/Shkruar nga: Rami Abu Zubeida – studiues dhe autor në çështjet ushtarake dhe të sigurisë/
Që prej shpërthimit të luftës izraelite kundër Rripit të Gazës, Tel Avivi po përballet me një nga krizat më të ndërlikuara të historisë së vet; një krizë që nuk lidhet vetëm me ecurinë e operacioneve ushtarake apo me sfidat e fushëbetejës, por shtrihet deri në thelb të legjitimitetit moral dhe politik që për dekada ka qenë shtylla kryesore e marrëdhënies së tij me Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin.
Ajo që dikur quhej “marrëdhënie e veçantë” mes Uashingtonit dhe Tel Avivit po vihet sot përballë një prove të paprecedentë; të dhënat nga fusha, politika dhe media zbulojnë një çarje të përshpejtuar në murin e mbështetjes amerikane dhe një erozion të thellë të imazhit të okupimit brenda shoqërisë amerikane vetë. Kjo e ka shtyrë qeverinë izraelite të nisë një nga fushatat më të mëdha të “rilyerjes së imazhit” në historinë moderne, duke përdorur inteligjencën artificiale, mediat e krishtera dhe rrjetet e ndikimit digjital për të shpëtuar atë që ka mbetur nga kredibiliteti i saj i rrënuar në vetëdijen perëndimore.
Sipas një hetimi të publikuar nga Haaretz, i shkruar nga Omer Ben Yaakov, qeveria izraelite ka nënshkruar gjatë muajve të fundit kontrata me vlerë qindra milionë dollarësh me kompani amerikane të specializuara në marrëdhënie me publikun dhe ndikim mediatik, me synimin për të “riprojektuar imazhin e Izraelit në opinionin publik amerikan”. Dokumentet mbi të cilat është mbështetur hetimi tregojnë se këto kontrata përfshinin ministritë e Jashtme dhe të Turizmit, si dhe agjencitë zyrtare të propagandës, duke synuar segmente komunitare që historikisht kanë qenë përkrahëse të okupimit, në veçanti kishat ungjillore dhe të rinjtë konservatorë të Partisë Republikane.
Në gusht të vitit të kaluar, u nënshkrua një kontratë prej gjashtë milionë dollarësh me kompaninë Clock Tower X, të drejtuar nga menaxheri i fushatës dixhitale të Donald Trump-it, për të “zbatuar një fushatë të gjerë kundër antisemitizmit në SHBA”. Por hetimi zbulon se qëllimi real nuk ishte luftimi i urrejtjes, por riformësimi i narrativës amerikane rreth luftës së Gazës dhe orientimi i diskursit kristiano-konzervator për ta paraqitur agresionin izraelit si “vetëmbrojtje”.
Kontratat parashikojnë prodhimin e të paktën njëqind përmbajtjeve origjinale çdo muaj dhe pesë mijë variantëve të tyre, të shpërndara përmes platformave të mediave sociale e të synuara posaçërisht për audienca të caktuara, duke përdorur teknika si Geofencing për të identifikuar vendndodhjen e kishave dhe besimtarëve gjatë kohës së lutjeve, në mënyrë që të bombardohen me reklama dhe materiale digjitale që mbështesin narrativën izraelite. Numri i audiencës së synuar, sipas dokumenteve, i kalon 12 milionë përdorues nga radhët e besimtarëve dhe studentëve të krishterë në perëndimin amerikan.
Nga rilyerja e imazhit te programimi i vetëdijes
Ajo që e bën edhe më shqetësuese këtë fushatë është përdorimi i inteligjencës artificiale si mjet propagande. Kontratat përmbajnë klauzola të qarta për përpjekjet e ndikimit në sistemet e bisedave gjenerative si ChatGPT dhe Claude, në mënyrë që përgjigjet e këtyre sistemeve të priren të mbështesin narrativën izraelite kur pyetet për konfliktin apo për Palestinën.
Ky hap i cili mund të jetë dokumentimi i parë zyrtar i një përpjekjeje shtetërore për të ndikuar inteligjencën artificiale globale përfaqëson një transformim cilësor të konceptit tradicional të hasbara-s (propaganda izraelite), duke kaluar në atë që mund të quhet Hasbara 3.0: një betejë jo vetëm për mediat apo opinionin publik, por për vetë algoritmet që formësojnë vetëdijen e brezave perëndimorë.
Sipas të njëjtit raport, Tel Avivi shpenzoi gjatë gjysmës së dytë të vitit 2025 mbi 45 milionë dollarë për reklama digjitale tradicionale në Google, YouTube dhe X, përveç kontratave të tjera me kompani të afërta me Partinë Demokratike për të prodhuar përmbajtje pro-izraelite përmes “botëve” automatike në TikTok dhe Instagram.
Është një kalim i qartë nga menaxhimi i imazhit te menaxhimi i perceptimit; nga marrëdhëniet me publikun te inxhinieria e vetëdijes një përpjekje e dëshpëruar për të mbuluar një dështim moral dhe ushtarak që thellohet dita ditës.
Kriza e “marrëdhënies së veçantë”: një lexim i balancave të aleancës amerikano-izraelite
Përtej këtij skenari propagandistik, analiza e studiuesve izraelitë ndër ta Eran Lerman nga Instituti i Politikës dhe Strategjisë (JISS) tregon se kriza nuk kufizohet te opinioni publik, por prek dhe vetë strukturën e aleancës strategjike që lidh Tel Avivin me Uashingtonin që prej vitit 1967.
Lerman thotë në artikullin e tij të fundit se marrëdhënia po kalon një “rënim strukturor” për shkak të konfliktit të prioriteteve ndërmjet dy administratave dhe erozionit të tri themeleve të “marrëdhënies së veçantë”:
1. Vlerat e përbashkëta mes “demokracisë amerikane” dhe “demokracisë izraelite” janë rrëzuar përballë pamjeve të shkatërrimit në Gaza dhe masakrave të dokumentuara nga mediat.
2. Interesat e sigurisë nuk janë më të njëjta; Uashingtoni e sheh politikën e okupimit si një barrë që rrezikon stabilitetin e Lindjes së Mesme dhe dobëson aftësinë e SHBA-së për të menaxhuar aleatët arabë.
3. Mbështetja politike e pakushtëzuar në Kongres ka humbur vrull, përballë rritjes së zërave brenda të dy partive që kërkojnë llogaridhënie dhe pezullim të ndihmave ushtarake.
Lerman shton se ajo që po ndodh nuk është një mosmarrëveshje taktike, por një krizë e thellë e legjitimitetit moral të aleancës. Administrata amerikane, pavarësisht vazhdimit të furnizimeve ushtarake, nuk është më në gjendje të justifikojë politikat izraelite përballë elektoratit të vet dhe komunitetit ndërkombëtar, sidomos nën dritën e kritikave nga OKB-ja dhe organizatat e të drejtave të njeriut.
Izraeli e ka kuptuar se rreziku real nuk qëndron më te “antisemitizmi”, siç pretendon propaganda, por te transformimi i qëndrimit të popullit amerikan: nga simpati te refuzim.
Sipas sondazheve të Pew Research midis viteve 2022–2025:
• më shumë se gjysma e të rinjve republikanë e shohin Izraelin në mënyrë negative;
• mbi 53% e amerikanëve kundërshtojnë politikat e tij në Gaza.
Krizën e ka thelluar edhe përçarja brenda komunitetit ungjillor, dikur bastioni më besnik i mbështetjes së Izraelit. Brezat e rinj ungjillorë po distancohen nga narrativat sioniste dhe e shohin agresionin ndaj Gazës si një luftë jomorale, në kundërshtim me parimet e drejtësisë kristiane.
Për këtë arsye, Izraeli ka shtuar përpjekjet për t’i synuar këto grupe me mesazhe fetare digjitale që citojnë tekste të shenjta për të justifikuar okupimin, duke e përdorur tekstin fetar si mjet propagandistik në shërbim të narrativës ushtarake.
*Përfundim: një krizë e imazhit apo e vetë ekzistencës politike?*
Përpjekjet e Izraelit për ta rindërtuar imazhin e vet të shkatërruar përmes inteligjencës artificiale dhe ndikuesve amerikanë nuk mund të fshijnë realitetin themelor: kriza nuk është në marketing, por në vetë aktin.
Bota është dëshmitare e një lufte shfarosuese që ka marrë jetët e dhjetëra mijëra civilëve palestinezë, ka shkatërruar strukturën humanitare të Gazës dhe ka prodhuar imazhe që asnjë fushatë propagandistike nuk mund t’i zhdukë nga memoria kolektive.
Çdo dollar i shpenzuar në “hasbara digjitale” nuk e ndryshon faktin se Izraeli po përballet me një erozion të paparë të legjitimitetit moral e politik, dhe se Uashingtoni e ka kuptuar se mbështetja e pakushtëzuar e këtij entiteti po kthehet në barrë për imazhin e vet global.
Në dritën e këtyre zhvillimeve, mund të thuhet se Izraeli nuk përballet sot me një krizë të thjeshtë “marrëdhëniesh me publikun”, por me një krizë të ekzistencës politike dhe morale. Ai po humb njëkohësisht betejën e opinionit publik dhe po sheh krisjen e aleancës së tij më të rëndësishme strategjike, duke humbur aftësinë për të justifikuar sjelljen e vet përballë aleatëve më të afërt.
Ndërsa Tel Avivi përpiqet të rregullojë imazhin përmes mashtrimit digjital, hendeku mes tij dhe shoqërisë amerikane po zgjerohet, duke zbuluar pas “narrativës së mbrojtjes”: realitetin e një okupimi të gjatë, të një lufte pa moral dhe të një aleance që po shpërbëhet nga brenda.
Izraeli ka hyrë në një fazë pas legjitimitetit, ku as fuqia ushtarake e as epërsia teknologjike nuk mjaftojnë për ta bindur botën për drejtësinë e kauzës së tij. Lufta në Gaza nuk e nxori në pah vetëm brishtësinë e sistemit të tij moral, por zbuloi edhe kufijtë e ndikimit të tij te aleati amerikan.
Sado të përpiqet të përdorë inteligjencën artificiale apo të mbështetet në mbështetjen ungjillore, e vërteta është tashmë shumë e madhe që të fshihet: okupimi ka humbur betejën e vet në fushën e vetëdijes dhe po humb gradualisht edhe betejën e aleancave.
