1.9 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Rëndësia e të pyeturit

Më të lexuarat

Nga: Dr Velid Fetihi

Rëndësia e të pyeturit

Ndërkohë që mësuesi shpjegonte mësimin, i cili kishte të bëjë me trupat, ndër të tjera tha:”Lëndët e ngurta shndërrohen në të lëngshme nëpërmjet temperaturave të larta, ndërkohë që ato të lëngshmet shndërrohen në të ngurta falë temperaturave të ulëta.”
Njëri nga nxënësit ngre dorën dhe pyet:”Mësues! Përse vezën kur e fusim në ujë të nxehtë ngurtësohet, ndërkohë që kur e fusim në frigorifer qëndron e lëngshme?!”
Mësuesi, duke mos ditur ti japë përgjigje, ia ktheu:”Mbylle more gojën dhe rri sus në vend! Lëre vezën, por fokusohu tek mësimet dhe tek testi që keni orën tjetër! Ne çfarë flasim këtu në klasë, e ti na flet broçkulla për vezën!”
Vallë cili është krimi që kryen ky nxënës kur kërkon të mësojë diçka më shumë? Përse qenka turp të pyesësh për diçka që nuk e di?
Nëse nuk do të marrë përgjigje për pyetjet e tij, madje do të fyhet, ai do të zhytet në një gjumë të thellë letargjik.
Nevoja për të pyetur është e ngulitur thellë në natyrën njerëzore. Fëmija i vogël i çmonton lodrat e tij dhe pastaj orvatet ti montojë në mënyra të ndryshme. Kureshtja dhe nevoja për të ditur është e rrënjosur thellë tek njeriu. “Pse” është pyetja që edhe babai i profetëve, Ibrahimi a.s, e pyeti Zotin duke i thënë:”Zoti im, më trego si i ngjall të vdekurit..”
Kështu, shohim që të pyeturit shihet si një mekanizëm kuranor për aktivizimin e të lexuarit të përgjithshëm të universit, krijesave dhe njerëzimit. Që këtu rilindi arsyeja e myslimanit e cila prodhoi qytetërim dhe zhvillim shumëdimensional.
Revista e shëndetit mendor, në vitin 2005 ka publikuar një studim i cili zgjati për dy vite dhe përfshiu njëmijë persona. Studimi arriti në konkluzionin se personat të cilët kanë një nivel të lartë kurioziteti, pasioni për të pyetur dhe për tu informuar, kishin më pak lidhje me sëmundjet si tensioni i gjakut, diabeti etj…
Në një studim tjetër të publikuar nga revista Psikologjia Sociale, arriti në përfundimin se fëmija kurioz dhe që pyet shumë, ka një koeficient më të lartë inteligjence.
Një studim i cili përfshiu 1795 fëmijë në moshën tre vjeçare, u zbulua se fëmijët kuriozë dhe që bëjnë shumë pyetje, kur mbushnin 11 vjeç, kishin aftësi më të mëdha analizuese, perceptuese dhe lexuese. Ata prevalonin ndaj fëmijëve të tjerë me 12 pikë në koeficientin e inteligjencës.
Sakaq, nga aspekti social, fëmijët që bëjnë shumë pyetje dhe janë kuriozë, janë më të suksesshëm. Por edhe nga aspekti psikologjik, ata janë më të lumtur se fëmijët e tjerë.
Në një studim të zhvilluar nga instituti Galop i cili përfshiu 130 mijë persona në 130 shtete të ndryshme dhe që mbulonin 95% të rruzullit tokësor, u zbulua se një nga faktorët e lumturisë ishte se kishin mësuar diçka të re një ditë më parë.
Studimet moderne pohojnë se fëmija në fazën parashkollore, shtron çdo ditë një mesatare prej njëqind pyetjesh në ditë. Por gjatë ciklit fillor dhe atij nëntëvjeçar, kjo mesatare bie në mënyrë të përshkallëzuar derisa, për shkak të mësimdhënies tradicionale, fëmija nuk shtron më pyetje dhe e humbjet kureshtjen. Kjo nuk ul vetëm zellin për të pyetur dhe për tu informuar, por paralelisht ul dhe zellin për cilësinë e jetës.
Vallë çfarë ndodh në shkollat tona?
Edukimi tradicional e shpërblen fëmijën për përgjigjet që jep për pyetjet e mësuesit, jo për pyetjet që shtron vetë fëmija! Në përgjithësi, përgjigjet që jep fëmija, janë brenda disa shabllonëve të rreptë. Kjo, për të mos thënë që fëmija ndëshkohet kur bën shumë pyetje.
Arsimi dhe edukimi në shoqëritë tona hedhhapa jo para, por pas. Kjo, sepse një edukim dhe arsim i tillë shkakton krizë besimi në aftësinë tonë për eksplorimin e jetës.
Me miliona janë të rinjtë dhe të rejat në botën lindore të cilët diplomohen çdo vit, në shkollat, institutet dhe universitetet tona, në të gjitha fushat e shkencës. E megjithatë, ne akoma nuk kemi arritur të zhvillohemi siç duhet.
Kur pyetja shtypet dhe kur ngurtësohet arsyeja, të pyeturit shihet edhe si diçka e dënueshme. Madje, disa fetarë e shohin atë edhe si një bidat (risi në fe) i cili duhet luftuar, pasi çdo bidat është humbje dhe humbjet e kanë vendin në zjarr. Kjo ka bërë që vendet tona të radhiten në fundin e listës së vendeve të zhvilluara.
Hazreti Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me të, dijen e kishte si kriter në përzgjedhjen e këshilltarëve të tij personalë. Ai e mbante pranë Abdullah ibnu Abasin për shkak të dijeve dhe urtësisë së tij. Për të, Omeri thoshte:”Ai është djaloshi i urtësisë, ka një gjuhë që vetëm pyet dhe një zemër plot mençuri.”
Kjo mendje e cila ndërton civilizim, nuk mund të jetë produktive pa mekanizmin kryesor të umetit të fjalës “Lexo”, mekanizëm i cili në këtë rast është “pyetja”.
Rrënjët e çdo shkence dhe informacioni janë pikërisht pyetjet, kurioziteti dhe pasioni për të ditur të mistershmen. Nuk ka gjë që e çliron njeriun nga vargonjtë e aktualitetit plot dhimbje, ashtu siç e çliron besimi se kjo arrihet vetëm nëpërmjet hulumtimit shkencor, eksplorimit dhe pyetjeve.
Të shtypësh pyetjen, ke shtypur mendjen e njeriut dhe ke vrarë shpirtin e tij.
 
Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit