُلِ وَبَيْنَ الشِّرْكِ وَالْكُفْرِ تَرْكُ الصَّلَاةِ»

‏“Ndërmjet njeriut dhe shirkut e kufrit është lënia e namazit.”

‏Burimi: Sahih Muslim (nr. 82).

Të rinjtë e dashur!

Ju drejtohem veçanërisht juve.

Vera është kohë kur shtohen udhëtimet, daljet, aktivitetet sportive dhe argëtimet. Telefoni zë vendin e librit, rrjetet sociale marrin orë të tëra të ditës dhe netët zgjasin deri vonë.

Por pyesni veten: A do të mbetet ezani prioriteti ynë edhe këtë verë?

A do ta dëgjojmë thirrjen e Allahut apo zërin e telefonit?

Mos e ndërtoni verën tuaj vetëm me kafene, udhëtime, lojëra dhe internet. Ndërtojeni atë me pesë namazet, me Kuran, me shoqëri të mirë dhe me lidhje të fortë me xhaminë.

Sepse Allahu thotë:

﴿إِنَّ الصَّلَاةَ تَنْهَىٰ عَنِ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنكَرِ﴾

‏“Vërtet, namazi të largon nga veprat e turpshme dhe nga çdo e keqe.”
‏(El-Ankebut, 45)

Namazi është mburoja më e fortë për rininë. Ai e ruan zemrën nga devijimi, gjuhën nga mëkatet, sytë nga harami dhe jetën nga humbja.

Edhe prindërve u themi: mos u interesoni vetëm se ku shkon djali apo vajza juaj, por interesohuni edhe nëse e fal namazin. Ashtu sikurse Pyeteni për notat, pyetni edhe për sabahun. Kujdesuni për ahiretin e tyre para se të kujdeseni për dynjanë e tyre.

Në fund, o të rinj!

Mos prisni Ramazanin tjetër që të filloni namazin. Mos prisni pleqërinë. Mos prisni derisa zemra të ngurtësohet.

Filloni sot.

Filloni me sabahun.

Filloni me një sexhde të sinqertë për Allahun.

Sepse askush prej nesh nuk e di nëse do ta arrijë verën tjetër.

Lusim Allahun e Madhëruar që të na bëjë prej atyre që e falin namazin me përkushtim, ta udhëzojë rininë tonë, t’i mbushë xhamitë tona me të rinj besimtarë dhe të na bëjë prej atyre që Ditën e Gjykimit do ta kenë namazin dritë, argument dhe shpëtim.

Amin.
Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit