Kur gjuha e psikologjisë fillon të sundojë jetën tonë

Më të lexuarat

Shumë njerëz të flasin për psikologjinë, por janë të paktë ata psikologë që mund të të paralajmërojnë për rreziqet e dominimit të gjuhës së psikologjisë në jetën e përditshme.

Psikologu kritik, profesor Stephan Brinkmann, vë në dukje një dukuri të përhapur dhe të rrezikshme në mënyrën se si njerëzit komunikojnë çdo ditë; konkretisht, në mënyrën se si flasin për veten, për marrëdhëniet e tyre dhe për njerëzit që i rrethojnë.

Ai përmend – dhe po e citoj – një fenomen të cilin sociologu Richard Sennett e quajti:

“Tirania e intimitetit” (Tyranny of Intimacy).

Sipas kësaj ideje, shoqëria moderne, për shkak të obsesionit të saj me emocionet dhe transparencën e ndjenjave, ka filluar ta konsiderojë si të vetmen formë të pranueshme të marrëdhënieve njerëzore atë që ndërtohet mbi emocionet, ndjenjat dhe përjetimet.

Kjo logjikë është shtrirë në shkollë, në jetën private, madje edhe në vendin e punës.

Mirëpo, sipas Brinkmannit, një përkufizim i tillë i marrëdhënieve njerëzore, fatkeqësisht, nuk sjell gjë tjetër veçse lëndimin e vazhdueshëm të njerëzve nga njëri-tjetri.

Kjo është një ide shumë e rëndësishme.

Marrëdhëniet e mia me të tjerët nuk ndërtohen vetëm mbi emocionet.

Ka shumë arsye të tjera që lidhin dy njerëz, përtej gjuhës së ndjenjave.

Ekziston, për shembull, gjuha e vlerave, si përgjegjësia shoqërore, detyrimi moral dhe ndjenja e përgjegjësisë.

Po ashtu ekzistojnë edhe lidhje më themelore, si lidhja e gjakut, farefisnia dhe prejardhja.

Ky është një këndvështrim i rëndësishëm sidomos kur shohim legjislacionin islam.

Sheriati nuk e ndërton çështjen e trashëgimisë mbi ndjenjat e tua.

Ai nuk të pyet çfarë marrëdhënieje emocionale ke me motrën tënde, as nëse ti dhe xhaxhallarët e tu e doni apo nuk e doni njëri-tjetrin.

Tirania e intimitetit dhe mbizotërimi i gjuhës së emocioneve nuk kufizohet vetëm te marrëdhëniet me të tjerët, por prek edhe mënyrën se si njeriu e kupton vetveten.

Për shembull, dikush mund të thotë:

“Unë jam nga natyra shumë ankthioz. Duhet të më duroni, sepse kjo është pjesë e personalitetit tim. Madje është e diagnostikuar dhe ka bazë biologjike e gjenetike.”

Nganjëherë më kujtohet sahabiu i madh Kajs ibn Sa’d.

Ai ishte jashtëzakonisht inteligjent dhe shumë i zgjuar. Kishte të gjitha aftësitë mendore për t’i manipuluar njerëzit dhe për t’i mashtruar.

Dhehebiu përcjell në veprën Sijer A’lam en-Nubela se ai ka thënë:

“Po të mos ishte Islami, do të bëja një dinakëri që arabët nuk do ta përballonin.”

Kjo është një thënie mahnitëse.

Imagjino sikur Kajsi të kishte jetuar në kohën tonë, kur njiheshin gjenetika dhe psikologjia moderne.

Po sikur një specialist t’i kishte thënë:

“Është pjesë e natyrës sate të jesh dinak. Të tjerët duhet ta pranojnë këtë. Kush nuk të pranon ashtu si je, nuk ia vlen të kesh marrëdhënie me të.”

Pastaj Kajsi të fillonte të thoshte:

“Ah, gjenet e mia! Ah, mendja ime! Kështu kam lindur. Nuk kam çfarë të bëj. Kjo është natyra ime. Askush nuk më kupton. Kush nuk më kupton, nuk meriton as të flas me të.”

Por kjo nuk ndodhi.

Kajsi nuk jetoi në një kulturë ku gjuha psikologjike sundonte mënyrën e të kuptuarit të vetvetes.

Prandaj ai nuk u fsheh pas diagnozave dhe etiketave që sot, në shumë raste, përdoren si justifikim për të mos luftuar veset dhe dobësitë personale.

Fjala e tij:

“Po të mos ishte Islami…”

është jashtëzakonisht domethënëse.

Ajo nënkupton se, pavarësisht prirjeve të mia psikologjike, karakterit tim, aftësive të mia mendore dhe prirjes sime natyrore, asnjëra prej tyre nuk më pengon ta edukoj dhe ta korrigjoj vetveten.

Ekziston një gjuhë më e lartë.

Është gjuha e fesë.

Është gjuha e vlerave morale.

Ajo ka për detyrë ta fisnikërojë karakterin tim, të më mbrojë nga e keqja e vetes dhe nga mashtrimet e pasioneve.

Sepse unë jam një njeri i lirë.

Kam vullnet të lirë.

Jam përgjegjës për veprimet e mia dhe do të jap llogari për to.

Për ta kuptuar më mirë fenomenin e “Tiranisë së Intimitetit”, autori përmend edhe një skenë domethënëse nga filmi Fences, ku aktori Denzel Washington interpreton rolin e një babai.

I biri e pyet i dëshpëruar:

“Babë, pse nuk më do?”

Babai shpërthen në përgjigje.

Pavarësisht vërejtjeve që mund të bëhen për ashpërsinë e tij, përgjigjja mbetet shumë domethënëse:

“Ajo që të lidh me njerëzit nuk është gjithmonë dashuria.

Jeta nuk të jep gjithçka sepse të do.

Mos e kalo jetën duke u shqetësuar nëse njerëzit të duan apo të urrejnë.

Më e rëndësishmja është që ti të përmbushësh detyrimet e tua ndaj tyre dhe ata të të japin të drejtat që të takojnë.”

Shkruar nga: Mahmoud Abu Adi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit